FHK ku je? Cërvena Zvezda me 150 tifozë në Kosovë, provokon rëndë!

Hendboll

FHK ku je? Cërvena Zvezda me 150 tifozë në Kosovë, provokon rëndë!

Nga: Kemajl Goca Më: 2 nëntor 2017 Në ora: 12:10
Kjo ishte atmosfera Mokra Gora - Cërvena Zvezda, ndeshje ilegale

Me shumë krenari Cërvena Zvezda nga Beogradi raporton në faqen e saj, se një orë para ndeshjes me Mokra Gorën, salla ishte përplot me shikues. Ky klub famëkeq i hendbollit (meshkujt) mbrëmë luajti në Zubin Potok dhe fitoi me rezultat 29:26 kundër Mokra Gorës, në ndeshjen e mbetur të Superligës së Serbisë. A thua, me leje të kujt ka ardhur në Kosovë? A ka kërkuar Cërvena Zvezda leje nga FHK e cila është e pranuar në EHF e IHF apo nga institucionet e Kosovës? 

Faktikisht, ata erdhën e shkuan dhe askush nuk reagoi nga institucionet e Republikës e Kosovës dhe as vetë Federata e Hendbollit të Kosovës. Është ditur botërisht se Zvezda do të vijë me 1 nëntor, por askush nuk ka dashur t’i pengojë!  Me 2 tetor Partizani i Beogradit luajti me Mokra Gorën, tani me 1 nëntor Cërvena Zvezda! Të paktën FHK u dashtë të protestojë në EHF dhe të kërkojë nga mekanizmat përkatës që ta ndalojnë këtë aktivitet ilegal! E para, e dimë që FHK nuk ka forcë ta ndalë këtë aktivitet, sepse janë organet përkatëse, por së paku u dashtë të kërkojë që ajo të ndalohet. E dyta, jo vetëm FHK, por edhe Federata e Futbollit e Kosovës, edhe Federata e Basketbollit e Kosovës, edhe Federata e Volejbollit e Kosovës dhe të gjitha federatat tjera, së bashku me Komitetin Olimpik të Kosovës dhe Ministrinë e Sportit, duhet të bëhen bashkë, të thërrasin një konferencë të jashtëzakonshme dhe të kërkojnë një herë e përgjithmonë që të ndalen këto aktivitete ilegale të Serbisë në shtetin e Kosovës!

Asnjëra federatë deri me tash nuk reagon dhe heshtin përballë aktiviteteve ilegale serbe që mbahen në veri të Mitrovicës. A thua, heshtin nga frika apo mos po koriten me serbë që organizojnë aktivitete ilegale në shtetin e Kosovës, të njohur ndërkombëtarisht!  “Mbi 1300 shikues, mes të cilëve rreth 150 kuqebardhë, kanë mbushur sallën një orë para se të filloj ndeshja dhe përcollën fitoren e pestë të Zvezdës në Superligë.

Ndeshjen e përcjellin me fitoren e 5 ne Superligë”, shkruan nga Cërvena Zvezda. Bile në faqen e tyre klubi famëkeq shkruan se ka qenë një panoramë e bukur në hendbollin serb në Kosmet. E quajnë Kosovën Kosmet, provokim i madh!  Skandali tjetër, gjyqtarët janë nga Jagodina: Bllagojeviq e Gjokiq! Për këtë ndeshje ka raportuar edhe e përditshmja sportive serbe, Sportski Zhurnal dhe shumë media serbe.  Ata vijnë ashiqare luajnë, bëjnë çfarë të dojnë dhe askush nuk i pengon dhe as mundohet kush për këtë punë!  Federata e Hendbollit në vitin 2013 e ndali finalen e Kupës së Serbisë që të organizohet në shtetin e Kosovës, por pse kësaj radhe nuk ka reaguar në asnjë formë, ndoshta kanë menduar se është e kotë dhe nuk kanë çfarë të bëjnë. Kështu që, mos u çuditni kur nesër Mokra Gora do të luajë në garat evropiane, do të jetë shumë vonë.

Federatat tona po flenë, nuk iu duket asgjë kjo, por një duhet ta dinë, se nga viti 1991-99, sa e sa sportisti ynë ka ngrënë dajak e ka hyrë në lesh të dashit për t’u shëruar , sa e sa janë të arrestuar dhe kemi pasur edhe sportistë të vrarë nga bandat paramilitare serbe, që nuk na lejuan t’i zhvillojnë aktivitetet edhe në fusha të improvizuara, sepse na kishin përzënë nga objektet tona, në shtetin tonë.  Tani klubet nga Serbia vijnë e luajnë ndeshje zyrtare të Serbisë në shtetin e Kosovës. Vijnë nga Serbia sa herë të donë dhe festojnë e këndojnë qysh të dojnë!  Edhe Qeveria duhet të reagojë, boll më! Klubet serbe të Kosovës të garojnë në garat e Republikës së Kosovës, jo në Serbi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat