Prani e vazhdueshme e Kosovës në Kupa Evropiane

Hendboll

Prani e vazhdueshme e Kosovës në Kupa Evropiane

Më: 18 tetor 2017 Në ora: 12:42
Ilir Bytyqi – Syart Kasapi

Pos me klube në të dy konkurrencat, Federata e Hendbollit të Kosovës për mbi një dekadë është pjesë e garave evropiane edhe me gjyqtarë e delegatë. Madje prania e FHK-së me gjyqtarë e delegatë në Kupa Evropiane në hendboll është e vazhdueshme. Në fundjavë dy prej katër çifteve të gjyqtarëve të EHF-së që i ka FHK-ja drejtuan ndeshje evropiane.
Në Kupa të EHF-së në fundjavën që shkoi debutoi dyshja Ilir Bytyqi – Syart Kasapi që drejtoi dy ndeshje të raundit të dytë të Challenge Cup (femrat) mes ekipit austriak UHC Muellner Bau Stockerau dhe atij moldav HC Olimpus 85 SSSH-2. Ndeshjet u luajtën më 14 e 15 tetor në Stockerau të Austrisë, ndërsa delegat ishte Igor Karlubik i Sllovakisë.
Bytyqi e Kasapi për shtatë vite ishin gjyqtarë të rinjë të EHF-së dhe kanë drejtuar ndeshje në shumë turne për të rinjë. Në muajin korrik dhanë provimin për të drejtuar edhe ndeshje të Kupave të EHF-së.
Çifti tjetër, Erdoan Vitaku – Arsim Vitaku, kanë drejtuar ndeshjet e raundit të dytë të Kupës së EHF-së (meshkujt) që u luajtën në fundjavë në Rumani në mes të Dobrogea Sud Constanta të Rumanisë dhe BSK Handball Elite të Norvegjisë. Arbitrat Vitaku delegat e kishin izraelitin Shlomo Cohen.
Ndërkohë delegati i EHF-së nga Kosova, Fahredin Hashani ishte delegat në dy ndeshjet e rrethit të dytë të Challenge Cup (meshkujt) mes Vogoshçës së Bosnjës dhe Holonit të Izraelit. Dy takimet u luajtën në Bosnje.
Kosova në listën e EHF-së për edicionin aktual, 2017\18, i ka katër çifte gjyqtarësh dhe dy delegatë. FHK-ja poashtu ka dy çifte kandidat për referë të EHF-së dhe dy çifte të referëve të rinjë, njëri prej tyre i përbërë nga femrat. Këto katër çifte në edicionet në vijim pritet t’iu nënshtrohen kurseve dhe provimeve për të marrë thirrjen e referëve të EHF-së.
Çifti Jahja – Xhema e ka kryer kursin e parë tashmë për thirrjen e referëve të IHF-së. Në kohën e ish-shtetit të dikurshëm federativ, thirrje të gjyqtarëve të IHF-së nga Kosova ka patur dyshja Xhafer Lila – Rajko Rakoçeviq.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat