Universiteti i Tetovës - dimensioni arsimor dhe politik i këtij projekti kombëtar

Historia

Universiteti i Tetovës - dimensioni arsimor dhe politik i këtij projekti kombëtar

Nga: Prof. dr. Abdulla Mehmeti Më: 19 dhjetor 2016 Në ora: 15:31
Universiteti i Tetovës

Për 22 vjet me radhë, historianët, shkencëtarët, studiuesit, hulumtuesit, analistët dhe gazetarët shqiptarë në Maqedoni, përfshirë edhe shumë pjesëmarrës të drejtpërdrejtë në ngjarjet e kohës, të cilat janë zhvilluar në lidhje me Universitetin e Tetovës dhe rreth tij, në asnjë rast nuk i kanë përmendur faktet: nga kush, kur, ku, pse dhe si erdhi deri te themelimi i Universitetit të Tetovës!

Me pak përjashtime, dy-tri studiues kanë filluar të reflektojnë gjatë dy viteve të fundit, pas publikimit të dokumenteve dhe dëshmive të pakontestueshme për këtë çështje, të shpalosura për herë të parë me rastin e 20 vjetorit të themelimit të këtij institucioni të parë të arsimit të lartë në gjuhën shqipe në Maqedoni, gjatë vitit 2013/2014. 

Ajo që më tepër bie në sy në lidhje me këtë çështje, disa kinse ,,personalitete” të rëndësishme, pjesëmarrës të drejtpërdrejtë në këto zhvillime, kanë shkruar versione të rrejshme, duke stisur ngjarje dhe personalitete që fare nuk kanë lidhje me këtë çështje dhe nuk e pasqyrojnë të vërtetën. Disa prej tyre, pa të drejtë e lidhin këtë çështje si ide e nxitur nga qarqet politike dhe intelektuale jashtë vendit, sidomos nga Prishtina, e projektuar nga një grup intelektualësh, ndonjë nga politikanët e kohës, ose mbështetur kinse në programet e partive politike të shqiptarëve në Maqedoni, të cilat e paskan përfshirë arsimin e lartë të shqiptarëve në programet e tyre, si dhe këtë çështje e paskan trajtuar edhe në forumet partiake, pa ofruar asnjë dëshmi të shkruar, asnjë dokument, ku së paku një herë përmendet fjala Universitet shqiptar, Universitet me mësim në gjuhën shqipe, ose  Universiteti i Tetovës.

Në lidhje me këtë temë, tanimë pjesë e historisë sonë më të re, nuk do të kishte nevojë të shkruaja sidomos unë si ideator i këtij projekti, sikur të kishte një fije të vërtete shkencore në lidhje me këtë çështje, nga studiuesit dhe historianët shqiptarë, si dhe analistët e gazetarët që e kanë trajtuar këtë temë.

Ajo që duhet të mos përsëritet edhe më tej është fakti se, themelimi i Universitetit të Tetovës nuk duhet të trajtohet si ,,iniciativë qytetare”, ,,iniciativë gjithëpopullore”, ,,iniciativë e intelektualëve të rangut universitar”, dhe aq më pak si projekt i realizuar përmes tri komunave, e Tetovës, Gostivarit dhe Dibrës, por si projekt i realizuar në mënyrë institucionale dhe legale nga Bashkësia Kulturore Shqiptare, me mbështetjen e tri komunave me shumicë shqiptare, subjekteve politike e jopolitike të shqiptarëve, si dhe të inteligjencies përparimtare dhe dashamirëve të tjerë të arsimit kombëtar.   

Përveç shkrimeve të dy gazetarëve pjesëmarrës në Kuvendin themelues të Universitetit të Tetovës, më 4 qershor 1994; të korrespodentit të gazetës ,,Rilindja”, Ismail Arsllani dhe korrespodentit të gazetës ,,Flaka”, gazetarit Enver Shala, të datës 4 qershor, përkatësisht 5 qershor, në asnjë shkrim të mëvonshëm kjo çështje nuk është trajtuar drejtë, duke u bërë pjesë e fushatës propaganduese, deklaratave tendencioze dhe të qëllimshme, me tendencë për fshehjen dhe falsifikimin e kësaj të vërtete edhe nga disa drejtues të asaj kohe të këtij Universiteti.

Një përgjigje më të saktë shpresojmë ta paraqesë monografia për Universitetin e Tetovës, e përgatitur nga një grup studiuesit të këtij institucioni, nën udhëheqjen e prof. dr. Nebi Dervishit, e cila pritet ta sheh së shpejti dritën e botimit. Shumë detaje të hollësishme tanimë janë shpalosur përmes një serie të shkrimeve të mia, të mbështetura në dokumente, fakte dhe dëshmi, që nga iniciativa për hapjen e këtij Universiteti, rrugëtimin e tij përmes sakrificash e përpjekjesh titanike, deri në ditët e sotme, kur po festojmë 22 vjetorin e fillimit të punës së Universitetit të Tetovës.  

Image

Kjo çështje është aktuale edhe sot, për shkak të tendencave për falsifikimin e ngjarjeve dhe personaliteteve, të së vërtetës historike, për themelimin dhe ngritjen e këtij Universiteti. Shtrohet pyetja, sa mund të jenë të besueshme edhe të ,,vërtetat” tjera që ia ofrojnë opinionit shqiptar këta tipa shkencëtarësh, studiuesish, analistësh dhe gazetarësh?! A thua, pse ndodh kjo? Të shpresojmë se nuk është pasojë e mendësisë komuniste që ka mbetur si recidiv i së kaluarës, kur gjithçka duhet t’i përshtatej mendësisë ideologjike të pushtetit, pa qoftë edhe në dëm të së vërtetës shkencore dhe të interesit kombëtar të shqiptarëve! Me këtë mendësi nuk mund të sigurojmë perspektivë të shëndoshë, as për zhvillimin e arsimit dhe të shkencës, e as për realizimin e aspiratave politike e kombëtare të shqiptarëve në Maqedoni.

Deklarata e Prof. dr. Fadil Sulejmanit për rëndësinë e Kuvendit themelues të Universitetit të Tetovës, gusht 1994:

"Iniciativa e hapjes së Universitetit me mësim në gjuhën shqipe në Maqedoni u konkretizua më 4 qershor, kur u mbajt Kuvendi për themelimin e Universitetit nga intelektualët shqiptarë të rangut universitar. Duke hyrë në lokalet e kësaj godine për të mbajtur këtë mbledhje, për herë të parë në historinë e shqiptarëve të Maqedonisë u hapën dyert e Universitetit shqiptar dhe kështu kemi marrë çelësat e fatit në duart tona, të historisë, të traditës e të gjuhës tonë.”

(Prof. dr. Fadil Sulejmani) 

Pjesë nga Komunikata e Kryesisë së Bashkësisë Kulturore Shqiptare, e datës 24 shkurt, e botuar në gazetën ,,Rilindja” dhe ,,Flaka”, 2 mars 1994:

,,Mendojmë se angazhimi për krijimin e filialeve në gjuhën shqipe, në kuadër të institucioneve arsimore, shkencore, artistike dhe informative maqedonase, të cilat nuk kanë as sot e gjithë ditën tendencë të përshtatjes me realitetin shumënacional, shumëkulturor dhe shumëgjuhësor në Maqedoni, mund të jetë shkurtpamësi me pasoja të ngufatjes së statusit të pakicës kombëtare për popullin shqiptar në Maqedoni.

Duke u nisur nga premisat reale për avancimin e pozitës (kushtetuese-juridike dhe politike) së shqiptarëve në Maqedoni, konsiderojmë se është e domosdoshme hapja e Universitetit Shqiptar në Maqedoni...

Konstatojmë se vetëm me themelimin dhe ngritjen e institucioneve tona kombëtare mund të avancohemi si komb shtetformues në Republikën e Maqedonisë. Në këtë drejtim, angazhimi për themelimin e Universitetit Shqiptar, me të gjitha institutet përcjellëse kulturore dhe shkencore, duhet të jetë detyrë e parë dhe më e rëndësishme me të cilën duhet të preokupohen subjektet politike dhe shoqërore të shqiptarëve.” 

(Prof. dr. Abdulla Mehmeti, 24 shkurt 1994) 

Le të më thonë tani se, cili nga studiuesit, historianët, analistët dhe gazetarët shqiptarë deri më sot e ka trajtuar dimensionin politik, jo vetëm arsimor dhe shkencor, të projektit kombëtar për avancimin e arsimit të lartë në gjuhën shqipe në Maqedoni, me hapjen e Universitetit të Tetovës, si i vetmi projekt kombëtar i suksesshëm pas pavarësimit të Republikës së Maqedonisë, si dhe krijimin e mundësisë për hapjen edhe të institucioneve të tjera të arsimit të lartë në gjuhën shqipe në Maqedoni?!

Le të më bindin tani udhëheqësit e derisotëm, studiuesit, historianët dhe gazetarët se, cilat janë institutet tjera përcjellëse, kulturore dhe shkencore, të këtij institucioni të arsimit të lartë me rëndësi të veçantë strategjike për shqiptarët në Maqedoni, të projektuara nga strategët e këtij projekti që para 23 vjetësh?!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat