Arifi: Vajzat janë tepër të sjellshme

Hendboll

Arifi: Vajzat janë tepër të sjellshme

Më: 16 mars 2018 Në ora: 11:16
Kosova

Hendbollistet e kombëtares A dhe asaj U-20 po vazhdojnë punën në Prishtinë për t’u përgatitur sa më mirë për ndeshjet që i presin. Me vajzat tashmë është bashkuar Albana Arifi, lojtarja që ka arritur suksese të mëdha me grupmoshat e reja të Suedisë dhe që muajin e kaluar vendosi të paraqitet për Kosovën në të ardhmen. 21-vjeçarja vlerësohet përforcim i madh për Kosovën A para ndeshjeve me Bjellorusinë. Kosova e pret B jellorusinë më 21 mars, kurse dy përfaqësueset takohen edhe më 25 mars në Minsk, në kuadër të fazës së dytë kualifikuese për kampionat evropian.

“Është kënaqësi e madhe që jam në Kosovë me vajzat tjera. Nuk kanë ardhur ende të gjitha, por do të na bashkohen në ditët në vijim”, ka thënë Albana Arifi pasi ka zhvilluar stërvitjet e para me Kosovën. Ajo ka  treguar se përgatitjet po shkojnë shumë mirë.

“Për momentin më tepër jemi të fokusuara të njohim njëra-tjetrën edhe në fushë. Jemi të koncentruara më tepër në lojën në mbrojtje, pasi mbrojtja është pjesë shumë e rëndësishme. Vajzat janë tepër të sjellshme dhe të mira dhe më kan pranuar tepër mirë. Trajnerët janë shumë të mirë dhe kemi komunikim të mirë. Jam shumë e kënaqur me mënyrën si më kanë pranuar”.

Albana së bashku me lojtaret tjera dhe trajnerët, të mërkurën mbrëma ishin në ceremoninë e shpalljes së më të mirëve të vitit 2017 nga Komiteti Olimpik i Kosovës. Përfaqësuesja në hendboll është shpallur përfaqësuesja më e mirë e vitit 2017 në Kosovë, për femra.

“Është kënaqësi e madhe të marrim një çmim dhe është konfirmim se ia vlenë të luash hendboll dhe të investohet në hendboll. Ka talentë, por me më shumë mund dhe punë do të zhvillohet shumë më tepër se tani. Është shumë e rëndësishme që të ketë përkrahje”, ka deklaruar Albana Arifi. Ajo ende nuk e di nëse do të mund të luajë në dy ndeshjet ndaj Bjellorusisë.

“Ende nuk është e qartë se a do të luaj pasi që ende është duke ndodhur procesi i kalimit nga përfaqësuesja e Suedisë te ajo e Kosovës. Sipas rregullave periudha kalimtare është 3 vite kurse ndeshjen e fundit me Suedinë e kam luajtur në vitin 2016. Por shpresoj në një zgjidhje pozitive. Me rëndësi që ndeshjen ta luajmë sipas planit”, ka thënë hendbollistja e Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat