Kosova e gatshme për ndeshjen e madhe

Hendboll

Kosova e gatshme për ndeshjen e madhe

Më: 27 shtator 2017 Në ora: 10:37
Kosova

Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll (femrat) është e gatshme për ndeshjen e saj më të madhe deri më tani. Kosova të mërkurën (sot) nga ora 18:00 në “Elek Gyula Arena” të Budapestit përballet me përfaqësuesen e Hungarisë. Kjo ndeshje hap garën në Grupin 7 të fazës kryesore kualifikuese për Evropianin e vitit të ardhshëm. Kosova për herë të parë luan në fazën kryesore eliminatore për evropian. Në Grupin 7 bëjnë pjesë edhe Holanda e Bjellorusia. Dy të parat në grup shkojnë në Evropian, ndërsa gjasa ka edhe përfaqësuesja e vendit të tretë.
Hendbollistet e Kosovës të hënën kanë udhëtuar për në Budapest, ndërsa një ditë para ndeshjes në kampin e përfaqësueses kishte atmosferë pozitive. Të gjithë në përfaqësuese janë të vetëdijshme për forcën e Hungarisë. Ndër të tjera Hungaria ka suksese të mëdha në gara ndërkombëtare e poashtu i ka në përbërje plot dhjetë lojtare që këtë edicion do të luajnë në Ligën e Kampionëve. Klubi më i mirë në Evropë është nga Hungaria poashtu.
Hungaria është favorite e madhe, ndërsa për Kosovën është sukses i madh vetë arritja në këtë fazë. Gjithsesi, lojtaret kanë premtuar angazhim maksimal për paraqitje sa më të denjë. Ndeshja shihet edhe si rast i mirë për të fituar përvojën e nivelit më të lartë të mundshëm evropian dhe për të parë në cilin drejtim duhet të shkohet. Kosova ka në përbëre lojtare shumë të reja, që premtojnë ngritje niveli për të ardhmen. Gjysma e lojtareve janë të klubeve të vendit e gjysma të klubeve evropiane.
Përzgjedhësi Florent Beqiri pret ndeshje të vështirë ndaj hungarezeve.
“Duke pasur parasyesh kundërshtarin tonë që është superfuqi evropiane dhe botërore në hendboll, presim një lojë shumë të vështirë për skuadrën tonë. Përkundër faktit që skuadra jonë është shumë e re në moshë dhe hendbollistet tona nuk luajnë nëpër klubet më të forta evropiane, si ato të Hungarisë, skuadra jonë e ka një faktor shumë pozitiv, atë psikologjik, pasi objektivat i kemi përmbushur me arritjen në fazën kryesore kualifikuese. Në ndeshje hyjmë pa presion të rezultatit , por me qëllim të përfaqësimit sa më të mirë që të jetë e mundur. Unë nga hendbollistet pres angazhim maksimal dhe ndeshje të mirë”, ka thënë Beqiri.
Përfaqësuesja është përgatitur për një javë në Gjakovë, por për shkak të obligimeve në klubet e tyre, dy prej lojtareve kryesore, Leonora Demaj e Mirela Gjikokaj me vazjat tjera janë bashkuar vetëm në ditët e fundit.
“Kosova ka potencial të rritet ende si përfaqësuese. Kemi një përfaqësuese të re me lojtare të talentuara. Në grumbullimet e rradhës na bashkohen edhe lojtare tjera që bëjnë karrierë jashtë. Ka hapsirë për përmirësim, por duhet punë, angazhim në periudha më të gjata. Vetëm kështu mund t’i afrohemi nivelit të përfaqësueseve konkurrente”, ka shtuar Beqiri.
Kosova ndeshjen e dytë e luan menjëherë të dielen në Prishtinë ndaj Holandës, që poashtu është top-nivel evropian.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat