Kameri: Ndeshjet e kombëtares ndikojnë në rritjen e hendbollit të femrave

Hendboll

Kameri: Ndeshjet e kombëtares ndikojnë në rritjen e hendbollit të femrave

Më: 21 shtator 2017 Në ora: 17:57
Elma Kameri

Elma Kameri është prej lojtareve që ka luajtur në të gjitha ndeshjet zyrtare të kombëtares së Kosovës në hendboll. Ajo aktualisht është e grumbulluar me përfaqësuese në Gjakovë, ku po zhvillohen përgatitjet për dy ndeshjet eliminatore, me Hungarinë e Holandën. Janë këto ndeshje të vlefshme për eliminatoret për Evropianin që vitin tjetër mbahet në Francë. Kosova për herë të parë paraqitet në eliminatore për evropian. Ishte ndalur në paraeliminatoret për “Euro 2016” dhe nuk kishte sukses në eliminatoret për botërorin e vitit 2017. Por në paraeliminatoret për evropianin e vitit 2018 e mposhti Gjeorgjinë dhe Izraelin dhe kështu sigurojë fazën kualifikuese. Ndeshjet parakualifikuese janë luajtur në Kosovë gjatë muajit qershor.

Kosova me Hungarinë përballet në Budapest më 27 shtator, ndërsa Holandën e pret më 1 tetor në Prishtinë. Ndeshjet i takojnë grupit të shtatë. Ndonëse gjasat për fitore ndaj Hungarisë apo Holandës janë të vogla, Elma Kameri flet për përfitimet që hendbolli i femrave në vend do t’i ketë nga ndeshjet e përfaqësueses me superfuqi të hendbollit.

“Ndeshjet e përfaqësueses mund të ndikojnë shumë pozitivisht në rritjen e hendbollit femror në vend. Shpresoj që do të kemi paraqitje të mirë dhe kjo në një mënyrë do të ndikojë që më shumë vajza të reja të orientohen në sport dhe më konkretisht në hendboll. Një ndihmë e madhe në këtë drejtim është transmetimi i ndeshjeve në televizion”, ka thënë Kameri.

Ajo ka treguar se të gjitha vajzat e grumbulluara me përfaqësuese po punojnë me përkushtim për të ngritur nivelin e lojës sa më shumë që të jetë e mundur. Kameri, që është nga Gjakova, pjesë e ekipeve përfaqësuese të Kosovës është prej moshës 13-vjeçare. Luan në pozitën e bekut të majtë. Dy herë ishte realizatorja më e mire në vend, ndërsa është shpërblyer edhe si bekja e majtë më e mire e vitit. 20-vjeçarja  është pjesë e Istogut.

“Pas suksesit që patëm në parakualifikime, tani do ta kemi shumë më të vështirë për të marrë rezultate pozitive. Shpresojmë megjithatë që do të paraqitemi mirë. Kundërshtarët i njohim dhe e dijmë forcën e tyre”, ka theksuar Kameri. “Gjasat për fitore nuk janë të mëdha. Hungaria është prej ekipeve më të mira në Evropë. Holanda poashtu, është ndër të tjera nënkampione e botës. Kjo më së miri tregon për ekipet që i kemi përballë. E rëndësishme për ne është të vazhdojmë të marrim përvojë, të mos lëndohemi dhe të paraqitemi sa më mirë”, ka thënë njëra prej hendbollisteve më të mira në vend.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat