Premtohet spektakël hendbolli në Mitrovicë - Bota Sot
Premtohet spektakël hendbolli në Mitrovicë

Hendboll

E enjte, 14 dhjetor 2017

Premtohet spektakël hendbolli në Mitrovicë

Më: 24 nëntor 2017 Në ora: 10:52
KH Trepça

Atmosferë madhështore dhe hendboll cilësor është premtuar në prag të ndeshjeve të klubit Trepça me klubin e madh rumun, Potaissa Turda. Të shtunën e të dielen në palestrën “Minatori” në Mitrovicë zhvillohen ndeshjet e rrethit të tretë të Challenge Cup në hendboll për meshkuj. Ndeshja e parë luhet të shtunën prej orës 18:00, ndërsa e dyta të dielen prej orës 12:00.

Për Trepçën ky është debutim në gara evropiane. Në fakt “xehetarët” është dashur të debutojnë shumë më herët, në edicionin 2005\06 të Challenge Cup. Por shteti rus nuk kishte mundësuar hyrjen e mitrovicasve në Rusi dhe Trepça kishte humbur tri ndeshjet në grup me rezultat zyrtar. Pas pritjes së gjatë më në fund edhe Trepça debuton në Evropë. Dhe kjo po vlerësohet lart në qytetin e minatorëve. Tifozët mitrovicas “Torcida” kanë premtuar atmosferë për mbamendje, ndërsa përgatitjet për paraqitje të fuqishme në tribuna i kanë nisur shumë më herët.

Edhe te Trepça kanë premtuar angazhim maksimal në ndeshje. Por këtë skuadër e presin dy ndeshje shumë të vështira. Turda po kalon formë të lartë në kampionatin rumun, ndërsa vlerësohet prej skuadrave më të forta në Challenge Cup. Skuadra rumune, që në përbërje ka edhe dy lojtarë serb dhe një moldav, ka dy edicione në gara evropiane. Në edicionin 2014\15 kaloi dy rivale në Kupën e EHF-së para se të ndalej nga Nexe e Kroacisë. Në edicionin e kaluar në Challenge Cup arriti deri në finale, që është sukses shumë i madh. Në finale pësoi nga Sportingu portugez.

Për këto dy ndeshje, të enjten vlerësimet e tyre i kanë dhënë trajneri i Trepçës Taib Kabashi dhe pivoti Sali Maxhera.

Taib Kabashi: ” Për këto dy ndeshje jemi organizuar shumë mirë. Pritet një atmosferë që nuk është parë deri më tani në trojet shqiptare, nga ana e tifozëve më të flaktë në trojet tona. Synimet tona janë për paraqitje sa më të mirë në gara evropiane. Jemi komplet dhe poashtu jemi përforcuar me Deniz Terziqin e Prishtinës dhe Vaglir Buqincën e Dritës. Që të dy kanë luajtur për skuadrën tonë deri në fund të edicionit të kaluar dhe komponohen shumë mirë me pjesën tjetër të skuadrës. Përballë e kemi kundërshtarin më të fortë të mundshëm në Challenge Cup”.

Sali Maxhera: “Jemi munduar të përgatitemi sa më mirë për këto ndeshje me peshë për skuadrën tonë, por edhe për qytetin. Jemi të vetëdijshëm për forcën e kundërshtarit, por do të angazhohemi maksimalisht për prezentim sa më të denjë të klubit dhe të qytetit. Atmosfera pritet të jetë madhështore, tifozët tanë ‘Torcida’ janë mobilizuar për të krijuar atmosferë të zjarrtë. Në jemi shumë falenderues ndaj ‘Torcidës’ por edhe ndaj gjithë shikuesve tjerë që do të jenë në palestër për të na përkrahur. Përkrahja e tyre do të thotë shumë për ne. Do të japim më të mirën për ngjyrat e Trepçës”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test