Gëzuar ditëlindjen Martin Luther King

Historia

Gëzuar ditëlindjen Martin Luther King

Frank Shkreli Nga Frank Shkreli Më 16 janar 2017 Në ora: 20:50
Martin Luther King

 Në Shtetet e Bashkuara, e hëna e tretë e Janarit është festë federale në kujtim të Martin Luther King-ut, priftit protestan dhe aktivistit të të drejtave civile të gjysëm shekullit të kaluar. 15 Janari i këtij viti shënon 88-vjetorin e lindjes së tij në qytetin Atlanta të shtetit Xhorxhia në vitin 1929.  Përpjekjet për të caktuar një festë federale në kujtim të këtij amerikani të madh të të drejtave civile, kishin filluar menjëherë pas vrasjes së tij në vitin 1968. Por ishte Presidenti Ronald Reagan ai i cili më në fund e nënshkroi ligjin në vitin 1983, duke caktuar të hënën e tretë të Janarit si festën federale kombëtare kushtuar jetës dhe veprimtarisë së Martin Luther King-ut. Kjo ditë festohet tani në të gjitha 50-shtetet amerikane.   

Image
Presidenti Ronald Reagan nënshkruan ligjin më 2 nëntor, 1983 duke caktuar Ditëlindjen e Martin Luther King-ut si festë kombëtare në kujtim të aktivistit amerikan të të drejtave civile. (National Archives)

Në Amerikë dhe anë e mbanë botës, Martin Luther King-u njihet si krye-zëdhënsi dhe mbështetsi i aktivizmit dhe i protestave paqësore të Lëvizjes së tij për të Drejtat Civile në këtë vend dhe në mbarë botën.  Ishte kjo një lëvizje -- protestat paqësore e të cilës, anë e mbanë Shteteve të Bashkuara -- kishin për qëllim zhdukjen e diskriminimeve ndaj afrikano-amerikanëve, në pothuaj të gjitha nivelet federale dhe shtetërore.   Ishte në përpjekje e Martin Luther Kingut, si udhëheqsi kryesor i kesaj lëvizjeje, që nepërmjet protestave paqësore të lloj-llojshme, t’i jepte shpresë, dhe më në fund të siguronte pasuesit dhe mbështetsit e Lëvizjes së tij – si të bardhë ashtu edhe afrikano-amerikanë -- të pakën mundësinë për të marrë pjesë në të ashtuquajturën, “ëndërrë amerikane.”

Në këtë pëvjetor dhe në të gjithë përvjetorët e mëparshëm të ditëlindjes së Martin Luther Kingut, natyrisht se kujtohen fjalime, momente, protesta e demonstrata të udhëhequra nga prijsi i Lëvizjes paqësore për të drejtat civile, e të cilat janë pjesë e festimeve që shënohen në komunitete të ndryshme, anë e mbanë Shteteve të Bashkuara.  Por mbi të gjitha këto, gjëja që mbahet mend dhe që shënohet nga historia, si ndër më të rëndësishmit, është fjalimi i vitit 1963 i Martin Luther Kingut në Washington, fjalim që konsiderohet si fillimi i ndryshimeve për gjithmonë të ligjeve mbi të drejtat civile në këtë vend, një fjalim ky që gjithashtu i bëri jehonë kësaj lëvizjeje paqësore, jo vetëm në Amerikë, por edhe anë e mbanë botës.

Ky fjalim, i cili konsiderohet si ndër fjalimet më të famshme në historinë amerikane u mbajt me 28 gusht, 1963 në përmbyllje të të ashtquajturit, “Marshimi në Uashington”, në të cilin kishin marrë pjesë mbi 250-mijë marshues nga të gjitha shtresat dhe racat e shoqërisë amerikane.  Dr. Martin Luther Kingu mbajti fjalimin e tij të famshëm para monumentit të presidentit Abraham Linkolnit në Uashington. Ky marshimi ishte pa dyshim demonstrata më me rëndësi në historinë e lëvizjes së të drejtave civile në Amerikë, dhe fjalimi i Martin Luther Kingut ishte kulmi i atij marshimi. Thirrja e protestuesve ishte “për punë e për liri” dhe për të drejta të barabarta, por ishte toni i shpresës në fjalimin e Martin L. King-ut ai që, sipas historianëve, e dallon atë fjalim klasik dhe për këtë ai mbahet mend dhe kujtohet në çdo përvjetor të lindjes dhe jo vetëm atëherë.  Thuhet se Martin Luther Kingu e kishte përgatitur më përpara fjalimin me shkrim për këtë rast të rëndësishëm, megjithëse ai rrallë herë, sipas tyre, i shkruante fjalimet dhe predikimet e tija, por fliste gjithmonë pa letër. Por pjesën më të rëndishme, për të cilën ky fjalim mbetet në histori, ai nuk e kishte të shkruar më përpara. Atje nga fundi i fjalimit, thuhet se ai kishte larguar mënjanë fjalimin e përgatitur më parë dhe i drejtohet turmës me këto fjalë: “Unë u them ju sot miqë të mi se ndonëse përballemi me vështirsitë e mëdha të sodit dhe të nesërmës – unë gjithnjë ëndërroj.  Është këjo një ëndërr që i ka rrënjët e saja thellë në ëndërrën Amerikane.  Është një ëndërrë, se një ditë jo të largët, ky komb do të zgjohet dhe do të jetojë sipas nenit kryesor të kushtetutës, se ‘Ne i konsiderojmë këto të vërteta si provë dhe dëshmi se të gjithë njerërzit janë krijuar me të drejta të barabarta.’

Ishte shpresa biblike e Martin Luter Kingut, shpresë që pothuaj askush nuk mund t’a parashikonte atë ditë të nxehtë të gushtit të vitit 1963. Ishte e vështirë të parashikohej   – ndoshta edhe për vet Martin Luter Kingun — se, sot në Janar të vitit 2017, në përvjetorin e 88 të lindjes së tij, presidenti i tanishëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës me origjinë afrikano-amerikane, Barak Obama po i jep fund dy mandateve si president i Shteteve të Bashkuara, një ëndërr e Martin Luther Kingut që u bë realitet tetë vjetë më parë.

Image
Foto nga fjalimi I Martin Luther Kingu-t me 28 gusht, 1963, në të cilin ai bëri thirrje për dhënjen fund të racizmit dhe për të drejta civile dhe ekonomike në SHBA, para një turme prej më shumë se 250,000 vetash në Washington.

Fjalimi historik i Martin Luther Kingu-t ishte një fjalim që është vlerësuar nga historianët si plot pasion i cili edhe sot frymëzon njerëzit për t’u aktivizuar në mbrojtje të drejtësisë dhe është si një gjëmim kundër padrejtësisë. Por është njëkohësisht edhe një fjalim shprese, për një ditë më të mire, për të gjithë bijtë dhe bijat e Perëndisë kudo.  Është këjo një thirrje e Martin Luther King-ut me një gjuhë biblike që mban të gjallë shpresën se e mira do ta mundë të keqen – fjalë të shqiptuara nga goja e një predikatori baptist protestan, por edhe e një udhëheqsi moral kombëtar, i cili tani me të drejtë e ka monumentin e tij ball për ball me monumentet e themeluesve dhe baballarëve të tjerë të kombit amerikan në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Uashington, në mirënjohje të kontributeve të tij në fushën e të drejtave të njeriut dhe të drejtave civile në këtë vend i dhe nëmbarë botën.  Ky është një testament historik që kombi amerikan kujton të hënën e tretë të çdo janari, testament, mesazhi i të cilit   nuk vdes kurrë.  Festimi i Ditës së Martin Luther King-ut si një festë federale është gjithashtu një rast për tu kujtuar amerikanëve dhe sidomos enteve zyrtare federale dhe shtetërore – detyra e të cilave është mbrojtja e të drejtave të barabarta për të gjithë -- që të mbështesin dhe të ruajnë gjithmonë të drejtat civile të të gjithë qytetarëve pa dallim race, feje ose origjine.

Në të vërtetë sot Dita e Martin Luther King-ut, më shumë se çdo gjë tjetër na kujton gjithashtu se Shtetet e Bashkuara si shoqëri dhe si shtet nuk kanë qenë dhe as nuk janë një vend i përsosur, pa probleme etnike, raciale e tjera. Përkundrazi, por ajo që e dallon Amerikën nga shumica e vendeve të tjera, ashtu siç ka thënë në një fjalim edhe Presidenti Obama para disa vitesh në Moskë, “Është angazhimi dhe mbështeja e këtij vendi ndaj disa vlerave universale që na e bëjnë të mundur të korrektojmë të metat dhe mangësitë tona, duke u përmirësuar gjithnjë dhe si rrjedhim, bëhemi më të fortë.  Liria e fjalës dhe e drejta për të protestuar ka bërë të mundur që femërat dhe pakicat të demonstrojnë në favor të të drejtave të plota dhe të barabarta për të gjithë, në një kohë kur ato iu mohoheshin këto të drejta.”  Presidenti Obama theksoi, se “Zbatimi i ligjit dhe administrimi i drejtësisë ka rrëxuar monopolet dhe forcat politike të korruptuara dhe i ka dhënë fund abuzimit të pushtetit.  Media e lirë zbulon korrupsionin në të gjitha nivelet, përfshirë edhe qeverinë.”    Zgjedhjet e lira, tha Presidenti Obama, “na mundësojnë që të ndryshojmë drejtimin dhe të mbajmë përgjegjës udhëheqsit tonë për punën e tyre që bëjnë ose nuk bëjnë.  Nëqoftse demokracia jonë amerikane nuk do të mbronte dhe njëkohësisht të avanconte këto të drejta -- atëherë unë si afrikano-amerikan nuk do të kisha mundësi që në këtë moment të historisë tu drejtohem ju si shtetas amerikan dhe aq më pak si President i Shteteve të Bashkuara. Sepse në kohën e themelimit të Amerikës, personat si unë (me ngjyrë) nuk kishin të drejta …por falë këtij procesi, unë jam sot para jush si President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, është shprehur Presidenti Barak Obama në një fjalim mbajtur në Moskë në vitin 2009.

Gjëja, pra që dallon Amerikën nga vendet e tjera, nuk është së Shtetet e Bashkuara të Amerikës historikisht nuk kanë bërë gabime dhe shkelje të të drejtave civile, mbrenda dhe jashtë vendit.  Përkundrazi, por ajo që e dallon Amerikën nga shumë vende të tjera është se ajo i pranon gabimet historike kundër bashkqytetarëve të vet dhe kundër të tjerëve.  Përpiqet të mësojë nga këto, të korigjojë mangësitë dhe gabimet dhe të vazhdojë të mbështesë parimet dhe vlerat universale të të drejtave të barabarta themelore të njeriut, për të gjithë pa marrë parasyshë dallimet raciale, fetare ose të origjinës. Ky mesazh mishërohet gjithnjë dhe më së miri në trashëgiminë e Martin Luther King-ut, në këtë ditë të përkujtimit të veprës dhe jetës së tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat