Histori, çfarë ka ndodhur më 14 mars?

Historia

Histori, çfarë ka ndodhur më 14 mars?

Më: 14 mars 2017 Në ora: 07:46
Presidenti Warren G Harding

14 mars - Shqiptarët festojnë Ditën e Verës (dikur, fillimi i vitit të ri). Nuk dihet pse kjo ditë ka marrë këtë emër, kur s'është as pranverë, dhe fundi i vitit ende më larg, por quhet edhe Dita e Luleve; dhe në kohët para-romake, viti i ri fillonte me dalje e luleve të para, në mars. Sipas kalendarit Julian (shpallur nga Jul Cezari më 46 pes), Dita e Verës, festohej më 1 mars; kur papa Gregori XIII shpalli kalendarin Gregorian (1582), koha ndryshoi, dhe kjo ditë u zhvendos më 14 mars. Është e sigurt se Dita e Verës e ka zanafillën në kohët pagane, kur njerëzit adhuronin Diellin.

1489 - Mbretëresha e Qipros, Catherine Cornaro ia shet mbretërinë e saj Venedikut; si kompensim, ajo lejohet të mbajë titullin Mbretëreshë dhe bëhet Zonjë Sovrane e Asolos, një krahinë në Veneto të Italisë. Katerina vdiq më 1510. Opera Catherina Cornaro nga Gaetano Donizeti bazohet në jetën e saj.

1647 - Fund i luftës 30 vjeçare: Bavaria, Kelni, Franca dhe Suedia nënshkruajnë armëpushimin në Ulm.

1912 - Itali - Mbreti Vittorio Emanuele III plagoset gjatë një atentati. Në një përpjekje tjetër më 17 Maj 1941, në Tiranë, 19-vjeçari Vasil Laçi, duke thirrur "Rroftë Shqipëria Poshtë fashizmi!", qëllon me revolver katër herë ndaj tij, gjithashtu pa mundur ta godasë. Viktor Emmanuel III ishte Mbret i Italisë (1869 - 1947); Mbret i Etiopisë (1936 – 1941; Mbret i Shqipërisë (1939- 1943). Ai hoqi dorë nga froni i Italisë në vitin 1946, kur humbi në referendum, dhe iku në Aleksandri, Egjipt, ku vdiq më 1947.

1913 - John D Rockefeller jep 100 milionë dollarë për Fondacionin Rockefeller.

1914 - Serbia dhe Turqia nënshkruajnë traktat paqeje.

1923 - Gjykata e Lartë gjermane jashtligjëson partinë naziste (NSDAP).

1923 - Presidenti Warren G Harding bëhet i pari president parë amerikan që paguan taksa mbi të ardhurat personale.

1939 - Gjermania naziste shpërbën Republikën e Çekosllovakisë

1941 - Pushtuesit nazist të Holandës u heqin hebrenjve të drejtën e çdo lloj pronësie.

1950 - SHBA - FBI-ja fillon programin "10 më të kërkuarit". Në përgjithësi, një individ hiqet nga lista e “10 më të kërkuarve” vetëm nëse është kapur, ka vdekur, ose akuzat janë hequr. Shpërblimi i ofrua për informacion që çon në kapjen e tyre varion nga 100.000 deri në 1.000.000 dollarë për secilin. Deri më 17 qershor 2013, në listë ishin përfshirë 500 të kërkuar, nga të cilët 470 (94 %) ishin kapur.

1964 - Në Dallas , Teksas, Jack Ruby, dënohet me vdekje për vrasjen e Lee Harvey Oswald (vrasësi i presidentit Kenedi). Rubi vdiq në burg më 1967 nga një sëmundje në mushkëri. Misteri që rrethon Xhak Rubin nuk është vrasja e Oswaldit. por çështja “pse e vrau atë?”. Rubi vetë këmbëngulte se e vrau Oswaldin nga zemërimi a indinjimi kur dëgjoi se ai kishte vrarë presidentin Xhon Kenedi. Në këtë përfundim arriti edhe Komisioni Warren, që hetoi vrasjen e Kenedit. Të tjerë, libra, filma, thonë se Ruby ishte pjesë e një konspiracioni më të gjerë në vrasjen e presidentit.

1965 - Kabineti izraelit miraton vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Gjermaninë Perëndimore.

1968 - Televizioni amerikan CBS pezullon reklamat pa pagesë për Radion Evropa e Lirë për shkak se ajo nuk e bënte të qartë se sponsorizohej nga CIA.

1971 - Grupi muzikor Rolling Stones largohet nga Anglia për në Francë për të shmangur pagimin e taksave.

1992 - Gazeta sovjetike "Pravda" pezullon publikimin për herë të parë në 80 vjet. Zyrtarisht, Pravda doli më 5 maj 1912 (në përvjetorin e lindjes së Marksit); origjina e saj shkon pas më 1903 kur u shtyp në Moskë nga një shoqatë punëtorësh të hekurudhave; Pravda (Vërteta) pa dritën e botimit gjatë Revolucionit rus të 1905. Nga 1918 – 1991, Pravda u bë organi i Partisë komuniste Sovjetike dhe më pas gazeta kryesore e Partisë Komuniste të Federatës ruse.

1994 - Bankieri meksikan, miliarderi Alfredo Harpa Helu, rrëmbehet. Për lirimin e tij, familja Harpa pagoi 30 milionë dollarë. Alfredo u mbajt për 106 ditë nga rrëmbyesit në kryeqytetin Meksiko. Lirimi i tij u ndoq në televizion, ndërsa biri i tij pranoi kushtet e rrëmbyesve; me kërkesën e familjes, policia nuk ndërhyri. Alfredo Harpa Helu (lindur 1944) është biznesmen meksikan me origjinë libaneze. Në vitin 2011, pasuria e tij arriti vlerën neto prej 1.5 miliardë euro. Sipas revistës Forbes, Alfredo Harpa Helu është personi i 974 më i pasur në botë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat