Shala tregon se kush dha urdhër që mos të hapet palestra për Istogun

Hendboll

Shala tregon se kush dha urdhër që mos të hapet palestra për Istogun

Nga: Kemajl Goca Më: 11 prill 2018 Në ora: 13:49
KHF Istogu

Istogu ende nuk e ka marrë veten nga humbja me rezultat 25:24 nga Shqiponja e Gjakovës, në ndeshjen e parë të Superligës A, e cila u zhvillua në palestrën e sportit në Klinë. Trajneri i Istogut, Faruk Shala, ka gjetur arsyen e kësaj humbje nga rivalja kryesore për titull. “Përkundër faktit që KHF Istogu kishte paguar palestrën në Klinë për të zhvilluar ndeshjet, KHF Istogu-KHF Shqiponja, drejtori i drejtoratit të sportit në Klinë kishte dhënë urdhër që palestra në Klinë mos të hapet për KHF Istogu.

Ndonëse ishte paraparë të zhvillohej derbi i Superligës së Kosovës në mes të Istogut dhe Shqiponjës dhe interesimi ishte i madh nga tërë Kosova për të përcjellë këtë ndeshje, si pasoj e kësaj u deshtë intervenimi i organeve më të larta shtetërore që kjo qe palestër të hapet dhe kjo ndeshje të zhvillohet”, tregon për gazetën kombëtare “Bota sot”, Shala. Më tutje tha se fatmirësisht palestra u hap. “Si do që të jetë palestra u hap me një orë e gjysme vonesë, kjo ndikoj drejtpërdrejt që Istogu ta humbë ndeshjen me një gol diferencë dhe KHF Istogu u dënua me 100 euro për mos organizim në kohen e duhur të ndeshjes”, tha Shala. Istogu ende nuk ka palestër të saj dhe si rrjedhojë e kësaj është  po e paguan çmimin që të luajë jashtë qytetit të saj.

“Pengu i palestrës po e dëmton jashtë mase skuadrën më të mirë për momentin në Kosovë”, shpreh brengën ai.  Sidoqoftë trajneri Shala shpreson që institucionet më të larta shtetërore dhe komunale në Istog të reflektojnë dhe të ndikojnë në përfundimin e palestrës në Istog. “Skuadra Istogut e ka numri më të madh të reprezentuesve te Kosova në hendboll, të cilat stërvitin në ambiente të papërshtatshme. Sigurisht rasti i fundit tregon që edhe zhvillimin e ndeshjeve e kanë jo të sigurt siç tregon rasti i fundit, kur drejtori i drejtoratit të sportit në Klinë për arsye banale nuk lejonte që Istogu të zhvilloj derbin e Superligës së Kosovës, kundër KHF Shqiponjës në palestrën ‘Adem Jashari’ në Klinë”, tha Shala. 

Ai e pranon se fitorja e Shqiponjës ka qenë e pastër si loti. “Shqiponja është angazhuar shumë, edhe referimi ka qenë korrekt, por Istogu. nuk ishte në gjendjen te mirë psikologjike pas gjithë atij konfrontimit që ka pas me drejtorin e drejtoratit për sport”, thotë Shala. Ndërkaq, komunikimin me drejtorin e drejtoratit të sportit, ishte i pamundur, për shkak të mos qasjes në telefon.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat