Kështu e komenton FHK debaklin nga Hungaria

Hendboll

Kështu e komenton FHK debaklin nga Hungaria

Më: 28 shtator 2017 Në ora: 11:08
Pamje nga ndeshje

Hendbollistet e përfaqësueses së Kosovës kanë nisur me humbje kualifikimet për kampionatin evropian “Franca 2018”. Ato të mërkurën në “Elek Gyula Arena” të Budapestit, humbën me rezultatin 37:12 nga përfaqësuesja shumë cilësore e Hungarisë. Pjesa e parë e ndeshjes u mbyll me rezultatin 18:5 në të mirë të vendaseve. Ndeshja u luajt në palestrën e mbushur me shikues, kurse i takoi grupit të shtatë të raundit kryesor eliminator për evropian.
Hungaria, që ka përfaqësuese të nivelit më të lartë evropian dhe poashtu hendbollin e femrave prej më cilësorëve në botë, ishte superiore prej fillimit të takimit. Vashat e reja të Kosovës përkundër angazhimit nuk ia dolën të shmangin humbjen e lartë. Kishte momente të mira në lojën e Kosovës, aksione cilësore e mbrojtje të suksesshme, por në përgjithësi dallimi në cilësi ishte evident.
Kosova u paraqit pa lojtaren kryesore dhe kapitenen Leonora Demaj, që gjatë ditës pati telashe shëndeësore. Mungesa e Demajt u vërejt shumë në lojën e Kosovës.
Për Kosovën është sukses i madh vetë paraqitja në fazën kryesore eliminatore dhe përballja me përfaqësuese elitare si Hungaria. Është një mundësi e mirë për vajzat dhe shtabin teknik për të parë rrugën që duhet ndjekur për të arritur në nivel më të lartë. Vajzat e reja të Kosovës, shumica prej të cilave janë nën 20-vjet, kanë mësuar shumë nga përballja me lojtaret me përvojë të Hungarisë që kanë përvojë të gjatë në ngjarje të mëdha dhe në Ligën e Kampionëve.
Ndeshja ndaj Hungarisë për disa prej hendbollisteve ishte debutuese në përfaqësuesen e Kosovës. Përfaqësuesja pritet të përforcohet me lojtare me perspektivë nga vendet evropiane edhe në të ardhmen. Me sukses debutuan portierja Dorentina Osmani që pati shumë pritje e poashtu lojtaret e reja, Sara Rexhepi e Merlinda Qorraj. Rexhepi shënoi katër gola ndërsa Qorraj tri. Katër gola i pati edhe Fitore Aliu, ndërsa një gol e realizoi Aida Stagova. Edhe lojtaret tjera dhanë kontributin e tyre.
Ndeshjen e dytë në kuadër të grupit të shtatë, Kosova e luan të dielen në Prishtinë ndaj Holandës, një superfuqie tjetër të hendbollit evropian e botëror, shkruan në faqen e FHK-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat