Kosova para sprovës me Holandën

Hendboll

Kosova para sprovës me Holandën

Nga: Kemajl Goca Më: 31 maj 2018 Në ora: 18:09
Agron Shabani

Kombëtarja e Kosovës ka sprovën e radhës shumë të vështirë, me Holandën, rivale pothuajse me nivel të Hungarisë. Hendbollistet e Kosovës shpresojnë në një paraqitje të denjë në Almere (me 2 qershor, në orën 15.00) ndaj holandezeve, në ndeshjen e xhiros së fundit (6-të) të grupit 7-të të kualifikimeve për Kampionatin Evropian.  Përzgjedhësi Agron Shabani mbajti edhe stërvitjen e fundit para nisjes në Holandë, por sipas tij do të kenë mungesë edhe Shkurte Mehmetin përveç Leonora Demajt, Xhevahire Bajramajt e Elma Kamerin, megjithatë, do t’ju bashkohet Sara Rexhepi.

“Do të luajmë me një superfuqi botërore dhe është ndeshje shumë e vështirë. Kemi mungesë edhe një lojtare, si Shkurte Mehmeti, që nuk udhëton me ne, për shkaqe objektive. Megjithatë, ne shkojmë me një qëllim që me prezantuar veten sa më mirë. Nuk është në plan rezultati, por kryesore është ekipi me qenë sa më kompakt, me dhanë maksimumin si grup dhe me luajt sa më mirë. Sara Rexhepi na bashkohet në Holandë, e cila ka munguar shkaku i shkollimit në takim me Hungarinë”, tha për gazetën kombëtare “Bota sot”, Shabani.

Në pesë ndeshje po aq humbje Kosova, megjithatë ka marrë një përvojë të mirë në garat kualifikuese. “Do të mundohemi që të bëjmë një rezistencë më të madhe ndaj Holandës, sado kudo të pësojmë me pak gola se herën e kaluar. Respekti shumë i madh i vashave tona për rivalen, siç është Hungaria e Holanda po ndikon, kështu që derisa po lirohen, po na kushton. E patë edhe në pjesën e parë me Hungarinë shënuan vetëm tri gola dhe në pjesën e dytë u liruan, i dhanë 12 gola. Me Holandën prej minutës së parë do të luajnë pa frikë, pa ngarkesë, pa stres, pavarësisht rezultatit do të luajmë lojën tonë”, tha ai. Kosova në Prishtinë kishte humbë me rezultat 40:12 nga Holanda.

  Shabani tha se Kosova ka brumë: “Ka brumë, si është fjala me Adriana Merditaj nga Gjermania që dëshmoj lojë të mirë, por janë edhe 6-7 lojtare që mund t’i bashkohen Kosovës. Ka interes të madh nga prindërit që t’i bien vashat e tyre në kombëtare, shumica mu kanë paraqitur vetë. Kjo paraqitja me Hungarinë do t’i tërheq edhe lojtaret të tjera. Kemi mjaft brumë për më bërë ekip, eksperienca po fitohet dhe me një punë me intensitet do të kemi ekip shumë të mirë. Megjithatë, ka qenë një përvojë e mirë ndaj çdo kundërshtarit. Jemi në rrugë të mirë dhe secila hendbolliste e ka pa veten ku jemi. Nuk domethënë se edhe ekipet tjera janë ekstra, por janë me profesionale e ne jemi amatorë”, theksoi Shabani, që kërkon Liga e Kosovës të jetë më e fortë.

“Duhet të punohet më shumë në ligën e Kosovës, janë dy a tri ekipe konkurrencë, por shpresoj të ardhmen të punojnë më shumë. Kemi nevojë që ekipet të angazhohen më shumë dhe të furnizohem sa më shumë edhe me lojtare të ligës së Kosovës”, thotë Shabani. Ndeshjen e fundit (me 19 maj) Kosova në Ferizaj e humbje me 37:15 nga Hungaria.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat