Çfarë ka ndodhur më 20 tetor?

Historia

Çfarë ka ndodhur më 20 tetor?

Më: 20 tetor 2016 Në ora: 08:22
Naim Frashëri

1781 – Monarkia austriake e Habsburgëve miraton të ashtuquajturën “Patenta e Tolerancës” e cila zgjeroi, por jo shumë, liritë fetare të të krishterëve jo-katolikë që jetonin në territorin e perandorisë, duke përfshirë luteranët, kalvinistët, dhe ortodoksët grekë. Sipas “Patentës së Tolerancës”, besimtarët tani lejoheshin ligjërisht për të ushtruar privatisht fenë e tyre, por në kisha klandestine.

1803 – Senati i Shteteve të Bashkuara ratifikon Blerjen e Luizianës, duke i paguar Francës rreth 234 milionë dollarë (me vlerën sotme të dollarit). Franca e kishte kontrolluar këtë zonë të gjerë nga viti 1699 deri më 1762, kur ia dha Spanjës, aleate e saj. Më 1800, nën Napoleon Bonapartin, Franca e mori përsëri territorin me shpresë për të krijuar një perandori në Amerikën e Veriut. Por revoltat në Haiti dhe një luftë e pashmangshme me Britaninë e detyruan Francën t’i braktisë këto plane dhe t’ia shesë të gjithë territorin Shteteve të Bashkuara, edhe pse qeveria amerikane kishte menduar fillimisht vetëm për të kërkuar blerjen e Nju Orleansin dhe tokave rreth tij.

1818 – Britania dhe Shtetet e Bashkuara nënshkruajnë konventën që përcaktoi vijën kufitare midis Kanadasë dhe Shteteve të Bashkuara. Dy vendet ranë gjithashtu dakord për zotërim të përbashkët të territorit të Oregonit për 10 vjet; dhe pastaj e vazhduan këtë zotërim edhe 10 vjet të tjera deri më 1838. Pas kësaj, çështja se kush e zotëronte Oregonin u bë gjithnjë e më e diskutueshme, sidomos kur filloi migrimi masiv amerikan në vitet 1840. Disa politikanë amerikanë filluan të kërkonin konfiskimin e Oregonit, dhe në vitin 1844, demokrati James K. Polk kandidoi me sukses për president me platformën “Oregonin ose luftë”. Por as presidenti Polk dhe as qeveria britanike nuk donin një luftë të tretë anglo-amerikane, dhe më 15 qershor 1846 i dhanë fund këtij problemi me kompromisin, që njihet në histori si Traktati i Oregonit.

1900 – “Vdiq Naimi, po ç’të gjeti,
O moj Shqipëri e mjerë!
Vdiq Naimi, po kush mbeti?
Si Naimi s’ka të tjerë.”

Me këto vargje, Çajupi qau kur mësoi se vdiq Naim Frashëri; gjithkush sikur humbi një pjesë nga vetja; dhe Poeti qante për gjithë. Pa Naimin si poet pak mund të thuhet se ndjenja e zgjimit kombëtar do të kishte arritur deri tek shqiptari më i thjeshtë – nga fshatari i robtuar deri tek “nizami” që luftonte pa ditur pse në dhera të huaj ndërsa vend për vete s’kishte. Por nuk ishte vetëm Naimi; ai ishte 1/3, sepse Vëllezërit Frashëri i ngjajnë trinisë, pa njërën prej të cilave njeriu a kombi nuk mund të qëndrojë në këmbë e as të jetojë – Abdyli luftëtar (Trupi); Samiu dijetar (Mendja); Naimi poet (Shpirti); së bashku ndihmuan a sollën rilindjen; u dhanë shqiptarëve kyçin për të rigjetur veten duke përdorur forcën, mendjen dhe ndjenjën – së bashku a në harmoni.

1947 – Komisioni mbi aktivitetin antiamerikan fillon hetimin rreth infiltrimit komunist në Hollivud, duke rezultuar në një listë të zezë që pengoi disa aktorë, regjisorë e skenaristë të njohur për të punuar në industrinë e filmit për vite me radhë.

1968 – Ish-zonja e parë Jacqueline Kennedy martohet me manjatin grek të anijeve Aristotle Onassis.

2011 – Lufta civile në Libi: Forcat rebele të Këshillit Kombëtar Kalimtar kapin diktatorin e rrëzuar libian Muammar Gaddafi në qytetin Sirte dhe e vrasin menjëherë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat