Kosova i frikësohet Hungarisë

Hendboll

Kosova i frikësohet Hungarisë

Më: 25 shtator 2017 Në ora: 16:21
Lojtarët e Hungarisë

Gyori ETO është kampion në fuqi i Ligës së Kampionëve për hendbolliste. Katër lojtare të këtij klubi do të jenë në fushë për ndeshjen e Hungarisë me Kosovën. Kjo dëshmon më së miri forcën e vërtetë të përfaqësueses së Hungarisë në hendboll.

Kosova, që nuk ka asnjë lojtare në Champions, apo në nivelin elitar evropian,  do të përballet me Hungarinë në mërkurën nga ora 18:00 në Budapest. Drejt Budapestit hendbollistet e reja të Kosovës kanë udhëtuar të hënën (sot).  Vetë arritja në fazën kryesore eliminatore për evropianin e vitit të ardhshëm është sukses shumë i madh për Kosovën. Pritjet për ndeshjen ndaj Hungarisë janë reale, për angazhim maksimal dhe për paraqitje sa më të mirë të mundshme. Të pretendohet për fitore ndaj Hungarisë nuk është shumë korrekte dhe për këtë janë të vetëdijshme në përfaqësuesen e Kosovës, që ka moshë mesatare nën 20-vjet. Por lojtaret e përzgjedhësit Florent Beqiri premtojnë angazhim. Është sportive të angazhohesh, edhe kur rivalin e ke të nivelit më të lartë.

Janë dy klube të Hungarisë në fazën grupore të Ligës së Kampionëve, garën elitare evropiane. Pos Gyorit që është në grupin B, në Champions garon edhe FTC Rail Cargo Hungaria, që është pjesë e grupit C. FTC-ja në përfaqësuese të Hungarisë i ka plot gjashtë lojtare. Reprezentuese të Hungarisë e që luajnë për Gyorin janë Eva Kiss, Bernadett Bodi, Anita Gorbicz dhe Zsuzsanna Tomori. Ndërsa nga klubi FTC janë Blanka Biro, Viktoria Lukacs, Noemi Hafra, Aniko Kovacsics, Klara Szekeres e Nadine Schatzl. Pra plot dhjetë lojtare të ligës elite janë pjesë e Hungarisë për ndeshjen ndaj Kosovës. Asnjëra prej lojtareve të reja të Kosovës nuk e ka shijuar Championsin. Disa janë mjaft me perspektivë dhe shpresohet se një ditë do të luajnë në këtë nivel elitar.

Kampionati i Hungarisë në hendboll për femra vlerësohet prej më cilësorëve në Evropë. Ndryshe nuk do të ipte skuadrën më të mirë në Evropë.

Hungaria si përfaqësuese garon rregullisht në ngjarje të mëdha.Në Lojëra Olimpike është paraqitur gjashtë herë. Në pjesëmarrjen e parë në vitin 1976 e fitoi medaljen e bronztë. E katërta ishte në Moskë katër vite më vonë, ndërsa medaljen e bronztë e fitoi edhe në Atlanta në vitin 1996. Në Sydney 2000, hungarezet dolën nënkampione, në Athinë në vitin 2004 zunë vendin e pestë, ndërsa në Pekin në vitin 2008 u renditën të katërtat.

Në botëror, Hungaria garon rregullisht që prej vitit 1957. Në vitin 1982, 1995 e 2003 u rendit e dyta. Në botërorin e fundit ishte e 11-ta, kurse është e kualifikuar edhe për botërorin e këtij viti. Titullin evropian Hungaria e ka fituar në vitin 2002. Në Euro 2012 ishte e treta, në Euro 2014 ishte e gjashta ndërsa në evropianin e fundit, të mbajtur në vitin 2016 u rendit e 12-ta. Fazën e parë grupore e kaloi me sukses, por dështoi në fazën e dytë. Nga Norvegjia, që më pas fitoi titullin evropian, pësoi me vetëm një gol dallim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat