Shqiponja në Portugali me shpresë për sukses - Bota Sot
Shqiponja në Portugali me shpresë për sukses

Hendboll

E shtunë, 16 dhjetor 2017

Shqiponja në Portugali me shpresë për sukses

Më: 9 nëntor 2017 Në ora: 14:26
Pamje nga një ndeshje

Të shtunën prej orës 18:00 dhe të dielen prej orës 15:00, hendbollistet e Shqiponjës i luajnë ndeshjet e rrethit të tretë të Challenge Cup. Përballë Shqiponjës së Gjakovës do të jetë skuadra portugeze ADA CJ Barros, ndërsa të dy ndeshjet do të luhen në Portugali, përkatësisht në qytetin Marinha Grande.
Shqiponja do të provojë të përfitojë nga forma që po e kalon në Superligën e Kosovës. Pas xhiros së gjashtë prinë në klasifikim me 12 pikë. Ka gjashtë fitore, të gjitha me rezultat bindës.Shqiponja poashtu e ka edhe përvojën e paraqitjes në gara evropiane, përkatësisht në Challenge Cup. Debutoi në edicionin 2015\16 kur në raundin e tretë kishte eliminuar Pelisterin maqedonas e më pas u ndal nga Rocasa Gran Canaria e Spanjës. Të njëjtin sukses e përsëriti edhe në edicionin 2016\17. Fillimisht eliminoi ekipin izraelit Maccabi Arazim Ramat gan e më pas u eliminua nga Sokol Poruba e Çekisë.
Ndonëse është përforcuar me disa lojtare për këto ndeshje, për Shqiponjën do të jetë sfidë të përsëris suksesin e dy edicioneve të kaluara.
Skuadra portugeze ka gjashtë vite përvojë në gara evropiane. Ka në përbërje një lojtare nga Kuba e një nga Moldavia. Në gjashtë pjesëmarrjet vetëm njëherë ia ka dalur të kaloi ndonjë kundërshtar.
“I kemi disa përforcime, ndërsa synimet tona janë të mundohemi maksimalisht të bëjmë lojë të mirë dhe të japim çdo gjë nga vetja. Gjasat janë shumë të pakta pasi rivalet kanë ekip shumë të mirë”, ka thënë kapitenja e Shqiponjës, Valerina Malaj.
“Ekipi kundërshtar është shumë i fortë, por do të mundohemi të kemi rezultat sa më të mirë”, ka thënë Shpresa Fazlija, njëra prej hendbollisteve kryesore te Shqiponja.
Shqiponja është një prej pesë klubeve që përfaqësojnë Kosovën këtë edicion në gara evropiane. Më vonë këtë muaj luajnë edhe Istogu te femrat dhe Trepça te meshkujt. Besa FamGas e KHF Prishtina e kanë përfunduar më herët garimin evropian.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test