Në Pejë luhet derbi i madh elitës së hendbollit

Hendboll

Në Pejë luhet derbi i madh elitës së hendbollit

Më: 16 mars 2018 Në ora: 18:13
Ilustrim

Derbi i radhës mes skuadrave Besa FamGas ePrishtina luhet në palestrën “Karagaçi” në Pejë. Kampionia aktuale Besa e pret Prishtinën të shtunën (nesër) prej orës 19:00 në kryendeshjen e javës së 20-të kampionale, përkatësisht të javës së dytë të Superligës A. Besa e Prishtina i kanë nga 36 pikë dhe prijnë në tabelën e Superligës A.

Të dy skuadrat i kanë nga 18 fitore e një humbje, ndërsa humbjet ia kanë shkaktuar njëra-tjetrës, duke fituar si vendas. Pritet garë e fortë për titull të kampionit në mes këtyre dy ekipeve.

Në kuadër të javës së parë të Superligës A, Besa fitoi thellë ndaj Vëllaznimit, kurse Prishtina ndaj Zhegrës. Në Superligën A gjashtë skuadrat më të mira pas pjesës së rregullt (18 xhirove) luftojnë për inkuadrim në plejof. Në Superligën A luhen edhe 10 xhiro tjera.

Dy ndeshjet tjera të Superligës A luhen të dielen. Nga ora 17:00, në Gjakovë takohen Vëllaznimi e Drita, kurse gjysmë ore më vonë në Gjilan, Zhegra e pret Kastriotin.

Të shtunën (nesër) nis gara edhe në Superligën B, ku katër skuadrat e fundit në tabelë pas pjesës së rregullt, luftojnë për të mbetur në elitë. Pra në kuadër të javës së 19-të kampionale, në Superligën B, Trepça e pret Llapin, kurse Vushtrria e pret Samadrexhën. Ndeshja në Mitrovicë luhet të shtunën nga ora 15:00 kurse ajo në Vushtrri të dielen nga ora 17:00.

Në fundjavë luhet edhe java e nëntë në Ligën e Parë të meshkujve. Të shtunën nga ora 19:00 është ndeshja mes Drenicës e KEK-ut, kurse të dielen janë dy ndeshje: Deçani – Ulpiana (15:00), Dukagjini – Lepenci (13:00).

Garat vazhdojnë edhe në Ligën e Parë të femrave. CLICK – Deçani është ndeshja e javës së dhjetë që luhet të shtunën nga ora 17:00. Luhen edhe pesë ndeshjet e javës së 11-të. Të shtunën është ndeshja Prizreni – KEK-u, që nis në ora 18:30. Të dielen janë ndeshjet tjera: Jusuf Gërvalla – Ulpiana (13:00), Dukagjini – CLICK (14:30), Deçani – Trepça (15:00), Vjosa – Llapusha (17:00).

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat