Zherka me shumë oferta, largohet nga Prishtina!?

Hendboll

Zherka me shumë oferta, largohet nga Prishtina!?

Nga: Kemajl Goca Më: 3 qershor 2018 Në ora: 14:03
Verim Zherka

Misioni i Verim Zherkës përfundoi me sukses në klubin e hendbollit Prishtina (meshkujt)! Zherka kishte arritur me Prishtinën në finalen e madhe të Kupës së Kosovës në hendboll dhe fati sportiv ia ktheu shpinën, duke humbë me 31:29 nga Besa FamGas, kurse në anën tjetër janë nënkampion!

Prishtina nuk tregoi formën e pritur në finalen e play-of-it, për shkak se pati disa lojtarë të lënduar dhe humbin me 2:0 në seri të fitoreve nga Besa. Megjithatë, ka qenë një edicion për merak për Prishtinën, për faktin se e mbajti në presion Besën deri në javën e fundit. Kryeqytetasit janë të vetmit që i shkaktuan humbje Besës, e cila kishte më shumë se 3 vite që nuk njihte disfatë në kampionat.

Prishtina shënoi 25 fitore e 3 humbje në pjesën e rregullt të kampionatit apo tuboi 50 pikë, 4 me pak se Besa me 27 fitore e 1 humbje. Zherka dëshmoi klasin e tij si trajner, por tani është vërshuar nga një numër ofertash të klubeve të ndryshme dhe po largohet nga Prishtina. Siç merret vesh Zherka është në negociata me disa nga klubet, por nuk jep detaje. Çfarë thotë Zherka për cilësinë dhe sipas tij, çka i mungon hendbollit tonë.

“Bota sot”: Si e pa edicionin e sapo përfunduar, me rritje niveli?

Verim Zherka: Po, të them të drejtën këtë edicion të sapo përfunduar nga këndi im më duket se ishte pak më interesant se nga edicioni i kaluar. Ne si KH Prishtina u munduam të bëjmë pak me interesant rrjedhën e Kampionatit dhe asaj të Kupës së Kosovës, duke qenë konkurrent i denjë me kampionin e shumëfishtë Besa FamGas. Sa i përket nivelit dhe cilësisë, fatkeqësisht nuk mund të jemi të kënaqur edhe këtë edicion të kampionatit, nuk ka pasur ndonjë ngritje të theksuar

“Bota sot”: Çfarë i mungojë hendbollit në përgjithësi?

Verim Zherka: Hendbollit tonë i mungojnë shumë gjëra. Një është e vërtetë që shumë larg jemi nga hendbolli Europian, por edhe asaj regjional, arsyet i dimë të gjithë pse jemi larg, financat, nuk ka investime të mjaftueshme nëpër klube, normalisht kur mungojnë financat atëherë asgjë nuk funksionon si duhet. Atëherë nuk mund të presim të ketë ndonjë ngritje të nivelit dhe të cilësisë së hendbollit nëse nuk ka investime. Për të ngritur nivelin dhe kualitetin e ligës tonë atëherë doemos do të duhet që shumica e klubeve të ketë minimumin nga tri përforcime nga jashtë, duhet të investohet edhe në kuadrin e trajnerëve për të ngritur cilësinë e stërvitjeve nëpër klube. Por për të realizuar këto duhet që klubet të organizohen sa më seriozisht dhe të përmirësojnë gjendjen e tyre financiare.

“Bota sot”: Prishtina në finalen e Kupës e pafat, kurse në finalen e play-off-it si shkoi mirë. A ishte maksimumi?

Verim Zherka: Po ishim finaliste të dy kupave, Kupës së Kosovës dhe në finalet e Play-Off-it dhe qe fatkeqësisht nuk arritëm të stolisemi si fitues me njërën nga këto të dyja kupa. Lirisht mund të them që nuk kishim fat sportiv në fazën përmbyllëse të kampionatit (Play-Off-it dhe Finale të Kupës së Kosovës), ishin lëndimet ato që na penguan për të arritur deri të këto tituj apo të njëra nga këto. Dëshiroj të theksoj se, që nga ajo fitore që patëm ndaj Besa FamGas në Prishtinë neve nuk na shkoj si duhet (lëndohet në fund të kësaj ndeshje portieri ynë Arbër Berisha, gjë që neve si ekip na la të hendikepuar shumë) dhe pastaj vazhduan lëndimet të tjera njëpasnjëshme (Vlersoni, Liridoni, Melosi, Kastrati) dhe këto lëndime ndikuan direkt në ngritjen e përformancës së lojës tonë, por pati edhe ndikim negativ në aspektin psikologjik. Por prapëseprapë ne si ekip jemi të kënaqur me suksesin e arritur.

“Bota sot”: Flitet se keni oferta të shumta, po largohet Zherka nga Prishtina?

Verim Zherka: Po, është e vërtet se kam oferta nga shumë klube tona, unë me KH Prishtinën kam pasur marrëveshje deri në fund të kampionatit dhe kemi pasur një bashkëpunim fenomenal si me lojtarët ashtu edhe me kryesinë në veçanti me kryetarin Edi Kolgeci. Dhe shfrytëzoj rastin t’i falënderohem të gjithëve për këtë bashkëpunim që e patëm. Dëshiroj të theksoj që unë do të jem i hapur për bashkëpunim me të gjithë ata që janë të interesuar të bashkëpunojnë me mua. Por është normale edhe te ofrimi i kushteve, klubi i cili mi ofron kushtet më të mira normalisht që do të jem pjesë e atij klubi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat