Gjinovci e tha të vërtetën!

Hendboll

Gjinovci e tha të vërtetën!

Nga: Kemajl Goca Më: 28 nëntor 2017 Në ora: 15:22
Izet Gjinovci

Debate

Jemi në një kohë tjetër, në kohën kur hendbolli ka avancuar në shumicën e shteteve! Kosova ka stagnuar me hendboll dhe është në pikën më kritike të saj. Cilësia është rrafsh me tokë, shikueshmëria ka ikur, saqë në shumë raste as baballarët nuk shkojnë ti shikojnë djemtë e vajzat e tyre, sepse mungojnë derbit e mëdhenj. Besa FamGas nga Peja, kampion në fuqi, ka kohë që ankohet se nuk ka rival në elitën e hendbollit (meshkujt). Mungesa e rivalitetit i kushton pejanëve shumë, sepse lere që iu mungon shikueshmëria, por shkaku i saj bien edhe në cilësi! Izet Gjinovci, sekretar i përgjithshëm i Federatës së Hendbollit të Kosovës, në një debat televiziv, e tha të vërtetën: “Të gjithë lojtarët që shkojnë të luajnë jashtë, luajnë në ligat amatore”. Është një fakt i pakontestueshëm, sepse të gjithë luajnë në rangje të ulëta dhe asnjë nuk e kemi në nivelin më të lartë.  

E para, asnjë hendbollist nuk e kanë prodhuar ekipet që mund t’i kemi për tregun e jashtëm apo ta shesim në Bundesliga I ose në një ligë të fuqishme, si në Francë apo gjetiu. Plot 18 vjet kaluan, hendbolli në vend që të rritet në masivitet, në cilësi, ndodhë e kundërta. Gjinovci e tha të vërtetën sa i përket lojtareve tanë, që nga Superliga jonë shkuan gjetiu, por thjeshtë në ligat amatore. Fakti tjetër interesant ka qenë trajneri i Trepçës, Taib Kabashi, kur e mori shembull Besa FamGas, që ka tre lojtarë të huaj. Kabashi si gjithmonë e thotë: Hiqja tre lojtarë të huaj Besës dhe ajo barazohet me Trepçën, Dritën, Kastriotin, Prishtinën etj. Në fakt, do të ishte mirë edhe Trepça, edhe Kastrioti, edhe Drita, edhe Prishtina, edhe Vëllaznimi që të përforcohen me lojtarë të huaj, por që kanë cilësi.  Sepse mos të harrojmë edhe Vushtrrinë, e cila dikur ka qenë një kockë e fortë për të gjithë sidomos shembull për shikueshmëri. Mos të merrem pse ky klub i ka tre lojtarë të huaj e unë jo.

Nëse Besa FamGas i ka tre lojtarë të huaj, atëherë kush e ndalon Kabashin që të përforcohet me 4!  Por e mira e të mirës është që të punohet me të rinjtë, të sjellim lojtarë të mirë nga jashtë dhe të përzgjedhim trajnerët që i kemi brenda për brenda vendit tonë. Disa ekipe në të kaluarën por edhe sot angazhojnë trajner nga jashtë pa asnjë vlerë! Çfarë na duhen trajnerë nga Maqedonia, kur asnjëri deri me sot nuk ka lënë gjurmë apo nuk ka ndonjë plan, kur i kemi ekspertët tanë! A na duhen trajnerë vetëm sa për reklamë apo që nuk sjellin diçka?  Prandaj, është e dhimbshme si sport me traditë, që nuk kemi sot edhe asnjëherë pasluftës ndonjë lojtarë për të shitur në tregun e jashtëm, aty ku paguhen.

Kështu që, Gjinovci u bëri me dije gjithë atyre që pretendojnë diçka, asgjë nuk kanë bërë dhe më në fund ua tha troç: Lojtarët luajnë në ligat amatore!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat