Muqolli: Do të ia dalim me gjeorgjianët - Bota Sot
Muqolli: Do të ia dalim me gjeorgjianët

Hendboll

E martë, 21 gusht 2018

Muqolli: Do të ia dalim me gjeorgjianët

Nga: Kemajl Goca Më: 10 gusht 2018 Në ora: 17:32
Muqolli: Do të ia dalim me gjeorgjianët

Kanë mbetur me pak se një muaj kur kampioni i Kosovës, Besa FamGas nga Peja, do të përballet me B.S.B. Batumi nga Gjeorgjia, në kuadër të rrethit të parë të kualifikimeve për Kupën Evropiane (EHF) në hendboll (meshkujt).  Të dy ndeshjet (me marrëveshje të klubeve) do të luhen (me 8 -9 shtator) në palestrën e sportit “Karagaçi” në Pejë.  Pejanët përgatiten me intensitet të shtuar nën drejtimin e kryetrajnerit Arben Muqolli. Stërvitjet mbahen dy herë në ditë, ndërsa kampioni nuk i ka në radhët e veta dy lojtarë të huaj, si Goran Biljakën dhe Tarik Mediç. 

“Përgatitjet po shkojnë mirë, është java e tretë që po përgatitemi për ndeshjen kundër gjeorgjianëve (Batumi). Ekipi është komplet përveç që janë larguar Mediç dhe Biljaka, por jemi përforcuar me portierin ferizajas Kadri Murseli. Më shumë jemi të orientuar me lojtarë vendorë. Me gjeorgjianët besoj se do të ia dalim në rrethin e parë, ndërsa në rrethin tjetër na pret nënkampioni i Norvegjisë, Drammen HK”, thotë Muqolli për gazetën kombëtare “Bota sot”. Cilat janë arsyet që nuk janë Biljaka dhe Mediç?  “Për arsye se me shumë po punojmë me vendorë.

Kurrgjë nuk kemi prurë me atë investim në lojtarët e huaj. E keni pa edhe liga siç është dhe kemi vendosur me lojtarë vendorë të luftojmë për titull së bashku me Kastriotin e Ferizajt. Ne momentalisht nuk mendojmë të përforcohemi, kemi potencial të mirë, mund ta marrim vendin e parë edhe me këta lojtarë. Me këto ekipe të Kosovës jemi prapë për vend të parë, ndërsa siç dihet afati kalimtar është i hapur për lojtarët e huaj dhe nëse ndonjë ekip e Kosovës përforcohet me lojtarë të huaj, do të jetë problem për ne. Mendoj se nuk do të ketë ndryshim liga me vitin e kaluar.

Një Kastriot u përforcua dhe ka marrë lojtarët kryesorë të Prishtinës. Sipas lojtarëve, Prishtina veç e ka ndërruar emrin dhe u bë Kastriot sepse katër lojtarë kryesorë të saj janë pjesë e ferizajasve”, tha ai. Muqolli nuk e sheh Prishtinën në luftë për titull: “Prishtina nuk do të jetë rival për titull, ka pasur ekip kualitative vitin e kaluar, por me largimin e katër lojtarëve kryesorë, ata nuk do të jenë kandidatë, veç nëse marrin ndonjë përforcim nga jashtë.

Sa i përket ligës, pres e njëjta me qenë si vitin e kaluar. Ne nuk jemi aq të forte si vitin e kaluar, por jemi prapë konkurrent kryesorë për vend të parë, jo me lojtarë të huaj siç kemi qenë vitin e kaluar”. Besa disa ditë do të shkojë në Strugë. “Javën e ardhshme do të shkojmë në Strugë dhe do t’i zhvillojmë disa ndeshje kontrolluese, mandej në Mal të Z dhe në fillim të shtatorit marrin pjesë në turneun e Vushtrrisë. Këto do të mjaftojnë që ta shohim formën e secilit lojtar”, tha Muqolli.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test