Istogu i gatshëm për debutimin evropian

Hendboll

Istogu i gatshëm për debutimin evropian

Më: 16 nëntor 2017 Në ora: 11:03
KHF Istogu

Historik vlerësohet debutimi i KHF Istogut në Kupa Evropiane në hendboll. Hendbollistet e Istogut të shtunën e të dielen i luajnë ndeshjet e rrethit të tretë të Challenge Cup për edicionin 2017\18. Istogu do të përballet me skuadrën holandeze Virto/Quintus, ndërsa të dy ndeshjet do të luhen në Kwintsheul të Holandës. Ndeshja e parë luhet të shtunën nga ora 19:15, ndërsa e dyta të dielen nga ora 16:15.
Trajneri i Istogut, Faruk Shala ka bërë një analizë të detajuar për debutimin në Evropë. Ai ka folur për sajtin e FHK-së të mërkurën, dy ditë para se skuadra që e drejton të marr rrugë për në Holandë.
“Përkundër shumë vështirësive të natyrave të ndryshme me të cilat jemi përballur, në aspektin organizativ jemi të gatshëm të udhëtojmë. Por në aspektin e përgatitjes specifike për lojë, mund të them që nuk kemi mundur të përgatitemi ashtu si kemi planifikuar dhe si kemi dëshiruar. Shpresojmë që të jemi në ditën tonë sa më të mirë dhe të paraqitemi denjësisht”, ka thënë Faruk Shala, që është më meritori për ngritjen e Istogut në një klub që përfaqëson vendin në skenën evropiane.
Ekspedita e Istogut udhëtimin e bënë nga aeroporti i Shkupit, ndërsa me kohë është kryer puna e pajisjes me viza dhe rezervimit të biletave. Shala ka falenderuar zyrën e FHK-së për ndihmën e ofruar për përgatitje për dalje në Evropë. Në drejtim të Holandës do të udhëtojnë 15 lojtare, dy trajnerët, drejtoresha dhe mjekja e klubit.
Trajneri Shala ka përmenduar edhe arsyet që shtynë Istogun të pajtohet që të dy ndeshjet t’i luajë në Holandë.
“Njëra prej arsyeve sigurisht është financiare. Si shumica e klubeve në Kosovë, edhe ne kemi probleme të kësaj natyre, prandaj që t’i ikim kostos së lartë që sjell zhvillimi i një ndeshje në shtëpi e një në udhëtim, në pajtim me drejtuesit e klubit holandez vendosëm që të dy ndeshjet t’i luajmë në Holandë. Ishte propozim i tyre dhe me këtë veprim kemi përgjysmuar shpenzimet e zhvillimit të këtyre dy ndeshjeve. Sigurisht edhe palestra në Istog, që është në fazën përfundimtare të punimeve, ka qenë një nga arsyet, ngase ne si klub kemi dëshirë që ndeshjen e parë evropiane në Kosovë, ta zhvillojmë në palestrën e Istogut, që nuk ka pasur mundësi të jetë e gatshme për këto sfida”, ka thënë Shala.
Trajneri istogas ka njohuri të mëdha për skuadrën kundërshtare. Thotë se bëhet fjalë për një skuadër jashtëzakonisht të fortë, që vjen nga shteti që është nënkampion në fuqi i botës dhe i Evropës dhe skuadër e dëshmuar në garat evropiane. Kundërshtari i Istogut vjet është mposhtur në gjysmëfinale të Challenge Cup nga skuadra kroate Lokomotiva Zagreb që më pas doli kampione.
“Për kundërshtar e kemi njërën nga skuadrat më të forta në Challenge Cup. Jo vetëm që e kemi vështirë, por lirisht mund të themi që është edhe kuriozitet që një skuadër që vjen nga një qytet i vogël, i cili nuk ka ende palestër të veten, arrinë të përfaqësojë vendin në gara evropiane. Natyrisht mungesa e palestrës na penalizon shumë, ngase kemi vështirësi në organizim të stërvitjeve kualitative në kushte të përshtatshme për ngritjen e nivelit të lojës”, ka thënë Shala.
Istogu për ndeshjet evropiane është përforcuar me hendbollisten e Vëllaznimit, Arrita Kursani. Shala ka thënë se Kursanit, njëjtë si lojtareve të reja të tij, i mungon përvoja, por jo edhe talenti.
“Të gjitha vajzat do të përpiqen të bëjnë një paraqitje sa më dinjitoze dhe të fitojnë një përvojë ndërkombëtare. Vetë pjesëmarra e Istogut në këto gara është historike për klubin dhe qytetin që përfaqësojmë. Është hera e parë që një klub nga sportet kolektive nga komuna e Istogut merr pjesë në Kupat e Evropës, andaj synimi jonë është prezantimi sa më dinjitoz i sportit të komunës tonë dhe hendbollit kosovar, si dhe përfitimi i përvojës ndërkombëtare me qëllim ngritjen e nivelit të lojës. Kjo pjesëmarrje do të na shërbejë shumë për të ardhmen”, ka thënë Faruk Shala.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat