Vala e përjetshme, Radio feston sot ditën e saj

Historia

Vala e përjetshme, Radio feston sot ditën e saj

Më: 13 shkurt 2017 Në ora: 11:47
Ilustrim

Sot është Dita Botërore e Radios, e cila ka për qëllim të kujtojë fuqinë unike të këtij mediumi në funksion të promovimit të qasjes në informacion dhe të lirisë së shprehjes.

Data 13 shkurt është dita kur është themeluar radioja e Kombeve të Bashkuara në vitin 1946.

Edhe pse cilësohet si mjeti më i shpejtë për t’u informuar në Kosovë  ka rënë numri i atyre që vazhdojnë të dëgjojnë radio.

Rrjetet sociale dhe përparimi i teknologjisë kanë lënë anash dashurinë për radion tek njerëzit.

 Kjo pasi që ata  kanë gjithnjë e më pak kohë që të dëgjojnë radio.  E sidomos ata që nuk kanë veturë nuk dëgjojnë pothuajse kurrë radio.

Vjosa Qerkini nga Prishtina thotë se radio dëgjon vetëm kur hip në taksi ose kur udhëton me autobus, pasi që ajo veturë të veten nuk ka.

Në një farë forme dëgjimi i radios për Vjosën është një lloj imponimi sesa dëshire.

Qerkini : Radio në grupin e mediave të vjetra

‘’Radion e dëgjoj jo shumë shpesh për shkak se nuk kam veturë, thjesht vetëm në taksi ose kur udhëtoj me autobus kjo është mundësia e vetme…Tashmë radio ka kaluar në grupin e mediave të vjetra, tani jemi në digjitalizim…Po besoj secila medie e ka rolin e vet ose e ka vendin e vet, Televizioni e ka tani primatin ose besueshmërinë më të madhe. Edhe radiot janë të dëgjueshme sidomos në shtetet e jashtme, në Amerikë për shembull radiot janë ndër mediumet më të rëndësishme’’ tha ajo për Kp.

Këtë pohim të Vjosës vetëm sa e konfirmon edhe qytetari tjetër.

Leotrim Gërmizaj tha se ai dëgjon radio vetëm kur hip në veturën e tij.

Ai tha dëgjueshmërinë e radios në ditët e sotme e cilësoi si problem, për shkak se sipas tij kohët e fundit mënyra e marrjes së informacionit bëhet vetëm nga portalet dhe rrjetet sociale.

Gërmizaj: Mediat sociale e kanë bë të veten

‘’Radion e dëgjoj zakonisht vetëm në veturë edhe ndonjëherë kur jam duke punuar i fokusum. Tash mediat online, mediat sociale e kanë bë të veten është problem  pak me e dëgju radion në ditët e sotme, por, megjithatë këto lajmet ditore  dëgjohen shpesh prej radios edhe emisionet e natës sidomos  nga rinia edhe ne veçanti nga studentët…Sot primare edhe prioritare tek audienca edhe tek shikuesit janë zakonisht mediat, portalet, për shkak të frekuentimit të madh në rrjetet sociale, megjithatë besueshmëria është një çështje relative në të gjitha llojet e mediave në Kosovë’’ tha ai.

Por, jo të gjithë mendojnë si Vjosa dhe Leutrimi. Njëri nga ta tha se e vlerëson më shumë radion sesa televizionin.

Ndonëse në moshë Rrrahman Rrahmani thotë se në radio duket gjithçka më ndryshe edhe tingujt edhe fjalët janë më të kuptueshme.

Rrahmani: Radio një ndjenjë më ndryshe

‘’Unë mendoj se pak dëgjohet për shkak se tash dolën këto elektroniket, facebook-u, interneti,. Unë e vlerësoj  më shumë radion sesa televizionin e gjithçka,  sepse aty më duket që edhe tingujt i ka më të qartë edhe fjalët më të kuptueshme’’, tha Rrahmani.

Por,  ka njerëz që dashurinë për radion e kanë gjithnjë në zemër dhe për këtë dashuri nuk do ta ndërronin me asgjë.

Azem Bujupi është drejtor i Radio Kosovës, e vetmja radio publike në Kosovë.

Bujupi tha se nuk do ta preferonte që të punojë në televizion apo në ndonjë media tjetër përveç në radio.

Sipas tij, përgatitja  më e mirë e profesionale e një gazetari është puna në radio.

Në Ditën Ndërkombëtare të Radios, udhëheqësi i radios publike  shprehi edhe shqetësime në lidhje me transmetimin, i cili e ka të vështirë ta mbulojë të gjithë territorin e Kosovës.

Bujupi: Radion duhet ta fuqizojmë me vlera.

“Ne si Radio momentalisht kemi vështirësi në mbulimin e gjithë territorit në nivel të Republikës së Kosovës sepse transmetuesi i cili është i vendosur mbi objekt në këtë radio ka degraduar për shkak ndërtimeve të vrazhda rreth objektit të radios ......Sinqerisht më vjen keq të jesh i pari i radios publike të mos kesh shtrirje deri në vijën apo deri te tabela ku thotë ‘Mirë se vini në Republikën Kosovës’... Radio i ka specifikat e veta, realisht unë nuk e mendoj që duhet të filloj një karrierë për së mbari e një gazetari nëse e do punën e vet nuk e mendoj që duhet të filloj në rrjetet sociale nuk e mendoj që duhet të filloj në formatin televiziv”, tha Bujupi.

Për sfidat dhe rëndësinë që e ka radioja flet edhe udhëheqësi i njërës nga radiot më të dëgjuara në vend. Drejtori i  Radio Dukagjini Ermal Panduri flet me aq dashuri për radion sa që edhe quan edhe ‘princesha e fshehur diku në ajër”.

Sipas Pandurit e veçanta e radios është se nuk ke nevojë të përkujdesesh as për dukjen as për gjërat tjera përveç që atmosferën dhe shpirtin ta zbrazësh përmes zërit në mikrofon.

Panduri:  Radio nuk mund të zbehet asnjëherë

“Radio si Radio nuk mund të zbehet asnjëherë....Radio siç mund ta imagjinoni mund t’i vendosësh këmbët në një kovë, mund të relaksohesh jashtëzakonisht shumë. Ka shumë më shumë komoditet, nuk mund të kujdesesh për pamjen, nuk ke nevojë të kujdesesh për asgjë tjetër pos atmosferës apo shpirtit tënd ta zbrazësh përmes zërit në mikrofon kjo është radio...’’ tha Panduri.

Madje sipas drejtorit të Dukagjinit radioja ende mbetet i vetmi mjet informimi pasi që sipas tij me hyrjen në fuqi të ligjit për komunikacion ndalohet të mbash në dorë telefonin në veturë.

Kjo sipas Pandurit është përparësia e radios ku sipas të cilit është  e pamundur që të hysh në veturë e mos ta ndezësh radion.

Ai tha se radio Dukagjini po rritet dita -ditës dhe kjo falë punës së gazetarëve dhe dëgjuesve të saj në mbarë vendin.

Nderim Neziri, nga Radio Vala Rinore radion e quan dashuri e vjetër dhe mjet të shpejtë për t’u informuar.

Neziri i cili ka 15 vjet që është pjesë e kësaj radioje thotë se edhe pse ka konkurrencë mes portaleve, televizioneve dhe radios, kjo e fundit sipas tij vazhdon të rezistojë si mjet më i shpejtë i informimit.

Por ai pranon se radio nuk e ka më dëgjueshmërinë që kishte dikur por prapëseprapë radio vazhdon të mbetet si njëra nga pikë referencat për dëgjuesit

Neziri: Radio vazhdon të mbetët mjeti më i shpejtë i informimit

“Ka avancuar çdo gjë, ka avancuar teknologjia dhe bashkë me teknologjinë kanë ardhur edhe risitë të cilat kanë konkurrencë radion si medium. Nuk mund ta mohoj që sot portalet kanë bërë një konkurrencë të denjë për të gjitha mediumet, duke filluar nga televizioni që është superfuqi ,pastaj për median e shkruar, shtypin ditor ,magazinat edhe radiot gjithashtu, nuk përjashtohet që radio nuk e ka më peshën e madhe, dëgjueshmërinë apo audiencën që e ka pasur dikur, po sido që të jetë radio po vazhdon të rezistojë sepse është mjet i shpejtë i informimit dhe mundet të jetë në konkurrencë të denjë edhe me portalet të cilat po ashtu e kanë si pikë të fortë shpejtësinë’’,  tha Neziri.

Pas një debati të mbajtur me 29 shtator 2011 në bordin e UNESCO-së, u caktua si datë botërore e Radios, 13 shkurti  me që korrespondon edhe me themelimin e radios së OKB-së në vitin 1946.

UNESCO, apo Agjencia për Arsim, Shkencë dhe Kulturë e Kombeve të Bashkuara, ka vendosur ta shpallë këtë ditë në konferencën e saj të përgjithshme, më 2011.

Për herë të parë, Dita Botërore e Radios është shënuar më 13 shkurt të vitit 2012 dhe tashmë është festë e përvitshme.

"Radioja ende mbetet mediumi që arrin audiencën më të gjerë në të gjithë botën, në kohën më të shpejtë të mundur", thuhet në deklaratën e UNESCO-s.

Në Kosovë janë të regjistruara  diku rreth 83 radio, katër me frekuenca kombëtare, 68 me frekuenca lokale si dhe 11 radio me fuqi të ulët.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat