31 janar 1902: Thirrja e Juan Pedro Aladro Kastriotit ndaj patriotëve shqiptarë

Historia

31 janar 1902: Thirrja e Juan Pedro Aladro Kastriotit ndaj patriotëve shqiptarë

Nga: Aurenc Bebja Më: 6 dhjetor 2016 Në ora: 14:38
31 janar 1902: Thirrja e Juan Pedro Aladro Kastriotit ndaj patriotëve shqiptarë

Revista Pariziene « l’Echo des Jeunes », në numrin e saj të 238-të, të 1 tetorit 1903, përshkruan Juan Pedro Aladro Kastriotin (1845 - 1914) si një njeri me një zgjuarsi dhe një energji të jashtëzakonshme, fisnik dhe dijetar që fliste rrjedhshëm tetë apo nëntë gjuhë : frengjisht, spanjisht, gjermanisht, anglisht, italisht, holandisht, rumanisht, pa llogaritur dhe dy dialektet shqiptare. Revista shton se ai kishte një kujtesë fenomenale dhe një dituri mbresëlënëse.

Juan Pedro (lindur në Jerez të Spanjës) u arsimua në Universitetin e Seviljes ; Fillon karrierën si avokat, duke vijuar më pas (1867) si diplomat në ambasadën spanjolle në Vjenë, Paris, Hagë etj. Pas karrierës diplomatike, ai bëhet deputet dhe meqë mbreti i Spanjës, Alfonsi i XII-të, e vlerësonte atë, e dërgon si përfaqësuesin e tij në kurorëzimin e mbretit të Rumanisë.

Pas vdekjes së Alfonsit të XII-të, ai shkëputet nga karriera politike dhe shkon të jetojë në Paris. Në qetësinë e sheshit Lamartine, ku jetonte në mesin e librave të tij, Princi, i ndihmuar nga sekretarët e tij, mbante lidhje aktive me Shqipërinë dhe të gjithë ata që interesoheshin për fatin e këtij kombi të lashtë.

Sipas revistës, prejardhja e tij shqiptare shpjegohet nëpërmjet stërgjyshit të tij, i cili ishte martuar me princeshën Kastriota, trashgimtaren e patriotit të madh Skënderbe.

Ëndrra e Juan Pedros ishte « Shqipëria e lirë » dhe për këtë arsye u drejtohet asokohe patritotëve shqiptarë me këto fjalë :

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Image

 « Vëllezër Shqiptarë,

Emri Kastrioti, të cilin e mbaj lart dhe me nder, më ngarkon me detyrime të mëdha dhe të shenjta. Ky emër përmbledh të gjithë historinë e lavdisë shqiptare ; ky emër kujton gjithashtu pesë shkekuj zije (vajtimi).

Unë kuptoj se sa serioze janë këto detyrime para jush dhe botës së qytetëruar, por me ndihmën e Zotit dhe tuajën, unë marr përsipër gjithçka.

Shërbëtor i përulur i Shqipërisë, i lindur në një tokë të huaj si rezultat i peripecive që detyruan të mërgonin paraardhësin tim mbretëror, Gjon Kastriotin, djalin e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, nuk kam ditë e natë, pasion tjetër apo mendim tjetër vetëm se shpëtimin tuaj. Dhimbja juaj është e imja, aspirata juaj është i imja.

Diplomacia evropiane të mos frikësohet, vepra jonë është një vepër paqeje. Pretendimet tona nuk janë të padrejta, ne nuk kërkojmë pronën e të tjerëve, ne duam vetëm atë që kanë edhe popujt e tjerë në botë : një Atdhe.

Thirrja jonë është : Zoti qoftë me ne ! Emri i lavdishëm i Skënderbeut është flamuri ynë. Me këtë britmë dhe në hijen e këtij flamuri, të bashkohemi të gjithë, myslimanë, ortodoksë dhe katolikë ! Unë, shërbëtor i përulur i atdheut shqiptar, ju kërkoj të luftoj përkrah jush në luftërat e shenjta të çlirimit./http://www.darsiani.com/la-gazette/

O trima, o Shqiptarë. »

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat