Bytyqi – Kasapi para 4000 shikuesve, Xhema – Jahja në Lituani

Hendboll

Bytyqi – Kasapi para 4000 shikuesve, Xhema – Jahja në Lituani

Më: 15 nëntor 2017 Në ora: 11:20
Dyshja Sherif Xhema – Besfort Jahja

Krahas klubeve e përfaqësueseve, Kosovën në gara evropiane të hendbollit po e përfaqësojnë gjithnjë e më shumë edhe gjyqtarët e ndeshjeve. Në fundjavën që shkoi dy çifte gjyqtarësh drejtuan ndeshje të Kupave Evropiane, përkatësisht të Challenge Cup për femra.
Dyshja Ilir Bytyqi – Syart Kasapi drejtoi ndeshjen Ardeshen GSK – DHB Rotweiss Thun SPL 1, që u luajt në Ardeshen të Turqisë. Sajti zyrtar i Federatës Evropiane të Hendbollit (EHF) ka njoftuar se këtë ndeshje e kanë përcjellur plot 4000 shikues. Fitore bindëse shënoi skuadra vendase, Ardeshen me rezultatin 36:17.
Dyshja Sherif Xhema – Besfort Jahja ka udhëtuar më larg, në Lituani. Kjo dyshe ka drejtuar ndeshjen mes ACME-Zalgiris Kaunas dhe skuadrës britanike London GB Handball Club. Ndeshja u luajt në Lituani, para 120 shikuesve. Fitore bindëse, me shifrat 42:13, shënoi skuadra vendase.
Të dy ndeshjet i takuan rrethit të tretë të Challenge Cup për femra. Në kuadër të këtij rrethi garash, Shqiponja në fundjavë luajti dy ndeshje në Portugali dhe pësoi me rezultatin e përgjithshëm 75:38 nga skuadra Barros. Ndërkohë Istogu fundjavën e ardhshme i luan dy ndeshje në Holandë, me skuadrën Virto/Quintus.
Arbitrat kosovarë pritet të delegohen edhe në shumë ndeshje tjera në kuadër të Kupave Evropiane. Besimi ndaj tyre po shkon duke u rritur falë punës së mirë dhe korrektë që vlerësohet se po e bëjnë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat