Shqiponja çon kokën lart, shikon të tjerët pas vetes!

Hendboll

Shqiponja çon kokën lart, shikon të tjerët pas vetes!

Më: 23 tetor 2017 Në ora: 11:40
Shpresa Fazlija në veprim

Me fitoren e arritur të shtunën ndaj Vushtrrisë me rezultatin 42:27, Shqiponja e Gjakovës është shkëputur në krye të tabelës së Superligës së Kosovës në hendboll për femra. Shqiponja prinë me tetë pikë, ndërsa Prishtina e Vushtrria i kanë nga gjashtë pikë. Fillimi i furishëm i edicionit – me katër fitore – ka bërë që në skuadrën gjakovare të besojnë se ka ardhur koha për të fituar titullin e parë. Në katër xhirot e para të edicionit, Shqiponja ka mposhtur të gjitha skuadrat që vlerësohen pretendente për titull. Në javën e parë fitoi ndaj Kastriotit në udhëtim me rezultatin 45:23. Në javën e dytë e mposhti Istogun me rezultatin 24:21, ndërsa në të tretën Prishtinën në udhëtim me shifrat 30:25.
Shqiponja si klub është themeluar në vitin 2000, ndërsa deri më tani nuk ia ka dalur të fitoi titullin.
“Po, besoj që ka ardhur koha të fitojmë titullin e parë”, ka thënë të dielen Shpresa Fazlija, hendbolliste e Shqiponjës. Ndaj Vushtrrisë ajo realizoi tetë gola. Fazlija ka thënë se atmosfera brenda ekipit dhe loja kolektive e kanë dallur Shqiponjën prej ekipeve tjera në hapje të kampionatit.
“Besoj që me këtë ritëm do të vazhdojmë deri në fund të kampionatit. Nuk thuhet kot që dita e mirë shihet në mëngjes”, ka shtuar Fazlija.
Më efikasja në ndeshjen ndaj Vushtrrisë ishte kapitenja Valerina Malaj, që realizoi 13 gola. Ajo ka shfaqur formë të lartë prej xhiros së parë.
“Është koha që me titull të shpërblehet mundi i shumë viteve. Në katër xhirot e para kishim përballë ekipet më të forta dhe të gjitha i mposhtëm. Kjo është një shenjë pozitive. Jemi më të përgatitura fizikisht , kemi një kordinim mes vete. Na dallon edhe fakti që në të gjitha ndeshjet e deritashme gjashtë lojtare kemi shënuar gola. Kjo është dëshmi për komponimin e mirë të skuadrës”, ka thënë Malaj.
Shqiponja muajin tjetër luan në rrethin e tretë të Challenge Cup. Përballë e ka skuadrën portugeze ADA CJ Barros. Në dy vitet e kaluara skuadra gjakovare është renditur në mesin e 16 më të mirave në Challenge Cup, përkatësisht ka kaluar nga një rreth garash. Së pari kishte mposhtur Pelisterin e Maqedonisë për t’u eliminuar më pas nga Rocasa Gran Canaria e Spanjës. Vjet kishte eliminuar Maccabi Arazim Ramat gan të Izraelit dhe më pas ishte ndalur nga Sokol Poruba e Çekisë.
“Do të angazhohemi maksimalisht për të bërë lojëra të mira dhe shpresoj të përsërisim suksesin e dy viteve të kaluara”, ka thënë Malaj.
“Do të mundohemi që të kemi edhe më shumë sukses se në dy vitet e kaluara”, është optimiste Shpresa Fazlija.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat