Trimat e maleve të veriut me Flamur të Skenderbeut

Historia

Trimat e maleve të veriut me Flamur të Skenderbeut

Nga: Athanas Gegaj/Boston Më: 18 mars 2017 Në ora: 17:03
Dedë Gjo’Luli

Heroi i Maleve Dedë Gjo’Luli me Burrat të tjerë në Deciq më 1911

Vec, po ka Dedë Gjo’Lula burra fjalet,

Ka Cokaj n’za për pushkë e bujari,

E ka Pjetër Sokola e Llesh Nikë Daka,

E Gjeto Mark Ujka, t’idhtë si helmi

E janë Nikë Gjelosh Lula, re me breshën,

E Kolec Marka e Gjelosh Gjoka rrfeja

Janë Kolë Marash Vata sy kulshedra,

Vetëm me I mësy’ qind vetë e armët m’u marrin.

E ka drangoj Tirane dhe Kosove,

E Orë prej Shale e djelm, si Zana Dibret

                                                                  At Fishta

Përpara se t’u ngritëte Flamuri në Vlorë, Malcia e Madhe, me Dedë Gjo’Lulin e të tjerë trima që këtu këndon Fishta, i vunë pushkën ushtrisë otomane në Hot, Grudë, Kastrat, Kelmend, Selcë, Dinoshë e fshate të tjera të Malcisë së Madhe të Mbi-Shkodrës dhe sit ë ishin herojt e Homerit u turrën mbi llogore të ushtarëvet të sulltanit duke vumun përpara gjoksin për të fituemun lirinë e Shqipnisë. Nësa po vlonte lufta në Kosovë, burrat e Malcisë së Madhe rrokën armët dhe u turrën mvi kausha ose fortesa të ushtrisë otomane, ku vetë këta ushtarë të dalluar e të stërvitur më së miri u habitën përpara guximit të Lekëve të Grudës e të Hotit, të burrave të Kelemendit e të Kastratit, të Selcës e vendeve të tjera të asaj Malcije, që kurdoherë njofti vetëm Zotin në Qiell e Kanunin në tokë.

Evropa mbeti e habitun përpara këtyne luanvet që lanë me gjak Deciqin dhe ngulën për të parën herë Falmurin e Skenderbeut, të lamë me gjak herojsh, në ato male ku Shqipja e Shqiptarëvet nuk ju përul anmikut.

Me 1911 në Malet tona të veriut u përsërit epopeja e Skenderbeut, të ushtarëvet e të kapedanëve trima të Tij dhe u ngrit Flamuri I Popullit Shqiptar.

Ky është fakti historik, që u përsërit gjatë disa shekujsh dhe nguli kambën në histori, si fitore e paharueshme, ku me 1911 u ngrit Flamuri i Skenderbeut në Deciq. Këta janë herojt që nuk I harron kurr Populli Shqiptar. E nuk shfrytëzohen nga politika. (Athanas Gegaj)

                          NË 25-VJETORIN E PUSHKATIMIT TË PRENK CALIT

Në dimërin e hidhur të vitit 1944 forcat e Hehmet Shehut iu turrën tokës së shqipeve të lira, Kelemendit, vendit për nën Malet që kurorë i bëhen Cemit në anën më vëriore të Shqipërisë politike. Aty ku u thyen ushtritë e sulltanit, nuk ia dual qëllimit as Mehmet Shehu me komunistat e tij. Atëhere u ran bas shpine, duke kaluar malet, por hasi në një rezistencë, që shoqe i bëhet luftave të Skenderbeut. U përlesh me shqiptarë, që një doktrinë e huaj e kishte ndamun e përcamun. Por u shkel u poshtnue dhe burrat e Kelmendit u kapën u lidhën dhe u dërguan më parë në Bajzë e mandej në Shkodër. Kelemendi u dogj fund e maje e me 25 Mars 1945, Prenk Cali dhe burrat tjerë që u dorëzuan me besë shqiptare u pushkatuan.

Nga fytyrat vigane të kësaj historie është Prenk Cali. Ne e kemi njoftun personalisht dhe me përjashtim të konsekuencave të një revolucioni pa qëllim të e keq organizue, që muar në qafë shumë veta, Prenk Cali u internue për pak kohë,  u fal dhe bante pjesë në reservat e ushtrisë shqiptare.

Prenk Cali muer pjesë dhe në Luftën e Deciqit dhe qe një nga herojt e kësaj Lufte, që disa politikanë si të rastit kërkojnë ta cfrytëzojnë. Por nuk ështe rasti. E aq më pakë është rasti të përdorim herojt tanë për qëllime, që nuk kanë të bëjnë me heroizmin e Maleve tona kreshnike dhe të pavdekshme për besë, burrni e lufta për Shqipëri.

Malësoret tanë të Veriut bëjnë pjesë vetëm me historinë e populli shqiptar. Ata janë mbi cdo gjë e mbi cdo ide e fanatizeëm politik. Ata nuk i prek as dhuna e Mehmet Sheut, as cfrytëzimi që kërkojnë të bëjnë disa, që jetojnë me ëndrra dhe ndajnë e përcajnë komunitetin tonë në botën e lirë.

Prenk Cali është Heroj i Maleve tona. Ai është shoq i Dedë Gjo’Lulit e i trimave të tjerë që ngritën Flamurin në Deciq. Mbi këta shkrojti Fishta në “Lott Gjaku” në “Hylli i Dritës”, e këndoi në Lahutë burrninë e tyne që derisa të rrnojë Shqipëria, do të rrnojnë edhe ata përherë në kujtime të Populli Shqiptar.

SHËNIM:  Këto shkrime  u botuan në gazetën “Dielli” më 25 Nëntor 1970,  në kohën kur Athanas Gegaj ishte editor i kësaj gazete,  me rastin  e Pavarësisë së Shqipërisë.  45 vjet më parë ishte 55 vjetori i rënjes tragjike të Dedë Gjo’Lulit nga forcat serbo-malzeze dhe 25-vjetori i pushkatimit  të Prenk Calit nga forcat komuniste shqiptare. Edhe sivjet u përkujtuan dy përvjetoret jubilare të rënjes së tyre tragjike. (Gjekë Gjonlekaj)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat