Istogu debutoi me humbje në garat evropiane

Hendboll

Istogu debutoi me humbje në garat evropiane

Më: 19 nëntor 2017 Në ora: 12:15
Pamje nga ndeshja

Istogu ka debutuar me humbje në garat evropiane në hendboll për femra. KHF Istogu pësoi thellë, 36:13 nga skuadra e fuqishme holandeze, Virto/Quintus. Ndeshja e luajtur në Kwintsheul të Holandës para 450 shikuesve ishte e para e rrethit të tretë të Challenge Cup. Për të ulur shpenzimet, skuadrat janë pajtuar që të dy ndeshjet të luhen në Holandë dhe ndeshja e kthimit zhvillohet menjëherë të dielen (nesër) nga ora 16:15, në të njëjtin vend.
Rezultati i pjesës së parë në ndeshjen e së shtunës ishte 17:8 në të mirë të holandezeve. Te Istogu më efikasja ishte Elma Kameri me katër gola. Nga tri gola i shënuan Arlinda Krasniqi e Leonora Rrahmani, dy gola Fatjona Rexhaj, kurse një herë shënoi Arrita Kursani. Te Virto/Quintus gola shënuan 11 lojtare, ndërsa më efikasja me gjashtë gola ishte Daisy Hage.
Në fakt për Istogun vlerësohet sukses vetë paraqitja në Kupa Evropiane. Skuadra përbëhet nga lojtare të reja e të talentuara, ndërsa përballet me vështirësi të mëdha në mungesë të palestrës në qytetin e Istogut.
Se Virto/Quintus ishte favorite absolute është pranuar në kampin istogas edhe para ndeshjes. Hendbolli i femrave në Holandë është i nivelit më të lartë, ndërsa kjo skuadër vjet ishte në gjysmëfinale të Challenge Cup. Holanda është nënkampione e Evropës dhe e botës në hendboll për femra.
Vajzat e trajnerit Faruk Shala pritet të përfitojnë shumë nga kjo përvojë ndërkombëtare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat