Si u përçanë suljotët më 1822 dhe kujtimet e politikanit grek

Historia

Si u përçanë suljotët më 1822 dhe kujtimet e politikanit grek

Më: 21 shtator 2016 Në ora: 08:16
ilustrim

Një historiani grek të ditëve tona, do t’i mjaftonte të lex onte veçse një libër historik apo më mirë një dëshmi historike të Konstantin Metaksa, një figurë e luftës për pavarësinë e Greqisë, për të shpërndarë atë mjegull të kaq kohëshme mbi historinë gati dy shekullore të origjinës së suljotëve dhe së pari të Marko Boçarit: ishte shqiptar apo grek? Çfarë ishin suljotët? Konstantin Metaksa, një personalitet i asaj kohe dhe përfaqësues i qeverisë provizore greke i dërguar në Misolongj, kishte takuar atje Marko Boçarin dhe kishte qëndruar disa kohë, kur forcat suljote ishin të përçara, në një kohë që Misiolongji rrezikonte të rrethohej dhe të rrënohej, çka do të ndodhte pak vite më vonë.

Ishte viti 1822-1823 dhe Metaksa përshkruan grindjet e mëdha midis partizanëve të Marko Boçarit, atyre të Xhavellës si dhe të mbështetësve të arvanitasit Teodor Grivas. Emri i Marko Boçarit atë kohë ishte bërë legjendar dhe madje pikërisht ato ditë lord Bajroni kishte kërkuar ta takonte. Marko tashmë ishte komandant i Përgjithshëm, por kjo kishte krijuar përçarje mes suljotëve. Por ajo që është e rëndësishme në librin dëshmi të Konstantin Metaksa, “Kujtime lufte për Pavarësinë e Greqisë”, të cilën ia përktheu dhe botoi në frëngjisht, në Paris, miku i tij francez Jules Brancard, nën titullin “Souvenirs de la guerre de l’Independance de la Grèce”, ishte konstatimi historik i tij për Boçarin si shqiptar.

KONSTANTIN METAKSA & KUJTIMET PËR MARKO BOÇARIN 
Ja çfarë ka shkruar ndër të tjera ai: “Të nesërmen e bisedës me Boçarin në Misolongj, Marko thirri gjithë kapitenët, oficerët dhe ushtarët suljotë në hyrjen e një shtëpie të madhe turke, duke u folur atyre në gjuhën e tyre shqipe dhe u mbajti një fjalim patriotik dhe shumë entuziast. Ja një pjesë e fjalimit të tij: “Zemra po më plas kur shoh që bashkëpatriotët e mi më dyshojnë padrejtësisht dhe më largohen sikur unë dua t’i komandoj të gjithë. Përçarjet tona do të sjellin shkatërrimin e suljotëve dhe pikërisht këtë duan dhe armiqtë tanë. Ne e humbën atdheun tonë dhe duam të ndërtojmë një tjetër jetë, por duke qenë të përçarë ne s’do mund ta realizojmë këtë. Ne duhet ta ruajmë famën tonë ushtarake, por a mund ta ruajmë atë duke qenë të përçarë?

Ne jemi të pakët në numër, por për shkak të famës që kemi, shumë të huaj po bashkohen me ne dhe lavdia e betejave tona na përket veçse neve. Kur të jemi të bashkuar ne do të krijojmë një trupë të vetme ushtarake: do të jemi suljotë! Ndërsa të përçarë ne do të detyrohemi të bashkohemi me të tjerë dhe emri suljot do të shuhet, duke qenë pastaj ndjekës të Iskos, Rhangos, e të tjerëve. Ne duhet të kujtohemi për atë që i detyrohemi tokës sonë dhe që mbajmë emrin e Sulit, emër që do ta ruajmë veç po të jemi të bashkuar. Ne mbajmë emrin e etërve tanë të vjetër që kanë luftuar gjithnjë kundër tiranëve për lirinë e tyre: unë emrin e Boçarëve, ti, emrin e Xhavellave, ti tjetri atë të Zervës, të Fotomarës, të Danglis, dhe, nëse jemi të përçarë dhe të shkruar në radhët e Plaputos, Kolokotroni, Iskos e të tjerë, nuk do arrijmë asgjë…

Vëllezër, ne kemi detyrime ndaj vetvetes, ndaj nderit tonë, ndaj familjeve tona, ndaj famës ushtarake. Ç’dobi mund të kemi me përçarjet tona? Pra, pikësëpari duhet vëllazërimi, besa mes nesh, çka është mënyra e vetme përmes të cilës ne mund të nderojmë atdheun tonë dhe të na bëjë njëkohësisht të dobishëm për lirinë e Greqisë. Bashkëpatriotët e mi! Unë nuk i kam kërkuar grada qeverisë dhe as jam emëruar kryekomandant, e megjithatë ju të gjithë, ashtu si dhe unë kjo gjë u është akorduar, pasi edhe ju e meritoni ashtu atdsi dhe unë. Pra, për të provuar se unë nuk kam ndjenja egoizmi e ambicie, dhe se jam po ai Marko që ju e keni parë në luftë krah jush, unë po e gris para të gjithëve këtë diplomë të gjeneralit dhe ju betohem se nuk dua asnjë ofiq tjetër veç atë të të parëve të mi, çka e keni edhe ju. Ne jemi vëllezër dhe e kemi një gjë të përbashkët: Lavdinë dhe Nderin! Ja armiku që na pret! Ai është në fushën e betejës dhe ne duhet ta nderojmë veten me trimërinë tonë”. Duke folur kështu, Marko e grisi diplomën e gjeneralit.

Fjalimi dhe akti i tij i bëri të tjerët të ngrijnë, duke iu mbushur sytë me lot. Të gjithë u ngritën menjëherë dhe përqafuan njëri-tjetrin. Dhe duke marrë Xhavellën me vete, si dhe kapitenët e tjerë suljotë, Marko erdhi tek unë. Në sytë e mia kisha lotë gëzimi!…” Më tej, Metaksa shkruan: “Kampi osman përbëhej nga turq dhe shqiptarë të Shkodrës, nga mirditasit dhe çamët. Gjuha, veshja dhe armët e tyre nuk ndryshonin fare nga ato të suljotëve. Marko Boçari dërgoi drejt kampit turk Nuçi Boçarin që të informoheshin për pozicionet e tyre. Dhe turqit nuk e kuptuan atë. Ai qëndroi mes tyre në datën 6 dhe 7 gusht. Kur e pyesnin, herë u thoshte se ishte thjeshtë shqiptar e herë se ishte çam. Në datën 8 gusht erdhi tek Marko dhe i tregoi për pozicionet e tyre. Marko më tha se do të sulmonte në datën 9 që pa u gdhirë… Ishte e pabesueshme kur pashë Vasil Gudhën, sekretarin e Markos, që erdhi dhe më dha lajmin e vrasjes së tij…”

FUNERALI 
Konstantin Metaksa përshkruan, gjithashtu, funeralin e Markos si dhe çastin kur Vasil Gudha kishte sjellë trupin e Markos, të cilin ai e kishte marrë në krahë. E motra e Markos, Maro, që ishte e martuar atje me një nga Agrafa, kërkoi që trupin e Markos ta vendosnin në shtëpinë e saj, që t’i bëheshin ritet e Sulit dhe më pas të çohej në kishën e madhe të qytetit për përshpirtjen e rastit. “Ne jemi mësuar me vdekje të tilla të mëdha, i kishte thënë Maro, sepse sapo kemi ardhur në këtë botë ne kemi dëgjuar nga etërit dhe vëllezërit tanë veç për luftëra dhe vdekje. Sa keq! Ky ishte dhe fati i të mjerit Marko! – dhe ajo ishte shembur me lot mbi trupin e tij. Metaksa kishte dhënë urdhër të qëllonin topat me 37 të shtëna, një për çdo vit të jetës së heroit suljot… Vdekja e Markos kishte prekur gjithë Greqinë dhe tronditi Europën humaniste që priste çlirimin e Greqisë. Siç del nga teksti i këtij libri, pra nga dëshmia e një personaliteti të Greqisë së re të asaj kohe, është se në fjalimin e tij, Marko fliste për atdheun e tij dhe se lufta e tyre do të kontribuonte njëkohësisht dhe për lirinë e Greqisë.

Vallë, këto dëshmi a janë shkruar në tekstet e historisë që përdoren sot në shkollat dhe universitetet greke? Diçka të tillë ende nuk e kemi parë. Por sidoqoftë, siç mund të pikasim nga historia e kësaj periudhe, historia suljote, por dhe ajo e arvanitasve të instaluar prej shekujsh në Greqi, është një histori që duhet të na bashkojë me grekët e sotëm si partnerë të një historie të re në rrjedhat e proceseve integruese europiane dhe të një ardhmërie të përbashkët. Piketat e reja të kësaj miqësie e bashkëpunimi duhen ngritur pikërisht në këto akte të lavdishme historike dhe jo në faktet e hakmarrjes dhe betejave shfarosëse, që mjerisht kanë ekzistuar. Vetëm shembujt e mirë mund t’i shërbejnë kauzës së përbashkët të dy popujve dhe të frymëzojnë gjeneratat që vijnë!/Balkanweb

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat