Demaj, lojtarja që duhet shikuar në kualifikime

Hendboll

Demaj, lojtarja që duhet shikuar në kualifikime

Më: 25 shtator 2017 Në ora: 18:02
Leonora Demaj

Në prag të fillimit të kualifikimeve për evropianin e vitit të ardhshëm, sajti zyrtar i Federatës Evropiane të Hendbollit (EHF) ka përzgjedhur pesë lojtaret e reja që duhet shikuar në ndeshjet e para kualifikuese. E para në listën e EHF-së është kapitenja e Kosovës, Leonora Demaj.

Kosova të mërkurën luan në udhëtim me Hungarinë, ndërsa të dielen e pret Holandën. Demaj 20-vjeçare pritet të udhëheq Kosovën në këto dy ndeshje të vështira.

“Beku i djathtë, Leonora Demaj ishte vendimtare në përpjekjen e parë të suksesshme të Kosovës për të siguruar fazën e dytë kualifikuese për evropian. 20-vjeçarja shënoi në total 27 gola në dy ndeshjet e përfaqësueses së saj në fazën e parë kualifikuese – 11 kundër Gjeorgjisë dhe më pas 16 ndaj Izraelit, në ndeshjet e muajit qershor. Derisa lojtaret tjera të reja në listë mund të duhet të presin për momentin e tyre karshi konkurrencës së ashpër, Demaj me gjasë do të jetë pjesë kyçe e Kosovës në ndeshjet e para kualifikuese me Hungarinë dhe Holandën”, ka shkruar sajti i EHF-së.

Malin Aune e Norvegjisë, Katrin Kljuber e Hungarisë, Stela Posavec e Kroacisë dhe Maitane Etxeberria e Spanjës janë lojtaret tjera të reja që sipas EHF-së duhet të shikohen në ndeshjet e para kualifikuese për Evropianin që vitin tjetër mbahet në Francë.

“Derisa shumë yje të konfirmuara të hendbollit të femrave do të jenë në arena, ndeshjet do të jenë një mundësi për lojtaret e reja për të nisur të lënë firmën e tyre në ekipet seniore. Disa debutojnë e disa tjera do të shikojnë për të forcuar pozitën e tyre”, ka shkruar EHF-ja, që tashmë ka nisur të vlerësojë edhe lojtaret e reja të Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat