Dramë në finale, Istogu fitues i Kupës së Kosovës

Hendboll

Dramë në finale, Istogu fitues i Kupës së Kosovës

Nga: Kemajl Goca Më: 6 maj 2018 Në ora: 19:49
Festa nga Istogu

Istogu fiton Kupën e Kosovës në hendboll (femrat). Ky është trofeu i parë në historinë e këtij klubit, ndërsa Kastrioti nga Ferizaj ka qenë i pafat. Istogu shënoi fitore me rezultat 20:19 (11:9)  ndaj Kastriotit, në ndeshjen finale të Kupës së Kosovës në hendboll (femrat),  që u luajt në palestrën e sportit ‘Karagaçi’ në Pejë.

Mbi 500 shikues ishin dëshmitarë të një loje shumë të fortë dhe vazhdimisht e ngushtë në rezultat.   Duhet theksuar se pas përfundimit të pjesës së parë, ekipet u desh të pushojnë një orë për shkak se shikuesit hodhën mjete piroteknike dhe derisa u largua tymi nuk nisi sfida. Istogu tregoi lojë të mirë sikurse edhe ferizajaset, por vashat e Istogut kishin më shumë fat dhe ferizajaset e penalizuan veten për faktin se huqen disa shtatëshe. Në çastet e fundit, 13 sekonda pa përfunduar takimi, Lirije Muhaxheri shkaktoi penallti dhe u ndëshkua me karton të kuq, kurse Elma Kameri nuk gaboi nga shtatëmetërshi dhe i siguroi fitoren me rezultat 20:19, si dhe Istogut trofeun e parë.

Suzana Ujkaj me 4 gola, Elma Kameri, Alberina Halitaj, Arlinda Krasniqi shënuan nga tri gola etj, të cilat kontribuan në fitoren e madhe të Istogut. Pa dyshim se në periudhën e parë të lojës, ferizajaset ishin në epërsie me dy gola (11:9) pikërisht në minutën e 30-të. Por në pjesën e dytë, Istogu përmbysi epërsinë e Kastriotit. Lojtaret e Kastriotit edhe nga papërvoja bënë një seri gabimesh dhe kjo iu kushtoi. Në minutën e 42-të u barazua rezultati 13:13, duke vazhduar drama deri në fund,  Në minutën e 48-të, Istogu në epërsi me 15:14, edhe me 17:15 (50’), pastaj ishin në epërsi me dy gola (19:17) në dy minutat e fundit, por ferizajaset e barazuan rezultatin 19:19.

Sekondat e fundit të ankthshme dhe një shtatëshe e panevojshme që shkaktoi Lirije Muhaxheri, e cila i dha mundësi skuadrëls së Istogut që të triumfoi me rezultat 20:19. Trajneri i Istogut, Faruk Shala, është i lumtur,  për faktin se i sjellin trofeun e parë qytetit të tyre, ndërsa te Kastrioti zhgënjim i madh, por me lojën të shkëlqyeshme befasuan të gjithë. Pak kush kishte pritur se Kastrioti do të jetë aq i fortë në duel me ekipin e Istogun shumë më të mirë. Vashat ferizajase luajtën me zemër dhe për pak sa bënë senzacion, kurse te Istogu është festë e madhe e me plot meritë fituan Kupën e Republikës së Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat