Shenjti i mbrojtjes së kufijve shqiptar

Historia

Shenjti i mbrojtjes së kufijve shqiptar

Nga: Hajdar Gurina Më: 7 mars 2017 Në ora: 00:29
Rexhep Beli

Drita që lëshon tyrbja e Shkëlzenit, tyrbja e Dervish Luzhës bashkohen me shkëlqimin hyjnor edhe me tyrben e dervish Rexhep Belit. Bashkëfshatarët, besimtarët, dervishët, shehlerët e kujtojnë me krenari e plot respekt, sikur ai të ishte gjallë pranë tyre duke i dëgjuar. Ky respekt duhet të fillojë nga familja dhe familjarët, gjaku më i afërt e pastaj vazhdon në fis e më gjerë. Dervish Rexhep Beli i tarikatit Saadi lindi në Boshnjakë të Shipshanit në rrethin e Tropojës nga ku ka marrë dhe mbiemrin tashmë shumë të njohur nga besimtarët e shumtë në Shqipëri, Kosovë dhe në botë deri në SHBA dhe Australinë e largët. U rrit dhe edukua në një familje të thjeshtë, punëtore, mikpritëse, bujare, atdhetare dhe fetare – besimtare. Ishte koha kur atdheu rënkonte nga varfëria, mungesa e bukës së gojës, rënkonte nga padija dhe errësira e mungesës së shkollës shqipe, mungesa e shëndetësisë ku vdekjet ishin të shumta nga sëmundjet dhe epidemitë, luftrat e vazhdueshme dhe rreziku jo vetëm i copëtimit dhe pushtimit te trojeve etnike shqiptare por dhe ekzistencës ose jo të emrit Shqipëri dhe shqipëtarë. Në këto kohë të vështira për fatin e vendit Zoti me mirësitë e Tij, shënj i dhembshurisë dhe myzhde për të ardhmen dërgoi misionarët e Vet që do të kontribuonin për ta ngritur dhe mbajtur këtë popull që i falej dhe lutej Atij për ndihmë. Misionarët kanë qenë dhe janë njerëz të lartë shpirtërisht që të udhëhequr nga Drita Hyjnore e Absolutit do të udhëhiqnin popujt në ekzistencë, prosperitet, zhvillim dhe përparim krahas popujve të devotshëm kudo në botë.

Në kujtimet e shumta të besimtarëve të panumërt që e kanë njohur nga afër dervish Rexhep Bel Boshnjakun e tarikatit Saadi Harabati kemi shkëputur fragmente nga kujtimet e dervish Isuf Rexhepit, djalit të dervish Rexhep Zenelit ( tarikati Saadi) nga Koldedi i Shipshanit.  

Më poshtë ai vazhdon: “Kanë kalue 35 vjet që nga 02.02.1978 që nga data që nderroi jetë dervish Rexhep Beli në moshën 71 vjeç. Një diçka e brendshme më shtyu të them pak fjalë për këtë burrë haku me shpirt dhe trup madhështor dervishin Saadi-Harabati. Kemi patur fatin e mirë që unë dhe baba im dervish Rexhep Zeneli në të njejtin tarikat dhe me lidhje fisnore me Dervishin kaluam shumë kohë bashkë në shtëpinë tonë në Shipshan, në shtëpitë e dervishëve dhe myhybëve të zonës tonë. Dervishët që vazhdimisht qëndruan dhe kaluan bashkë me ditë dhe me netë kanë qenë dervish Sokoli, dervish Luzha, dervish Mehmeti, dervish Tahiri, dervish Haxhia, dervish Zmajli që për sa kohë ishin në këtë jetë kanë qenë në këtë rreth vllaznie të Ehlibejtit pa dallim tarikati. Këta bënin pjesë në tarikatet Saadi, Rrufai, Halveti.  Dervishi ka patur një vëlla që ka jetuar në Tiranë dhe ka lënë fëmijë. Ai kishte trup të gjatë, të drejtë, madhështor nga pamja dhe paraqitja e tij, serioz, buzëqeshja e tij të jepte kënaqësi, qëndronte për një kohë shumë të gjatë këmbëkryq.  

Rexhep Beli këndonte lutje dervishësh me orë të tëra dhe kur i printe përkujtimit të Zotit , kalonte në ashk sa dukej që shkëputej nga dyshemeja ku ishte ulur, fliste rrallë dhe fjalët i dëgjoheshin me vëmendje pasi ishin të vërteta.

“Më kujtohet një natë e ftohtë dimri ku me babën tim dervish Rexhep Zenelin çamë dru dhe e mbushëm oxhakun plot pasi do vinin ata burra që i përmenda më lart. Ata erdhën menjëherë në orë thuajse të njejtë. Do mblidheshin në shtëpinë tonë ku shumë vite më pare shehi i babës, sheh Zijai kishte vendosë një gurë të bardhë mbi çati dhe kishte thënë se në këtë shtëpi do mblidhen e kuvendojnë burra, do jetë shtëpi-teqe.

Vërtet kështu ndodhi, e natën që citova më lart u mblodhën gjithë ata burra të Hakut. Sofrën e udhëhiqte dervish Rexhep Beli që gjatë bisedës “goditi” sofrën me grushtin e tij të fuqishëm. Ashtu siç ka qënë shtruar, me ato të mira që na kishte dhënë Allahu çdo gjë është shkëputur nga sofra dhe është ngritur lart, pastaj çdo gjë ka rënë në vendin e vet pa u dëmtuar asgjë.  Në këtë moment dervish Sokoli që ishte guximtar iu drejtua dhe i tha si e ke hallin Ja Hu ? “

Dervish Rexhepi i tha: “Sokol unë nuk lejoj të cënohen kufijtë e vendit tim”. Sipas burimeve të sakta ai ka qenë i ngarkuar në ruajtjen e kufinjve dhe tërësinë teritoriale të tokave shqiptare. Këtë ai e thoshte shpesh në sofrën e tarikatit me dervishët dhe besimtarët ku deklaronte: “Nuk do të lejoj prekjen e kufinjve të Shqipërisë”. Rinia e dervishit ishte si e shumë të tjerëve në Malësinë e Gjakovës – Tropojë.  Baba Rexhepi kishte trup “gjigand” me fizik shumë të zhvilluar aq sa atij ishte e vështirë t’i dilje ne duel. Në kohën kur ishte në shërbimin e detyruar ushtarak asokohe ishte kampion absolut në hedhjen e gurapeshës (gjyles) në Kosovë, Shqipëri dhe mund të themi se po të ishte sot mund të shpallej kampion Evropë dhe botë. I pëlqente muzika, çiftelia dhe kënga. Bënte jetë të thjeshtë, i dashur me të gjithë besimtarët.

Dervish Isuf Rexhepi vijon: “ Dervish Rexhep Beli i përket tarikatit Saadi dhe është veshur nga sheh Bani Plak i teqes së Saadive në Gjakovë. Ushqehej gjithnjë pa përdorur mish apo yndyrna, gjithnjë ishte në Matem. Babai im Rexhep Zeneli më ka thënë se gjatë 3 muajve ka pushue duke u shtri në tokë me një çarçaf poshtë trupit dhe një copë dru poshtë kokës në vend të jastëkut. Gjatë kësaj kohe ushqehej me pak ushqime që i sillnin dervishët permes babës tim. Regjimi ishte shumë i egër, nuk i donte dervishët, feja ishte e ndaluar me ligj dhe po të zbulonin përfundojë në burg. Zoti nuk duhej përmendur. “

Dervish Rexhep Bel Boshnjaku Saadi-Harabati është parë duke falur bajramin në të njejtën orë në xhaminë e Tropojës së Vjetër dhe në Kosovë. Mrekullive të tij besimtarët i kanë kushtuar vargjet e këngës që shoqërohen nga çiftelia dhe sharkia prej grupeve të ndyshme të rapsodëve. Ja disa vargje nga kujtimet e dervish Isufit me të cilat ai mbyll kujtimet e tij:

Babë Rexhepi o zotni
Ti u fale njëherësh në dy xhami
Njerëzia të pane me sy
Në Kosovë dhe Shqipëri

E veçanta që duhet të cilësohet është morali i tij i pastër dhe shumë i lartë, model për çdo njeri. Ai në kushtet e shtëpive dhe jetesës së kohës nuk pranonte të hynte apo rrinte ku kishte gra. Dervish Rexhepi e kishte privuar vehten nga çdo kënaqësi të jetës materiale dhe ushqehej thjeshtë sa për të “mbajtur shpirtin”. Kishte krijuar familjen  duke u martuar dhe kishte një djalë me emrin Ahmet që sot ndodhet në SHBA me familjen e tij. Miqtë e dervishit, 2 vëllezërit e gruas (N.K, H.K) nga Shoshani për arsye politike u larguan nga Shqipëria pas ardhjes së diktaturës . Ata nuk u pajtuan asnjëherë me regjimin diktatorial të komunistëve. Biografia e babës dervish ishte e papëlqyer për partinë komuniste. U detyrua të largonte gruan dhe djalin për në SHBA duke parë që ai regjim do sillte vetëm varfëri, skllavëri, burgime etj. Djali i tij Ahmeti u kthye pas shembjes së komunizmit në vendlindjen e tij dhe ndërtoi tyrben e babës së vet, Rexhep Belit. Baba Rexhep Beli ka patur një kulturë të jashtëzakonshme, ka lënë qindra fakte mrekullish, ai vet ngjante hyjnor në çdo fjalë që fliste, veprim që bënte fliste me zë kumbues burri.

Është e vërtetë që vepra e mirë është reklama më e mirë, por duhet thënë që këto histori të shkruhen dhe trashëgohen. Një popull që nuk e shkruan historinë e vet nuk mund ta njohë atë dhe po nuk e njohu siç ka qenë në të vërtetë nuk do të dijë të ndërtoje të ardhmen e tij. Këta misionarë të paqes dhe përparimit kanë shërbyer dhe shërbejnë për reflektimin, edukimin dhe devotshmërinë në rrugën e jetës, Drita është e qartë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat