A ishte agjent i CIA-s babai i Adriatik Llallës?

Historia

A ishte agjent i CIA-s babai i Adriatik Llallës?

Nga: Arben Llalla Më: 10 shkurt 2017 Në ora: 11:27
Arben Llalla

Lexoj shqetësimet e disa mediave, nëse Xhemal Llalla, babai i Adriatik Llallës (kryeprokurorit) ka qenë agjent i CIA-s apo jo. Qysh kur kushëriri im i parë u zgjodh Prokuror i Përgjithshëm kam vendosur të mos të flasë asnjëherë për punën e tij profesionale, por nëse hidhet baltë që ndot figurën e babait të tij dhe familjes sonë jam i detyruar të reagoj, sepse palaçot mbeten palaço që i shërbejnë padronëve, pavarësisht janë të majtë apo të djathtë, në PS apo PD.

Babai i Adriatikut, Xhemal Llalla, ka mbaruar shkollën e “Harry Fultz”, madje ka qenë mik i ngushtë në shkollë me Mehmet Shehun. Pas mbarimit të shkollës shërbimi amerikan e hodhi në Kosovë, 1942-1943 duke shërbyer në administratën e Prishtinës. Në vitin 1943-1944 ju bashkua forcave partizane duke qenë njëri nga drejtuesit e lartë që vepronin në rrethin e Gramshit. Enver Hoxha e njihte Xhemal Llallën personalisht dhe si i thonë fjalës kishte ngrënë bukë me të. Pas lufte, kur u prishën përfundimisht marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, atë e arrestojnë me akuzën agjent i CIA-s amerikane.

Të gjithë ata që kishin mbaruar shkollën e “Harry Fultz” u pushkatuan, por vetëm Xhemal Llalla u fal. Ka gjasa që njohja personale me Enver Hoxhën dhe Mehmet Shehun mund të ketë ndikuar që mos t’ia marrin jetën, por ta dënojnë me burgim të përjetshëm. Më tej, atij i ulet dënimi, edhe prej shumë ndërhyrjeve tek krerët e lartë të pushtetit komunist. Xhemal Llalla kreu 10 vjet burg së bashku me të vëllain, Feritin, ndërsa vëllai tjetër, Bexheti bashkë me familjen e ngushtë u internuan. Pjesa tjetër e fisit mori arratinë nga qyteti i Gramshit për t’u shpëtuar dënimeve dhe humbur gjurmët.

Gjyshi i Adriatik Llallës, Haxhi Llalla ka qenë publicist, gjykatës, kandidat për deputet me partinë e Fan Nolit. Ai u helmua nga njerëzit e Zogut më 1933. Është njeri nga themeluesit e Klubit “Bashkimi të Alfabetit të Gjuhës Shqipe” në Gramsh në vitin 1909.

Nuk kam patur ndërmend të reagoj kurrë se çfarë thonë mediat dhe politika për kryeprokurorin Adriatik Llallën, por nuk mund të lejoj të hidhet baltë mbi çështjet familjare, sepse tjetër është familja dhe tjetër është detyra shtetërore.

Sa për zgjedhjen e Adriatik Llallës Prokuror i Përgjithshëm ua them krejt i bindur, se për të kanë ndërhyrë drejtpërdrejtë autoritetet amerikane. Partia Socialiste në atë kohë abstenoi, gjë që nënkuptohet pëlqim në heshtje, LSI-ja e sotme votoi me dy duar lart.

Nejse, mendoj se nuk duhet t’ia qajë hallin kush Adriatik Llallës. Madje, jam shumë i sigurtë pas mbarimit të mandatit, ai do të shkojë në Shtetet e Bashkuara, ku ka të paktën njëzetë kushërinj të parë me shtetësi amerikane.

Një pjesë e mirë e deputetëve apo ministrave të PS-së kanë njohje familjare të vjetër me familjen e tij.

Ka informata që falë Adriatik Llallës Edi Rama siguronte votat e “kongresmenëve” socialistë, tek garonte përballë Fatos Nanos për kryetar të PS-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat