I njëjti avaz!

Hendboll

I njëjti avaz!

Nga: Enis Kastrati Më: 13 shtator 2017 Në ora: 15:55
Enis Kastrati

Debate

Nuk shihet diçka pozitive tani për tani në hendbollin e Kosovës. Kriza është më e thellë se sa mendojmë, kjo nënkupton se punët janë shumë keq. Reflektohet edhe në shumicën e klubeve dhe së fundit ekziston rreziku që mund të tërhiqet nga garat edhe klubi me renome Kastrioti i Ferizajt (meshkujt)! Nuk ka optimizëm dhe sa e shoh nuk ka ndryshuar asgjë për të mirë. Janë të njëjtat probleme, ende janë evidente ndoshta edhe janë rritur, por ka aty këtu ndonjë mobilizim.

Megjithatë, vazhdon i njëjti avaz, e njëjta krizë nëpër klube dhe nuk e di a do të ketë kufij? Kampionati fillon në fundjavë qoftë të meshkujt qoftë të femrat, me telashe të vjetra, ndoshta mund të shfaqen edhe probleme të reja. Të shohim se çfarë do të na sjell, ka indikacione që disa klube janë në krizë të thellë, që rrezikojnë edhe shuarjen. Shpresojmë se mos të jetë kështu, se do të sjellë çrregullime të pallogaritshme. Por, kjo konfirmon se hendbolli është në një krizë shumë të madhe.  Pak ka shenja për përparime, sado që kemi dëshirë. A po nuk ka shenja fare, sepse ka vite që është rënë cilësia.

Shpresoj se dikush mund të pretendon se ka përparime, por gjërat që shihen nuk do shumë filozofi. Duhet të jemi të sinqertë, sado e dhimbshme që është, kemi rënë poshtë me nivel. Rreziku është se edicioni i ri mund të jetë edhe më i dobët se ai paraprak në bazë të asaj që shihet në shumicën e klubeve, ku ka pak investime dhe lojtarë të nivelit. Deshëm apo nuk deshëm, e pranuam apo jo, pritet niveli të bie edhe më shumë sepse shenjat janë të tilla. Shihet që Besa FamGas nga Peja edhe në edicionin e ri nuk do të ketë konkurrentë, kjo nuk i shkon përshtati as kësaj skuadre as vetë hendbollit. Sepse do të na mungon një derbi i mirëfilltë apo që rritë edhe shikueshmërinë.

Ky është realiteti, megjithëse Prishtina me organizimet e fundit ka mundësi që t’i afrohet sadopak në cilësi, edhe pse është pak e besueshme kur shikohet niveli i lojtarëve që ka Besa. Megjithatë, mbetet të shihet kur fillon edicioni dhe lutem që asnjë klub mos të tërhiqet, se ndryshe do të jetë shumë e pakuptimtë liga. Ndryshe është liga nëse është me 10 skuadra e ndryshe nëse mbetet me 9, sepse e humb at shijen apo imazhin edhe ashtu të dëmtuar për shkak të rënies së nivelit të kësaj loje. Kosova dihet se ka pasur traditë të kësaj loje, por mos investimet si duhet e sa duhet kanë prurë këtë sport në gjendje mjaft të vështirë.

Autori është ish - hendbollist Besa FamGas nga Peja, ish reprezentues i Kosovës

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat