Zhdukja e shoqes së Nexhmijes, letra për Enverin: Vajzën ma vranë pa gjyq

Historia

Zhdukja e shoqes së Nexhmijes, letra për Enverin: Vajzën ma vranë pa gjyq

Më: 25 shtator 2016 Në ora: 09:28
Enveri me Nexhmien

Nadire Tafani, nëna e Hatlijes, vajzës së zhdukur pa lënë gjurmë, në maj të vitit ’45, ka bërë të pamundurën të mësojë të vërtetën për vajzën e saj. Në ditët dhe javët e para post ngjarjes, ka trokitur në zyrat e të njohurve të saj, të cilët kishin marrë poste të rëndësishme në regjimin e vendosur pas luftës. Pa u përmendur çfarë kishte bërë për ta, kur i ndiqte këmba-këmbës okupatori, u ka kërkuar t’i thonë diçka për fatin e së bijës, që kishte luftuar në krahë të tyre.

E zhgënjyer nga sjellja memece e mysafirëve të netëve ilegale, më në fund ka vendosur t’i drejtohet kreut të Partisë për të mësuar sadopak mbi arsyet e kryqëzimit të Hatlijes, që kishte qenë sakaq njëra nga mikeshat e bashkëshortes së tij në vitet e luftës.

Letra e Nadire Tafanit për Enver Hoxhën është nga ato dokumente autentike të rralla, ku shprehet qartazi metamorfoza e njerëzve të thjeshtë që i besuan verbërisht lidershipit komunist dhe u shpërblyen prej tij me pabesi nga më të padëgjuarat.

“Unë dhe time bijë, Hatlija, i shkruan Nadirja kreut të regjimit, sakrifikuam çdo gjë ato ditë të vështira në interes të luftës dhe drejtuesve të saj komunistë, por nuk na shkonte në mendje se prej tyre do të tradhtoheshim kaq haptazi”. Ndaj ndihej dyfish e lënduar dhe “me një plagë të pashëruar në zemër” nëna e ilegalëve dhe partizanëve të plagosur, siç i thoshin atëherë shokët dhe shoqet e Hatlijes, që më vonë i kthyen shpinën. Fakti që tragjedia e së bijës kishte ardhur nga këta të fundit, në rrethana misterioze, e bënte më dramatike historinë e saj. “Çdo gjë u bë në heshtje të madhe, shprehet Nadirja për liderin e Partisë, s’më sqaroi kush pse e arrestuan, pse e torturuan, pse e gjymtuan dhe e vranë pa gjyq Hatlijen time”.

Pak a shumë me të njëjtën përmbajtje i është drejtuar me një letër tjetër nëna e vajzës së zhdukur pa gjurmë, në maj të vitit ’45, Liri Belishovës, asokohe sekretare e Komitetit Qendror të Partisë. Në rastin e kësaj të fundit, Nadirja s’harron të kujtojë se Belishova, sikundër Nexhmije Hoxha dhe Fiqrete Shehu, e kanë njohur Hatlijen nga afër dhe s’beson se ato mund të dyshojnë në besnikërinë e saj.
“Prandaj ejani ju lutem e më shikoni, e përfundon letrën për Belishovën ajo, sepse jam e dëshpërueme, sepse dua me pa në shpinë time dhe një herë njerëzit që i bëmë shok e miq në zjarrin e luftës për liri”. Dy letrat në fjalë, të cilat i sjellim sot të plota, kanë qenë përpjekjet e fundit të Nadire Tafanit për të mësuar të vërtetën e dramës së të bijës, por kanë rezultuar të kota.

LETRA PËR ENVERIN
I dashur shoku Enver! Po ju shkruaj këtë letër për të qarë një hall që më ka lënë në zemër një plagë të pashëruar. Quhem Nadire Tafani dhe banoj në Tiranë, në rrugën “Siri Kodra” (Lagjja “Vojo Kushi”, Nr. 71). Burri im ka qenë mësues përparimtar dhe është vrarë nga agjentët e Zogut në vitin 1923 në Vjenë. Kam rritur jetim dhe me një mijë mundime djalin Ramazan dhe vajzën Hatlije.

Në kohën e Luftës Nacionalçlirimtare qysh në fillim u hodha pa asnjë rezervë familjarisht në rrugën që tregoi Partia? shtëpinë time e bëra bazë ku janë strehuar dhjetëra shokë ilegalë dhe partizanë të plagosur. Unë vetë atyre u kam shërbyer dhe u kam lidhur plagët. Në shtëpinë time janë bërë mbledhje, konferenca, shfaqje teatrale ilegale, janë mbajtur armë, veshmbathje për partizanët etj. Djali dhe vajza ishin shumë aktivë: Ramazanin ma burgosën dhe më vonë e internuan në Porto Romano? vajzën gjithashtu ma burgosën? në fund të dy dolën partizanë.

Ramazani ishte anëtar partie, kurse Hatlija ishte kandidate partie. Çlirimin e Atdheut dhe vendosjen e pushtetit popullor i prita dhe i konsideroj si ngjarje të cilave u kushtova gjithë shpirtin tim. Por në vitin 1945 (nga mesi), më ngjau një fatkeqësi e tmerrshme: më arrestuan vajzën¬ Hatlijen. Sepse e arrestuan nuk di gjë. E mbanin të mbyllur atje ku tani është muzeu i luftës Nac.çl. Kur i shpija ushqimin, më kish thënë se e kishin rrahur shumë? një ditë më hodhi nga dritarja dhëmbët që i kishin shkulur ndërsa e rrihnin.

Një ditë mora vesh se e kishin çuar në spital se kishte dashur të mbyste veten duke pirë pluhur ndryshku? kur u nisa ta kërkoja, pashë se po e sillnin nga spitali? vajza u hodh nga karroca e nisi të qajë duke kërkuar ta dërgonin në shtëpi? unë e njoha nga zani se kokën ia kishin qethur dhe ishte prishur shumë në fytyrë. Më vonë e kërkova, por afro një javë s’më thanë se ku ishte? mora vesh se ishte hedhur nga kati i tretë i ndërtesës, e kishin çuar në spital ku i kishin prerë krahun e këmbën e thyme, kishte vdekur ashtu. Kështu mbaroi vajza ime Hatlije. Çdo gjë u bë në heshtje të madhe? kurrkush nuk më sqaroi pse u arrestua, pse e torturuan, pse e vranë, as nuk e gjykuan. Unë u bëna si e prishur nga mendtë? mezi e kisha rritur, ishte e varfër, për Partinë kishte luftue deri në fund. – Pse pra e vranë!? Kanë kaluar 13 vite, por plagën e kam të hapur. Djalin ma nxorën nga Partia pa i thanë asgjë.

Më duket se këto gjëna i ka bo Koçi Xoxe me shokë, po zaten vetëm ata mund t’i bëjshin këto gjana. Kurrë nuk ma merrte mendja se Partia mund të bëjë kësi gjënash, se Partia është e jona, e të varfërve dhe e jetimëve. Ndoshta do pyesësh pse e lashë kaq gjatë këtë punë me të shkrue. Por për mue nënën plakë e kërcune s’u kujdes njeri kaq kohë. Më lanë, më harrun, bile më kanë pa edhe si me dyshim djemtë dhe vajzat që në kohën e luftës u kam bërë hyzmet e u kam shpëtue kokën. S’ka gajle: Hallall të gjithëve hyzmeti im, sepse e kam bërë për veten time. Të lutem, pra shoku Enver, pyet për punën e vajzës timemegjithëse zemra ma thotë se ka qenë pa faj dhe më njofto sidoqoftë puna- kjo do më qetësojë. Më fal se po të fus në telashe, se ke shumë punë, por s’kam se ku e përplas kokën, veçse ke ti e te Partia. Për të vërtetu disa gjana nga ato që të thashë më lart, po ju dërgoj dhe disa deklarata. /panorama/

Të përqafoj si birin tim
Nadire Tafani
Tiranë, më 30/12/1959

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat