Kurrë më shumë kryetrajnere femra në Superligën e Kosovës!

Hendboll

Kurrë më shumë kryetrajnere femra në Superligën e Kosovës!

Nga: Kemajl Goca Më: 21 shtator 2018 Në ora: 17:32
Ilustrim

Hendbolli ia ka kaluar volejbollit! Hendbolli ka lënë pas futbollin, basketbollin e volejbollin, sa i përket numrit që ka të kryetrajnereve femra në Superligën e Kosovës. Deri pak muajsh volejbolli mburrej që ka kryetrajnere më shumë, por tani këtë primat e ka hendbolli. Për herë të parë në historinë e hendbollit tonë, të sportit me traditë, shënohet numri më i madh i kryetrajnereve në Superligë (femrat).

Ky është një lajm pozitiv edhe për vet sportin e Kosovës në përgjithësi.  Një shenjë e mirë që femrave po i jepet më shumë pushtet dhe nuk lihen anash si para shumë viteve, kur rrallë e për mall kishim një kryetrajnere femër, sepse meshkujt kishin pothuajse tërësisht pushtetin. Tani gjërat kanë ndryshuar dhe klubet po investojnë edhe te kryetrajneret femrat, duke parë një siguri të madhe në punën e tyre.

Edhe Federata e Hendbollit e Kosovës mburret që ka më shumë kryetrajnere femra dhe pretendon të rritet ky numër në të ardhmen.  Klubi i hendbollit Prishtina (femrat), ka kryetrajnere Zijavere Salihu – Loshi, ish hendbolliste në vitet e 70-ta e 80-ta! Ajo përvojën e saj po e bart të gjeneratat e reja dhe ndihet e lumtur që sot ka shumë ish hendbolliste në zejen e kryetrajneres. “Çdo ekip e femrave është mirë me pasur kryetrajnere dhe është e domosdoshme, sepse ndryshe kur ke një trajnere të femrave.

Shumica e trajnerëve femrave hasi në vështirësi  për shkak të obligimeve familjare, megjithatë ia dalin edhe me aktivitetet e hendbollit.  Por është kënaqësi e madhe kur ke sa më shumë trajnere dhe është mirë mu kyq sa më shumë në çdo disiplinë sportive, me dhënë kontributin në aspektin e sportit. Prishtina është shembull për të gjithë sepse ka edhe trajneren e portiereve siç është Valbona Rudaku”, tha për gazetën kombëtare “Bota sot”, Salihu-Loshi. 

Image

Zijavere Salihu-Loshi

Vlora Jashari është kryetrajnere e Kastriotit të Ferizajt (femrat) dhe pretendon të ndërtojë një lojë sa më bukur. Ish hendbollistja e Kastriotit, Vicianeve, Dritës dhe e kombëtares së Kosovës, tha se përvojën që kanë mësuar nga trajnerët e ndryshëm po e bartin të gjeneratat e tanishme. “Shpresojmë se edicioni i ri do të jetë me rivalitet më të madh sa i përket skuadrave që synojnë kreun e tabelës. Shihet se ka disa lëvizje nëpër disa ekipe dhe kjo është pozitive për sportin me traditë. Kastrioti ka një ekip të mirë, shumica janë lojtare të reja e me perspektiv, por janë edhe disa me përvojë, që do të jemi ekip mjaft e denjë në Superligë. Synimi ynë është të ndërtojmë lojë sa më të bukur për shikuesin dhe të jemi sa më lartë në renditje”, tha Jashari.

Sa i përket asaj se janë katër kryetrajnere në Superligë, për herë të parë në historinë e hendbolli femëror në vendin tonë, Jashari shprehet se është një lajm shumë i mirë dhe gjinia e bukur gradualisht po e merr pozitën e merituar dhe po çmohet. “Është një lajm i mirë dhe që duhet përshëndetur.

Image

Vlora Jashari

Është e veçantë sepse pothuajse gjysma e skuadrave të elitës përbëhen nga kryetrajneret femra, kjo dëshmon se po i jepet hapësirë gjinisë së bukur por edhe po e dëshmojnë se e meritojnë të udhëheqin me ekipe. Kjo duhet të merret shembull edhe nga sportet tjera sepse edhe të gjinia jonë ka shumë trajnere të mira, që me kalimin e kohës do të shquhen me rezultate e suksese. Shembullin e Kastriotit, Prishtinës, Samadrexhës e Vjosës, duhet të përcillet edhe nga klubet tjera dhe sportet tjera.

Me thënë të drejtën, lojtaret do të mësojnë shumë gjëra duke u bazuar në eksperiencën tonë të bollshme që e kemi pas si lojtare, se kem kaluar nëpër duar të shumë trajnerëve kulminant e që kanë pas rezultate, të paktën ato njohuri ti përcjellim tani ne gjeneratat e radhës. Komuniteti ynë e ka kuptuar se investimi në trajneret femrat është një investim që mund të sjellë përveç masivitetit, cilësisë edhe rezultate”, shprehet Jashari, e cila ende e kujton edhe sfidën e saj si lojtare në garat evropiane kundër Bayer Leverkusenit. Fatmire Ferati është kryetrajnere e Vjosës së Shtimes (femrat). 

Image

Fatmire Ferati

Ferati ka qenë prej lojtareve më të mira që ka pasur vendi ynë pas luftës dhe reprezentuese e Kosovës. Ajo punon me përkushtim të madh dhe me bindje se do të arrijnë rezultate të mira në elitë. “Vjosa një klub me traditë në lojën e hendbollit, një klub që solli shume suksese në qytetin e Shtimes, një klub më shumë kulturë dhe disiplinë sportive, falë angazhimit dhe punës të palodhshme të trajnerëve, Haki Baftiu (tashmë i ndjerë), Hysni Qerimi, Avni Duraku, punëtorëve sportivë dhe njerëzve të vullnetit të mirë arriti të jetë klub me suksese të larta dhe të jetë shembull për shumë klube tjera, që nga themelimi në vitin 1968 e deri në vitin 2007/2008 ,ku kaluan shumë gjenerata.

Pas një periudhë të gjatë arritëm të rikthejmë prapë klubin, fillimisht duke startuar me shkollë të hendbollit me iniciativën timen si ish hendbolliste dhe drejtoreshë në DKRS në vitin 2014, të Avni Duraku, Arsim Imerit dhe Astrit Feratit, ku pas një viti u rithemelua si klub dhe për një periudhe prej 3 vite arritëm të hymë në Superligë, krejt kjo fale punës së palodhshme të këtyre njerëzve e posaçërisht të Arsim Imerit i cili asnjëherë nuk u lodh duke punuar me këto vajza te reja, por duke mos harruar asnjëherë përkrahjen me mjete financiare të komunës dhe njerëzve sportdashës. Tani KHF Vjosa në superligën e Kosovës, një klub i ri po shumë premtues për hendbollin e Kosovës, besoj që me punë dhe vullnet do të arrijmë rezultate të kënaqshme duke ditë kapacitetin e lojtarëve të cilat në radhë të parë janë shumë të reja por hyrja në Superligë do ju jep kurajo dhe forcë për të arritur suksese, sepse vet konkurrenca të bënë të fortë”, thotë Ferati.

Ajo është krenare që sot në hendbollin tonë ka sa më shumë kryetrajnere femra. “Sa i përket trajnerëve femra, me vjen mirë që janë të angazhuara diku katër femra në klubet e hendbollit, që ju ka dhënë hapësirë që ato të kontribuojnë në hendboll, kur dihet që në historinë e hendbollit asnjëherë nuk ka qenë një numër i tillë i trajnerëve femra. Përparësia tjetër është që këto trajnerë janë ish hendbolliste të suksesshme me një bagazh goxha të mirë të hendbollit dhe në klubet e femrave është shumë pozitive kur trajnerët janë femra sepse afërsia e lojtareve është me e shprehur dhe mundësia e suksesit është më e madhe”, përfundoi Ferati.

Image

Fatmire Basholli

Ndërkaq, Fatmire Basholli është kryetrajnere e Samadrexhës (femrat) dhe ndryshe ka qenë ish hendbolliste, por kontakti me të ka qenë i pamundur!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat