Histori, çfarë ka ndodhur më 3 shkurt?

Historia

Histori, çfarë ka ndodhur më 3 shkurt?

Më: 3 shkurt 2017 Në ora: 07:38
Foto ilustrim

1451 - Në Ederne, Sulltan Mehmeti II trashëgon fronin e Perandorisë Osmane; ati i tij, Sulltan Murati, kishte vdekur, disa thonë, nga lodhja, stresi, marazi pas humbjeve ndaj Dominus Albania e Zot i Shqipërisë, një ish-gjeneral osman, të cilit vetë Murati i kishte dhënë titullin Skenderbeg. Hapi i parë i Mehmetit, tani në krye të perandorisë, ishte përgatitja e fushatës kundër Skenderbeut; pranvera e përshtatshme për luftë, po afrohej; lufta do të zgjaste edhe 17 vjet (deri në vdekjen e Skënderbeut më 1468), për inerci 10 vjet të tjera, derisa qendresa shqiptare të thyhej.

1637 - Provincat e Bashkuara (sot Holanda) çlirohen nga Tulip-mania ndërsa shitësit e tulipanëve humbasin kontratat për blerjen e tyre. Në kulmin e tulip-manisë, një lule tulipan ishte shitur me një çmim 10 herë mbi të ardhurat vjetore të një personi me punë të kualifikuar. Kjo është konsideruar përgjithësisht si flluska e parë e regjistruar spekulative (ose flluska ekonomike). Termi "mania tulipan" tani përdoret shpesh si metaforë për t’iu referuar çdo flluske ekonomike (kur çmimi tepër i lartë nuk përputhet me vlerën e mallit).

1690 - Kolonia Masaçusets emeton paratë e para letër në Amerikë. 1783 - Spanja njeh pavarësinë e Shteteve të Bashkuara.

1815 - Në Zvicër themelohet fabrika e parë për prodhimin e djathit për qëllim komercial. 1830 - Protokolli i Londrës konfirmon sovranitetin e Greqisë. 1870 - Ratifikohet Amendamenti (shtojca) i 15-të i Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara, duke garantuar të drejtën e votës për qytetarët pavarësisht nga raca. Në të njëjtën date por më 1913, ratifikohet amendamenti i 16-të i Kushtetutës, që autorizon qeverinë federale për të vendosur dhe mbledhur një taksë mbi të ardhurat.

1917 - Lufta e Parë Botërore: Shtetet e Bashkuara ndërpresin marrëdhëniet diplomatike me Gjermaninë një ditë pasi kjo e fundit njoftoi një politikë të re për luftë të pakufizuar me nëndetëse.

1924 - Vdiq Woodrow Wilson, ish-president i SHBA-së 1913 - 1921. Për Wilsonin është folur; shqiptarët e kanë cilësuar atë si mikun e tyre më të madh, ndërsa amerikanët si një nga presidentët më të mirë. Thonë se Wilsoni ishte edukator prandaj u bë edhe politikan.

1971 - Oficeri i policisë së Nju Jorkut, Frank Serpico, plagoset rëndë gjatë një operacioni kundër drogës në Brooklyn. Ai mbijetoi për të dëshmuar më vonë kundër korrupsionit në polici. Shumë besojnë se incidenti tregon se oficerë të Departamentit të Policisë së Nju Jorkut (NYPD) u përpoqën të vrisnin kolegun e tyre, pasi ai kishte refuzuar ofertën për marrje ryshfeti. Filmi “Serpico” (1973), me aktorin Al Pacino në rolin kryesor, sjell variantin e kësaj ngjarjeje.

1998 - Tragjedi në teleferik: një pilot ushtarak i Shteteve të Bashkuara shkakton vdekjen e 20 njerëzve, kur avioni i tij fluturon ulët duke këputur kabullin e një teleferiku pranë qytetit Trento, Itali.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat