Hendbolli luan për Pavarësi

Hendboll

Hendbolli luan për Pavarësi

Më: 16 shkurt 2018 Në ora: 17:18
Pamje nga një ndeshje

Në ditën kur shënohet dhjetëvjetori i shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, nis stinori pranveror në Superligën e Kosovës në hendboll (meshkujt). Të shtunën (nesër) më 17 shkurt luhen tri ndeshjet e para të javës së 15-të, që është e para për pranverë, të kampionatit të Kosovës në hendboll.

Kampionati vazhdon me derbin lokal mes Zhegrës e Dritës, që nis në ora 17:30. Kjo ndeshje luhet në palestrën në Gjilan.

Zhegra është e gjashta me 13 pikë nga 14 ndeshje, kurse Drita renditet e treta me 20 pikë.

Në Ferizaj nga ora 19:00 luhet ndeshja e rivalëve të vjetër, Kastriotit e Trepçës. Skuadra ferizajase ka bërë një riorganizim së fundi dhe ka kthyer disa lojtarë. Ndërkohë Trepçës në drejtim të Prishtinës i është larguar Lindrit Fetahu. Kastrioti është i katërti me 15 pikë nga 14 ndeshje kurse Trepça renditet e pesta me 13 pikë nga 14 ndeshje.

Në ndeshjen e tretë të së shtunës takohen kampionia dhe liderja, Besa FamGas me Llapin e vendit të fundit. Besa ka fituar të gjitha 14 ndeshjet e deritashme dhe prinë me 28 pikë. Llapi në 14 ndeshje ka mbledhur vetëm dy pikë. Kjo ndeshje luhet në Pejë nga ora 17:00.

Të dielen takohen Vushtrria e Prishtina. Kjo ndeshje luhet në Vushtrri nga ora 17:00. Prishtina renditet e dyta me 26 pikë kurse Vushtrria është e shtata me 11 pikë.

Takimi në mes të Samadrexhës dhe Vëllaznimit zhvillohet të enjten e ardhshme nga ora 20:00.

Para ndeshjeve të seniorëve luhen takimet e kadetëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat