Prapaskenat e marsit ’97

Historia

Prapaskenat e marsit ’97

Më: 4 mars 2017 Në ora: 15:48
Shqipëria '97

Nga fundi i marsit të vitit 1997, kur gjërat po qetësoheshin, një gazetar i New York Times, me një përkthyes shqiptar, po më pyeste çuditur se si kishte mundësi që Shqipëria, me gjithë këtë armatim të pafundëm që kishte, kishin shpërthyer depot, ndërkohë, nuk arrinte të përkryente atë që quhet luftë civile.

Kishin ardhur korrespondentë nga e gjithë bota dhe të gjithë po çuditeshin nga kjo hata e pandodhur plotësisht si imagjinonin ata.

Dhe unë iu luta dhe i thashë duke qeshur përkthyesit të tij që të improvizonte  në zonën e Pezës andej nga ishte, një betejë midis dy palëve, në mënyrë që dhe gazetari i New York Times të kënaqej, por të kënaqej  edhe përkthyesi me bashkëfshatarët e vet dhe të merrte ndonjë lek ndërkohë. Përkthyesi, po duke qeshur, më tha që e kishte provuar, por në fshat nuk donte asnjë që të luftonte njëri me tjetrin. As dhe në një lojë.

Atëherë  unë i thashë gazetarit të Times-it afërsisht këto fjalë: ka një diferencë shumë te vogël ose shumë të madhe mes Amerikës dhe Shqipërisë: nëse Amerika është shtet, Shqipëria është komb.

Për të bërë një komb duhen nja 2000 vjet, për të bërë një shtet ndoshta dhe 10 vjet, por kombi është më shumë sesa shteti. Duke shkruar këto fjalë, mund të themi një vetëlavdërim shumë të madh. Ndërkohë megjithëse jemi brenda vërtetësisë, duhet, megjithatë, të kuptojmë që ‘97-a e ka çuar Shqipërinë vite e vite mbrapa dhe unë besoj që ajo ende nuk ka marrë leksionin e duhur. Përshembull mund të ishim në Bashkimin Europian prej vitesh: në 1996, BE po bëhej gati të na ftonte. A nuk është prapambetje të kacaviremi tani me negociata, etj,etj?

Pse them që ka bërë vite mbrapa dhe çka ndodhur praktikisht në atë kohë?

Kur flasim për marsin e ’97-s duhet të themi se nuk ekzistonte praktikisht as qeveri, as opozitë në kuptimin e vërtetë të fjalës.  Vendi ishte copëtuar, siç thoshte profesori i shquar shqiptar,  Nikolla Pano, në copëza të vogla, në banda të vogla që administronin ku të mundnin dhe si të mundnin. Për shëmbull, qesh ndërsa kujtoj një nga komandantët e tyre, kur donte të rrethonte Berishën në Tiranë, përpiqej që nga qyteti i Gjirokastrës të organizonte trupa të cilat menjëherë shkriheshin si kripa në ujë sa të dëgjoheshin disa krisma nga Lazarati.

Çfarë ndodhte praktikisht, kur në këto momente nuk kishim as shtet, as opozitë, asgjësend?

I vetmi segmenti i shoqërisë që ende influenconte asokohe, ishte shtypi. Por kemi parasysh që gazeta më e madhe e asaj kohe ishte vetëm “Koha Jonë”, e cila kishte hesape të pambaruara, të paqëlluara me Salinë dhe artikujt e tmerrshëm të asaj kohe, që kryesisht ishin të Frok Çupit, ishin, të tipit shumë agresiv, pra nuk kishte asnjë frymë pajtimi. Gazeta jonë Dita ishte pajtuese, konstruktive, por në kohë lufte nuk dëgjon njeri zëra të urtë.

Ndërkohë që dukej sikur ishte në horizont edhe një që quhej Komiteti i Shpëtimit Kombëtar-po i vë një emër kot ose të përafërt- në të cilin ishte Kurt Kola, Daut Gumeni,  Fatos Lubonja dhe një grup i moderuar i PS-së i udhëhequr nga presidenti i mëvonshëm Meidani. Njeriu më aktiv në këtë grup, ishte Lubonja i cili predikonte një vijë shumë të ashpër,  më mirë po e themi në mënyrë të drejtpërdrejtë, më prerje koke, me heqje qafe të drejtpërdrejtë të Berishës. Pa gjyq nëse do ishte e nevojshme.

Unë u mundova atëkohë, meqenëse isha pjesë aktive e shtypit, për të thënë se kjo nuk mund të ndodhte. Sepse në historinë tonë ne kishim të vetmin president demokrat, Fan Stilian Nolin,  që e kishin akuzuar dhe e kishin pranuar si president,  por ama duke e quajtur deri në ditën e sotme si njeri që e kishte marrë pushtetin me dhunë ndaj në fund të shekullit të 20-të, nuk mund të aplikoje këtë lloj rruge sepse do ishte një budallallëk i mjerë dhe tragjik.

Nga ana tjetër, isha i qartë për një gjë tjetër, Shqipëria edhe sikur të ndodhte kjo gjë, praktikisht nuk udhëhiqej dot as nga Komiteti i Shpëtimit Kombëtar, as nga opozita që ishte strukur në drejtime, dhe as nga shteti që ishte bërë copa-copa.

Domethënë, afërsisht ndodheshim si në ngjarjet e viteve ’14. Kisha parë në vitin 1991 një skenë- që shumica prej nesh e mbajnë mend -ku turma e vërsulur për të djegur muzerat, pastaj vijuan gjërat e tjera,- se kush mund të përfitonte nga rrënoja të tilla.

Kështu që, në këtë moment, unë mendova bashkë me shokët, me aq sa mund të ndikonim, se gjëja më e arsyeshme ishte përgatitja e një marrëveshjeje, domethënë, midis dy palëve ose  të paktën një afrim midis dy palëve, gjë që u organizua me atë marrëveshje të 9 marsit të 1997.  Mendova se mund të ndikoja sepse unë kisha punuar me ish presidentin Berisha të asaj kohe në muajt e parë të themelimit të PD-së, por kisha miqësi me drejtues të caktuar të së majtës si Meidani, Nano, etj.  Një pjesë e opozitës iu bashkua thirrjes së ish-presidentit të atëhershëm, ku faktikisht edhe ai si dhe qeveria e pajtimit kombëtar, nuk kontrollonte më shumë sesa 200 m2 territor rreth presidencës. Mbaj mend se Lubonja sokëlliu sa mundi në Zërin e Amerikës duke e quajtur marrëveshjen për pajtim si tradhëti kombëtare!!!

Por kjo gjë ishte absolutisht e domosdoshme sepse, siç thashë, me gjithë thirrjet për pajtim, e me gjithë vendosjen e qeverisë së pajtimit kombëtar, kjo qeveri nuk kontrollonte më shumë se 2 km2. Ne pamë me tmerr, se me gjithë thirrjen e gjithë komunitetit ndërkombëtar, megjithë thirrjen e gjashtë ushtrive, domethënë NATO-s, etj., pasuria kombëtare e Shqipërisë po ikte e gjitha jashtë shtetit.  Dhe ne ende nuk jemi në gjendje të bëjmë llogari dëmet e asaj periudhe.

Po ju marr një shembull të thjeshtë. Ishin disa raketa, të cilat kushtonin 20-25 milionë dollarë që Berisha i mori pas goditjeve greke në Peshkëpi nga Kina me urgjencë për t’u mbrojtur nga Greqia.  Nuk di se nga fluturuan me gomarët e Lazaratit dhe u shitën për peshë hekuri dhe ose për diçka tjetër. Po asaj periudhe i përket një tjetër dramë, kur një pjesë e mirë e hekurudhave dhe e shinave tona përfunduan si hekurishte në Mal të Zi. Me pak fjalë u boshatis i gjithë shteti.

A ka pasur prapaskena në mars të ’97-s dhe a kishte fuqi Vranicky?

Unë mendoj se të gjithë jemi brenda një filmi shumë të madh në të cilin dihet, sot ose nesër, historianët mund të gabojnë me peshë. Në Shqipërinë e asaj kohe nuk kishte fuqi asnjëri për të bërë as skena as prapaskena, sepse vendi ishte i copëzuar në njëmijë pjesë të vogla dhe kishte vetëm komandantë çetash që bënin sikur luftonin Berishën, ose sikur luftonin pjesë të tjera të pushtetit të tij, por, në fakt, ishin duke komanduar ose kontrolluar ose duke vjedhur ose duke plaçkitur zona të vogla.

Praktikisht, nuk kishte pasur asnjëlloj marrëveshje reale, asnjëlloj konspiracioni.  Ata që mundohen qoftë dhe ta lavdërojnë qoftë edhe ta shajnë, do të duhet të kuptojnë që i vetmi efekt i vogël ka qenë se shteti shqiptar- të paktën ai shtet nëse mund të quhet institucioni që mban vulën diku- arriti të mbajë disa institucione qendrore si Banka e Shqipërisë e këto. Unë mendoj gjithashtu se ashtu si në ’91 ne nuk mundëm të bënim gjë tjetër, por afirmuam dhe një herë se si gjithnjë jemi komb.  Se nuk projektuam dot asnjëherë luftë civile të jugut kundër veriut dhe besoj se këtë s’ka për ta provokuar kurrë njeri. Ama kam frikë se me atë që bëmë në ’91, si në ’97, si një vit më vonë në ’98, siç kërkojmë të bëjmë dhe tani, ne meritojmë një pjesë të madhe të akuzave të të tjerëve:  ne nuk dimë të bëjmë shtet.

Pra,  ato që quhen prapaskenat e  marrëveshjes së marsit ’97 ishin përpjekje për të shmangur katastrofën përfundimtare. Pra nuk janë asgjë tjetër veçse një përpjekje me një farë suksesi për të përmbledhur në tavolinë një opozitë të copëtuar andej-këndej me një Berishë që s’kuptonte se ç’po ngjante, me një shtet që faktikisht po zbraste jo vetëm depot e armëve, që ishte pjesa më dukshme e saj, por po zbraste të gjitha pasuritë e veta që po shkonin drejt lindjes, perëndimit duke kaluar në duart e matrapazëve lokalë, e mafies kombëtare dhe mafies ndërkombëtare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat