A është fajtorë Florent Beqiri?

Hendboll

A është fajtorë Florent Beqiri?

Nga: Kemajl Goca Më: 28 shtator 2017 Në ora: 11:37
Florent Beqiri

Në Kosovë është bërë një lloji mode kur pëson debakël si kombëtare e Kosovës, të gjithë i gjuhen fort e keq përzgjedhësit, madje e akuzojnë bile edhe e shajnë, që besa e quajnë edhe të padijshëm!  Por në fakt, fajtorë nuk është përzgjedhësi. Shembulli më konkret është humbja e kombëtares së Kosovës në Budapest me rezultat 37:12 nga Hungaria, në kuadër të xhiros së parë të grupit 7 të kualifikimeve për Kampionatin Evropian në hendboll (femrat). Në fakt, fajtorë më së paku është Florent Beqiri si përzgjedhës, sepse brumin që ka brenda kombëtares as nuk mund të bëjë më të mirë as më të keq. Kur rrihet daullja me të madhe se kanë bërë një kombëtare për lakmi, ajo nuk është korrekte dhe nuk shkon edhe e gjatë dhe dalin në shesh të gjitha. Lajmi më i mirë ka qenë kur Kosova ishte kualifikuar në këtë fazë grupore dhe garon në grup me superfuqi botërore, si Hungaria, Holanda e Bjellorusia.

 Për humbjen me 25 gola diferencë më së paku është fajtorë Beqiri, sepse ai nuk ka mundur as brenda javës as brenda dy javësh, por as brenda muajit ta ndërton një ekip ashtu si duhet kur më së paku apo shumë pak është punuar nëpër klube. Lavdërimet se kanë prurë lojtare klas nga jashtë, nuk është i mirë. Sepse edhe vetë ata që janë në Federatën e Hendbollit të Kosovës, duhet të jenë të kujdesshëm kur japin një lajm, nuk kanë nevojë të japin lajme bombastike apo të jenë zëdhënës të keq, sepse sot e dimë të gjithë për cilësitë që kanë të gjitha lojtaret. Mos t’i rrisim gjërat para kohe dhe mos t’i rrisim lojtaret më shumë se sa janë. Komplimenti më i madh është për lojtaret që kanë ardhur nga shtetet e jashtme e të na përfaqësojnë, të cilat japin maksimumin dhe meritojnë notë dhjetëshe. Ato nuk mundë të bëjnë ndryshime për 200 shkallë, kur në Kosovë e kemi brumin zero! Lëvdate nuk janë të mira, por e mira është të punojmë apo si thonë në popull: Grahi punës burrë. Njeriu që më së shumti më dhimbset dhe njihet me sinqeritet, njeri profesional, pa dyshim është kryetari i FHK-së, Eugen Saraçini, që vjen nga një familje me traditë sportive dhe e kupton fort mirë sportin.

Është fat për FHK-në që e kanë kryetar Saraçinin, sepse ai është faktorë shumë i rëndësishëm dhe shumë gjëra i ka futur në binarë, dhe prania e tij edhe në shumë  takime me federata ndërkombëtare, është një panoramë e mirë për vetë hendbollin. Saraçini nuk mund të bëj asgjë më shumë, nuk mund të shkojë as të punojë nëpër klube, sepse misioni i tij është politika brenda federatës. Saraçini ka vënë rregull, disiplinë, por të paktën do të ishte mirë t’i ndalojë disa nga ata që ka brenda Bordit,  mos të japin fjalë të pamatura apo të fryjnë gjërat, pastaj opinioni të çuditet nga kësi humbje, kur dihet se ku e kemi cilësinë.

Saraçini nga koha që ka ardhur në krye të federatës, kurrë nuk është përzier as në punën e gazetarëve, dhe gjithmonë ka kërkuar ta shkruajnë ashtu si e shohin ngjarjen. Por,  debakli nga Hungaria është më të vërtet për dhimbje koke, sepse Kosova ka traditë hendbolli, por kështu është kur nuk punohet. Nuk duhet të qeshim me këto vajza, por duhet të qeshim me ata trajnerë që asgjë nuk kanë punuar dhe tash me këto telashe ballafaqohet Florent Beqiri. Mësuesi i dobët prodhon nxënës të dobët. E mira është se hendbollistet apo këto nxënëse janë më të mira se disa mësues që i kanë.  Por edhe disa që janë brenda Federatës, duhet të jenë më të sinqertë në deklarata, mos t’i zmadhojnë gjërat. Prandaj humbja në Hungari nuk ka prodhuar asgjë të re, ky është realiteti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat