Sllovenia fiton bindshëm

Hendboll

Sllovenia fiton bindshëm

Më: 18 janar 2018 Në ora: 10:49
Pamje nga ndeshja

Sllovenia është përfaqësuesja e fundit që ka siguruar kalimin në raundin e dytë të kampionatit evropian të hendbollit që po mbahet në Kroaci. Të mërkurën mbrëma në Zagreb, Sllovenia e mposhti bindshëm Malin e Zi për të siguruar vend në grupin II të raundit kryesor të evropianit. Sllovenia u kualifikua si e treta në grupin C, ndërsa ndeshja me Malin e Zi ishte vendimtare. Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 14:13 për sllovenët, që në pjesën e dytë falë mbrojtjes së fortë dhe aksioneve efikase në sulm ia dolën të rrisin epërsinë. Në fund rezultati ishte 28:19 për Slloveninë. Mali i Zi mbeti pa pikë dhe u eliminua. Përballja e vlefshme për vend të parë në grupin C të fazës preliminare mes Maqedonisë dhe Gjermanisë përfundoi baras, 25:25. Ky rezultat i konvenoi Maqedonisë që siguroi vendin e parë në grup. Maqedonia në tri ndeshje mblodhi pesë pikë, Gjermania katër ndërsa Sllovenia tri.

Të mërkurën janë luajtur ndeshjet e fundit edhe në grupin D të fazës preliminare. Në fazën e dytë nga ky grup kanë kaluar Spanja, Danimarka e Çekia. Të tri përfaqësueset kanë mbledhur nga katër pikë. Prej këtij grupi u eliminua Hungaria, që mbeti pa pikë.

Hungaria e humbi ndeshjen vendimtare nga Çekia me rezultat 33:27. Ndërsa derbi mes Spanjës e Danimarkës u fitua nga danezët me 25:22.

Kështu në grupin II të raundit kryesor do të garojnë Maqedonia, Spanja, Danimarka, Gjermania, Çekia e Sllovenia. Maqedonia fillon fazën e dytë me tri pikë, Spanja, Danimarka, Gjermania e Çekia me nga dy, ndërsa Sllovenia me një pikë.

Të enjten luhen ndeshjet e para në grupin I të raundit kryesor (Main Round). Në këtë grup bëjnë pjesë Suedia, Franca, Kroacia, Norvegjia, Bjellorusia e Serbia. Nga ora18:15 takohen Serbia me Norvegjinë, ndërsa nga ora 20:30 luajnë Kroacia e Bjellorusia.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat