Zbulohen “sekretet” e kryeministrave për presidentët pas viteve ‘90

Historia

Zbulohen “sekretet” e kryeministrave për presidentët pas viteve ‘90

Nga: Prof. Eroll Velija Më: 11 janar 2017 Në ora: 00:04
Prof. Eroll Velija

Nano për Meidanin dhe Moisiun, Fino për Berishën, Meksi për Berishën dhe Meidani e Moisiu për Nanon dhe Berishën. Në numrin e sotëm kemi shkëputur nga libri bisedat e tyre për marrëdhëniet e Presidentit me Kryeministrin. Nëpërmjet përgjigjeve do të kuptoni sesa delikate kanë qenë marrëdhëniet e pushtetit mes tyre.

Flasin kryeministrat Aleksandër Meksi, Fatos Nano dhe Bashkim Fino për raportet me presidentët Sali Berisha, Alfred Moisiu dhe Rexhep Meidani dhe anasjelltas. Pikante është dëshmia e ish-kryeministrit Nano dhe ish-presidentit Moisiu.

Në vitet 1992-1997 presidenti Berisha është kryetar i Partisë Demokratike dhe sigurisht njeriu më i pushtetshëm i vendit. Në këto kushte Kryeministri ishte numri dy. Ja bashkëpunimi midis tyre.

Aleksandër Meksi: Marrëdhëniet e mia me presidentin Berisha qenë normale. Sigurisht unë nuk i drejtohesha si gjithë të tjerët “Zoti president”, për shkak edhe të njohjes së mëparshme dhe për rrethana të tjera, në prezencë të njerëzve tanë unë i thosha me emër. Në Shqipëri flitet me emër. Kishte një gjë atëherë në ndryshim me sot, që po t’i thoshe “Jo” përgjithësisht tërhiqej ose ndiqte një mënyrë të tërthortë.

Sigurisht po t’i thuhej jo e argumentuar, për shembull ligjet perëndimore nuk e kanë këtë dhe kjo është në kundërshtim me demokracinë. Ashtu siç kishte edhe momente ku këmbëngulte, dhe gjithnjë sendet që bëhen me këmbëngulje të mbrapshtë dhe identifikim personal të çështjes nuk bien rezultate kurrë. Presidenti ishte në rolin real të kryetarit të Partisë Demokratike.

Grupi parlamentar dhe unë deshëm të ndërronim një pjesë të ministrave që mbroheshin nga Presidenti. Por në kryesinë e partisë votohej për të hequr ministrat dhe meqenëse pati rezistencë nga Presidenti u bë me votë, se nuk zgjidhej në mënyrë tjetër. Grupi parlamentar votoi ministrat, u hoqën pjesa dërrmuese e atyre që nuk i donte nga grupi parlamentar dhe u emëruan të tjerë. Ndërkohë grupi parlamentar nuk pranoi të hidhte për votë Kryeministrin. Nuk është se e shtroi Presidenti çështjen e Kryeministrit, dhe kjo duhet thënë, por ata thanë s’kemi punë me Kryeministrin.

Presidenti Berisha pranon kryeministrin socialist Fino në vitin 1997, por bën gjithçka që të minimizojë humbjen e Partisë Demokratike dhe humbjen e tij personale.

Bashkim Fino:

Natyrisht si Kryeministër për shumë gjëra kisha debate me Berishën. Por për mua Presidenti i asaj kohe ishte një njeri i cili e njihte shtetin. Më duhet të them që kam punuar me një njeri që ishte më i zoti nga unë në aspektin e eksperiencës së punës në pushtet. Unë kisha qenë katër vjet kryetar bashkie dhe erdha të drejtoj Kryeministrinë në një kohë që ai kishte 4-5 vjet President, e njihte shtetin shumë mirë, i njihte dispozitat kryesore, kishte informacion të bollshëm, sepse çdo gjë kalonte tek ai në atë kohë më shumë sesa tek Kryeministri.

Le të themi që në çdo debat që unë bëja me Presidentin isha inferior, i defavorizuar, në sensin që nuk e dija se ku do të dilte, nuk e dija se çfarë do të thoshte. Jam i bindur që ai çdo gjë e bënte të mirëorganizuar. Ai kërkonte të minimizonte sa të ishte e mundur humbjen e Partisë Demokratike dhe humbjen e tij personale mbas 1997-s, që ishte vërtet një tragjedi e paparë. Në këtë kuptim e luajti mirë rolin në sensin që të merrte aq sa mund të merrte dhe të mos humbiste pambarimisht pikë në publik, sidomos në zgjedhjet e 1997-ës. Kam përshtypjen që Berisha nuk kishte ndonjë iluzion se mund ta mbante ende pushtetin, edhe ai vetë e kishte të qartë, të kuptueshme që njerëzit nuk mund ta mbështesnin më. Problemi i tij ishte thjesht që humbja të ishte sa më minimale.

Këtë unë e kuptoja, jo se ai qe shprehur, por në gjithë veprimtarinë që ai mundohej të mbulonte me dorë të fortë. Në fillim Presidenti ishte në një gjendje shpirtërore shumë të keqe dhe me të drejtë. Shteti që ai kishte ngritur kur qe kryetar i shtetit ishte shkërmoqur, kishte rënë. Por duke kaluar muajt ai e rimori veten, u bë më i ashpër, më agresiv, jo ndaj meje si person, por në përgjithësi në procesin e punës së tij si President. Këtë agresivitet unë e interpretoj si një mundësi për të minimizuar sa më shumë rënien e Partisë Demokratike. Fakti që drejtoi vetë si President edhe fushatën elektorale të 1997-ës dhe doli gjithandej, përveçse në Vlorë, tregoi që pati kurajë. Ky është një vlerësim që unë po bëj për të. Luftoi që të minimizonte humbjen e Partisë Demokratike dhe jo se mendonte se do të mbante pushtetin.

Pas aprovimit të Kushtetutës së nëntorit 1998, prerogativat e Presidentit dhe të Kryeministrit janë të qarta, por çdo president ka stilin e tij. Përshkrimi sipas Fatos Nanos.

Fatos Nano:

...Meidani ishte një President që u karakterizua nga futja e një fryme të buonsensit akademik në marrëdhëniet midis institucioneve dhe që në një pjesë dominuese të

ushtrimit të mandatit të tij arriti ta mbrojë autoritetin dhe mandatin e Presidentit nga interferencat dhe ndikimet negative të konflikteve politike midis palëve. Jo në të gjithë kohën, sepse duke jetuar edhe Presidenti në një mjedis të politizuar dhe ballkanas si Shqipëria, edhe ai nuk mundi të ruajë Presidentin si institucion, jo veten,

se nuk është problemi të ruash veten, nga lobingje apo grupime transitore politike që reflektonin ndryshimet në qeveri apo në debatin politik midis palëve. Natyrisht nuk arriti dot të bëhet President i të gjitha palëve. Për shkak edhe se opozita e Berishës nuk e favorizonte këtë gjë. Presidenti Moisiu ishte produkt i një konsensusi mbi-partiak, i të gjitha palëve dhe paradoksalisht nuk funksionoi dot si i tillë. Jo më shumë për arsye politike, se sa për arsye të pamundësisë, ndoshta edhe të pamundësisë së tij personale, për të thithur dhe për të kthyer me vlerë të shtuar te performanca e tij, gjithë eksperiencën e politikës, e institucioneve të reja, të vetë Kushtetutës, apo të historisë politike të Shqipërisë në pluralizëm.

Në shumë raste Moisiu kishte koncepte personale për institucionet dhe jo vetëm për institucionin e tij. Për shembull, më kujtohet që kërkonte që Garda e Republikës të ishte nën kontrollin e Presidentit, si xhandarmëria në kohën e Zogut. Kjo lidhej me një eksperiencë apo njohuritë e tij politike nga e kaluara e babait apo e kohës kur ishte formuar. Gjithashtu, kërkonte të thërriste në raport dhe të mbante qëndrim ndaj ministrave, pavarësisht nga norma kushtetuese e detyrimit për të mbajtur raporte informimi reciprok me Presidentin për anëtarët e ekzekutivit përfshi edhe Kryeministrin. Gjë që në periudhën kur isha unë Kryeministër nuk çoi në konflikte për shkak të natyrës sime të njohur, pra edhe të anashkalimit të konflikteve me humor dhe me buonsens.

Madje, bashkëpunëtorët e mi të ngushtë në staf, kur Moisiu u shtronte kërkesa edhe jashtë sensit të axhendës së Kryeministrit, edhe jashtë sensit të rregullimit të gjërave nga pikëpamja kushtetuese, më, thoshin: Evitoje konfliktin dhe shko takoje, përfytyro në një moment sikur do shkosh të takosh babanë tënd. Gjë që jo gjithmonë përfundonte me të njëjtën ndjenjë kënaqësie që unë kisha kur takoja babanë tim. Jam i detyruar t’i them këto sepse në “Kujtimet...” që ka botuar Moisiu, kam frikë se shumë gjëra nga ato që kanë shkruar, as nuk i ka lexuar vetë ende. Sidomos në periudhën kur ai u detyrua të qeveriste me kryeministrin Berisha, hyri në konflikte me të, shumë marrëdhënie normale komunikimi dhe bashkëpunimi u ndërprenë dhe kjo e radikalizoi dhe e politizoi vetë Moisiun, gjë që e ka bërë t’i paraqesë në dritë të shtrembër mjaft nga zhvillimet. Pra, dhe ta quajë presidencën e tij si një anije që kushedi në ç’planet paska lëvizur, midis Nanos dhe Berishës, pra midis Shilës dhe Karibdës.

Tani jemi në presidencën Topi. Është ende herët ose më mirë kurrë nuk është vonë për t’u kristalizuar në një eksperiencë që do të na çonte në rekorde në krahasim me gjithë periudhat që kanë kaluar, por edhe në rekordet që imponon Kushtetuta për bashkëjetesën midis titullarëve të institucioneve. Por përsëri ka një klimë të çuditshme, edhe kur Presidenti del nga i njëjti kamp, përsëri konflikti i komunikimit me të vetët çalon, ashtu si kur del në mënyrë konsensuale nga të dyja kampet. Në qoftë se personi e politizon institucionin, komunikimi çalon dhe mungesa e komunikimit midis krerëve të institucioneve sjell probleme në funksionimin e vetë institucioneve. Tani me presidencën Topi vërehen shumë nga sëmundjet foshnjore të politikës, të funksionimit të institucioneve, që kanë karakterizuar zhvillimin e Shqipërisë në vitet e pluralizmit dhe nuk mund të them që jemi afër kapërcimit të tyre apo nuk mund të them dot akoma nëse sëmundjet kanë progreduar apo janë stagnante, janë inflamative ose jo. Por fakt është që situata institucionale dhe e marrëdhënieve midis titullarëve nuk është shumë e shëndetshme për zhvillimin e qëndrueshëm dhe dinamik të vendit në epokën e integrimit.

E parë nga pallati presidencial, ja sesi duket ndarja e pushtetit më 1997 e më pas më 2002.

Rexhep Mejdani:

Ndoshta, nisur dhe nga natyra ime, marrëdhëniet e mia kanë qenë krejtësisht normale me të tre kryeministrat socialistë: Nano, Majko dhe Meta, pavarësisht kohës dhe alternimit të tyre. Kjo edhe pse ato marrëdhënie kanë qenë vetëm institucionale, dhe aspak personale, qoftë me zotin Nano si Kryeministër, qoftë me zotin Majko, qoftë me zotin Meta. Kam mbështetur çdo veprim që lidhej me stabilitetin e shtetit dhe qeverisjen efektive. Natyrshëm, stilet nuk kanë qenë të njëjta, por kjo nuk pengonte ndërveprimin, aq më shumë përshtatjet e adaptimet, në sajë dhe të përvojës 30-vjeçare pedagogjike, në shërbim të efektivitetit qeverisës dhe jo “show”-eve, protagonizmave, “star”-llëkut mediatik e televiziv, që asnjëherë nuk më kanë bërë kurrfarë përshtypje. Por nuk përjashtohet që, një sjellje thjesht institucionale, të mund të jetë e interpretuar gabim nga media apo zona rrethuese pranë kryeministrave, zonë që jo vetëm atëherë por dhe në ditët e sotme “punon” me po aq zell për të sajuar konflikte, për të nxitur favorizime e marrje pozicionesh servile ...

Alfred Moisiu:

Kemi patur përplasje midis meje dhe kryeministrave. Fatos Nano ishte më i sofistikuar në përplasjen me mua, më cinik, por edhe më qytetar, ai punonte nën rrogoz për të krijuar probleme, ndërsa përballë ishte korrekt. Sali Berisha krejt e kundërta, donte t’i zgjidhte punët më shumë nëpër media, jo me kontakte direkte, nuk vinte kurrë të thoshte “Kemi këtë problem, si ta zgjidhim?”. Të marrim problemin e diplomatëve. Sipas Kushtetutës, propozimin e bën Kryeministri dhe i dekreton Presidenti, sepse diplomatët janë përfaqësues të shtetit dhe kryetari i shtetit është Presidenti nuk është Kryeministri.

Për të zgjedhur diplomatët, në radhë të parë unë kisha ligjin: Diplomatët duhet të jenë të karrierës, si ushtarakët. Nuk mund të marrësh një civil dhe ta bësh oficer, se ai nuk e bën dot atë punë. Karriera duhet të jetë e shkallëzuar. Edhe diplomati kështu është. Ligji parashikon gjithashtu 20% emërime politike, njerëz të marrë jashtë karrierës, por ama stafi duhet të jetë profesionist. Ndërsa ne i çojmë të gjithë partiakë, nga ambasadori te shoferi e gjithë të tjerët. Ambasadori duhet të jetë diplomat karriere. Sali Berisha donte të çonte militantët e Partisë Demokratike për të bërë punët e tij të partisë. Por shteti dhe partia janë dy gjëra të ndryshme. Ndodhte, pra, që unë nuk i dekretoja diplomatët.

Sali Berisha nuk vinte për të diskutuar propozimet që ai kishte. Unë vërtet mund të mos isha dakord për arsye të caktuara, por bisedohet dhe gjendet zgjidhja, bien dakord palët. Duke mos i bërë këto biseda, kur shkëmbehen vetëm letra, kthehej në kontradikta dhe konflikte të panevojshme, për mendimin tim. Një tjetër nga divergjencat për gati një vit ishte çështja e Prokurorit të Përgjithshëm. Prokurori ishte i propozuar prej Sali Berishës, kishte qenë këshilltari tij juridik për gjashtë vjet, i propozuar për deputet po nga vetë ai. Sigurisht, edhe unë kisha rezervat e mia, por nuk zgjidhen këto gjëra nëpërmjet debatit mediatik. Kryeministri nuk ka të drejtë të flasë në media kundër Prokurorit të Përgjithshëm. Përsëri kryeministri Berisha nuk erdhi siç duhet të vijë te Presidenti që të gjendej një zgjidhje e përshtatshme, adekuate thonë këta politikanët tanë, që i përdorin fjalët e huaja gjoja për të treguar “nivelin” e tyre kulturor, për të “zbukuruar” leksikun e tyre ose për të krijuar një presion artificial mbi auditorin. E përshtatshme, them unë shqip, që ta kuptojnë të gjithë. Përplasja për ShIK-un erdhi sepse Sali Berisha donte ta përfshinte në Ministrinë e Brendshme, në mënyrë që ta kishte vetë nën kontroll. Tendenca e Sali Berishës është të ketë gjithë pushtetin në dorën e tij. Edhe Fatos Nano e kishte, por jo kaq të zhvilluar, qe më i frenuar. Sali Berisha është më i shfrenuar për t’ia arritur.

Të njëjtën gjë po bëjnë me Bamir Topin, të cilin e zgjodhi vetë, duke e patur nënkryetar të PD dhe prapë kërkon ta izolojë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat