Zherka: Përparësi është se luajmë në fushën tonë kundër Besës

Hendboll

Zherka: Përparësi është se luajmë në fushën tonë kundër Besës

Nga: Kemajl Goca Më: 23 shkurt 2018 Në ora: 18:59
Verim Zherka

Dy skuadrat më të forta në elitën e hendbollit (meshkujt), Prishtina-Besa FamGas nga Peja, do t’i masin forcat mes vete, në kuadër të javës së 16-të. Ballafaqimi i rivalëve të vjetër pritet me kureshtje nga dashamirët e këtij sporti dhe njëherësh është kryendeshja e kampionatit. Besa FamGas, kampion në fuqi, është në krye me 30 pikë apo në 15 ndeshje ka po aq fitore, dy më shumë se Prishtina që ka 14 fitore e një humbje. Nesër në orën 19.00 në Qendrën e Rinisë dhe të Sportit në Prishtinë, pritet një lojë e fortë. Prishtina synon t’i shkaktojë humbjen e parë Besës, kjo e fundit është e bindur në fitore. 

Verim Zherka, kryetrajner i Prishtinës, tha se është ndeshje e vështirë. “Lirisht mund them prej fillimit jemi përgatitur për këtë ndeshje, pra që nga sfida e parë e pranverës me Vushtrrinë, e cila ka qenë si parapërgatitje për ne. Sa i përket Besës, jemi të vetëdijshëm sa është e fortë dhe është ekip e kompletuar, po ashtu dominues në katër vitet e fundit si dhe i dimë kualitetet, tiparet pozitive dhe armën kryesore të tyre. Këtë javë jemi përgatitur, kemi analizuar lojën e Besës dhe atë të fundit kur ishim takuar. Për ne është derbi, ndërsa përparësi është se luajmë në fushën tonë.

E di që lojtarët kanë me dhënë maksimumin, ndërsa në kësi lloji ndeshje vendosin detajet. Në këto ndeshje varet secila skuadër e luan mbrojtjen më mirë edhe e fiton atë, po ashtu varet edhe nga angazhimi i portierëve dhe si e kanë ditën e tyre. Kemi potencial dhe me përforcimin me Lindrit Fetahun posaçërisht është rritur shpejtësia e lojës, ku është arma kryesore”, tha Zherka për gazetën kombëtare “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat