Fitore të rëndësishme për Kroacinë e Norvegjinë

Hendboll

Fitore të rëndësishme për Kroacinë e Norvegjinë

Më: 19 janar 2018 Në ora: 11:33
Pamje nga ndeshja

Kroacia e Norvegjia kanë shënuar fitore të rëndësishme të enjten mbrëma në ndeshjet e para të fazës së dytë grupore të kampionatit evropian që po mbahet në Kroaci. Në kuadër të grupit të parë të raundit kryesor, Kroacia e mposhti Bjellorusinë me rezultat 25:23, kurse Norvegjia e mposhti Serbinë me rezultat 32:27. Të dy ndeshjet janë luajtur në Zagreb. Norvegjia është ngritur në pozitën e parë me katër pikë, sa i kanë edhe Suedia, Franca e Kroacia. Bjellorusia e Serbia mbeten pa pikë. Suedia e Franca kanë nga një ndeshje më pak.
Luka Stepançiq e Marko Mamiq shënuan nga pesë gola për Kroacinë, derisa te Bjellorusia më efikasi ishte Andrei Yurynok me gjashtë gola. Kroatët fitoren e siguruan vetëm në minutën e fundit të ndeshjes dramatike. Bjellorusia pati aksionin për të barazuar rezultatin, por nuk ia doli të thejë mbrojtjen e fortë kroate, ndërsa në sekondën e fundit Marko Kopljar shënoi për rezultatin përfundimtar.
Te Norvegjia më efikasët ishin Kristian Bjornsen e Sander Sagosen me nga tetë gola, derisa për Serbinë nga pesë herë shënuan Bojan Beljanski e Zharko Sheshum.
Më 20 janar janë ndeshjet e radhës në këtë grup. Suedia takohet me Francën kurse Kroacia me Norvegjinë.
Të premten luhen takimet e para në grupin e dytë të fazës kryesore. Gjermania përballet me Çekinë nga ora 18:15 kurse nga ora 20:30 luajnë Sllovenia e Danimarka. Grupi i dytë ndeshjet i luan në Varazhdin, kurse i pari në Zagreb.
Serbia tashmë është jashtë garës për kalim në gjysmëfinale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat