Për Istogun nuk ka të pamposhtur

Hendboll

Për Istogun nuk ka të pamposhtur

Më: 27 nëntor 2017 Në ora: 11:13
KHF Istogu

Istogu i ka dhënë fund serisë së fitoreve të Shqiponjës. Shqiponja e Gjakovës kishte tetë fitore rresht, ndërsa pësoi nga Istogu në derbin e javës së nëntë të Superligës së Kosovës në hendboll për femra. Ndeshja e luajtur në Klinë përfundoi me rezultatin 34:29 në të mirë të Istogut.
Istogu ishte në epërsi gjatë tërë ndeshjes, ndërsa epërsia shkoi deri në tetë gola. Shqiponja mbetet e para me 16 pikë sa i ka edhe Vushtrria në vendin e dytë. Istogu është i treti me 12 pikë nga tetë ndeshje.
Pritet garë në mes këtyre tri skuadrave për titull. Te Istogu vlerësojnë se fitorja e së dieles është tregues se skuadra është në rrugën e duhur drejt titullit të parë. Elma Kameri me 11 gola ishte më efikasja te Istogu. Kapitenja Albina Rugova i shënoi nëntë gola, ndërsa aloja Fatjona Rexhaj shtatë. U dallua edhe portierja Aurora Shehdadi. Te Shqiponja nga shtatë gola i shënuan Mana Ibrahimi, Xhevahire Bajrami e Shpresa Fazlija.
“Që nga minuta e parë jemi angazhuar dhe kemi udhëhequr deri në fund të ndeshjes. Jemi munduar t’i realizojmë detyrat që na ka dhënë trajneri, si në sulm ashtu edhe në mbrojtje. Mendoj që kemi qenë të kompletuara si ekip, kemi luajtur si ekip, ndërsa secila lojtare është munduar të jap maksimumin. Kjo na solli fitoren, që ishte synim i yni. Kemi ambicie që titullin ta dërgojmë në Istog. Pas fitores ky synim duket real”, ka thënë kapitenja Rugova.
Fitoren e parë në kampionat të dielen e realizoi Vëllaznimi që mposhti Dritën me rezultatin 26:24.
Në Superligën e hendbollistëve të dielen u luajt vetëm ndeshja mes Vushtrrisë e Zhegrës. Fitoi Zhegra me shifrat 28:24.

Femrat
Istogu – Shqiponja 34:29 (18:12)


Istogu: Pjeshiq, Bakiq, Rrahmani 1, Halitaj 1, V. Rexhaj, F. Rexhaj 7, Fejzaj 1, Rugova 9, Kameri 11, Krasniqi 4, Avdylaj, Shehdadi
Shqiponja: Haxhosaj, Ibrahimi 7, Bajrami 7, Berisha, Çekaj, Rudaku, Malaj 2, Goçi 6, Fazlija 7, Bajramaj

Vëllaznimi – Drita 26:24 (14:13)

Vëllaznimi: Cermjani, Bytyqi, Brovina 2, Radoniqi 9, Kursani 10, Zhubi, Lluka, Kastrati, Krasniqi
Drita: M. Kqiku, Ramabaja 8, Kransiqi 5, Vokshi 8, R. Kqiku, Rr. Kqiku 2, Rexhepi, Rudhani 1, Daku

Meshkujt
Vushtrria – Zhegra 24:28 (12:12)

Vushtrria: Pllana, Hyseni 1, Selaci, Jashari 5, A. Karaqa 3, A. Musa 6, F. Musa, Mejzini 4, Krasniqi, Gubetini 2, Meholli, Shabani, Mehmeti, Fejzullahu, Karaqa 3
Zhegra: A. Agushi, Idrizi 1, Q. Isufi 2, B. Agushi 2, Shaqiri 6, A. Isufi 11, Ag. Isufi, F. Isufi 3, E. Isufi 3.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat