Fakte “gjakatarë” për Drakulën e vërtetë

Historia

Fakte “gjakatarë” për Drakulën e vërtetë

Më: 23 mars 2017 Në ora: 23:29
Keshtjella e Drakulës

Drakula i vërtetë historik ishte Vladi III. Ai u lind në Sigishoara të Transilvanisë, në vitin 1431. Në vendin e lindjes së tij sot ka një restorant, ku përvit vijnë me mijëra turistë nga e gjithë bota.

Babai i Drakulës quhej Drakul, që do të thotë “dragua” sipas disa burimeve, dhe “djall”, sipas të tjerëve, për shkak se ai i përkiste Urdhërit të Dragoit, që luftonte Perandorinë Otomane.

Nëna e Drakulës është e panjohur, ndonëse në atë kohë, besohet se i ati ka qenë martuar me Princeshën Cneajna të Moldavisë. Për shkak se kishte një numër të dashurash në atë kohë, askush nuk është i sigurtë se cila ishte nëna e vërtetë e Drakulës.

Drakula jetonte në një kohë luftërash të vazhdueshme. Transilvania ishte kufiri i dy perandorive të mëdha: Perandorisë Otomane dhe Habsburgëve. Ai u burgos në moshë të re, fillimisht nga turqit, që e morën me zinxhirë, dhe më pas nga hungarezët. Babai i Drakulës u vra, ndërsa vëllai i tij më i madh, Mirca, u verbua me hekur të nxehtë dhe u varros i gjallë, dy fakte që kontribuan shumë që ai të bëhej kaq i keq më vonë në jetë.

Besohet se në moshë të re, Drakula kaloi pak kohë në Kostandinopojë në vitin 1443, në oborrin e Kostantinit XI Paleologut, një figurë legjendare dhe perandori i fundit i Perandorisë Bizantine. Disa historianë sugjerojnë se pikërisht aty e zhvilloi urrejtjen ndaj otomanëve.

Besohet se Drakula u martua dy herë. Identiteti i gruas së parë nuk njihet, ndonëse mund të ketë qenë një fisnike nga Transilvania. Ajo lindi djalin dhe trashëgimtarine  tij, Mihnea cel Rau. Ai u martua për herë të dytë pas periudhës së burgosjes në Hungari. Iliona Szilagyi ishte bijë e një fisniku hungarez, dhe me të pati dy djem, asnjëri prej të cilëve nuk u bë sundimtar.

Vladi III mori nofkën “ngulësi” për shkak se vrau mijëra turq përmes metodës së tmerrshme që mësoi në adoleshencë, kur ishte peng politik i Perandorisë Otomane në Kostandinopojë.

Vlerësohet se Drakula ishte përgjegjës për vdekjen e më shumë se njëqind mijë njerëzve (shumica turq), duke e bërë atë armikun më të madh që ka ndeshur ndonjëherë perandoria otomane.

Në vitin 1462, ndërkohë që po zhvillohej lufta mes Perandorisë Otomane dhe Vllahisë, Sulltani Mehmeti II ia mbathi me ushtrinë, i frikësuar nga pamje e njëzetë mijë turqve të ngulur në hunj, trupat e të cilëve kalbeshin në rrethinat e kryeqytetit të Vladit, Targoviste.

Gjatë betejës, Drakula u tërhoq në malet aty pranë, duke vrarë dhe prerë njerëz rrugës si dhe duke i ngulur në hunj. Kjo i detyroi forcat turke të mos e ndiqnin, sepse sulltani nuk e duronte dot erën e trupave që shpërbëheshin.

Kur i duhej të tërhiqej me qëllim që të mos kapej nga armiqtë, ai digjte fshatrat e tij dhe vriste vendasit, me qëllim që ushtria otomane të mos kish vend ku të pushonte dhe gra për të përdhunuar.

Në një përpjekje për të pastruar rrugët e Targovistes, qendrës së Vllahisë, Drakula ftoi të gjithë të sëmurët, lypësit dhe bredharakët në një prej shtëpive të tij, gjoja për një gosti. Pasi kishin shijuar gjellët e shijshme, ai i mbylli brenda dhe i dogji.

Në moshë të madhe, Vladi u kap dhe iu pre koka gjatë pushtimit turk. Koka e tij iu dërgua sulltanit, i cili e nguli në hu jashtë pallatit të tij, me qëllim që ta shihnin të gjithë.

Pavarësisht mizorisë, Drakula ishte shumë fetar dhe rrethohej prej priftërinjve dhe murgjve gjatë gjithë jetës. Ai themeloi pesë manastire, ndërkohë që besohet se përgjatë një periudhe prej 150 vjetësh, familja e tij krijoi pesëdhjetë manastire.

Kjo është ndoshta arsyeja përse Vatikani fillimisht e vlerësoi si mbrojtës të krishtërimit, por më pas e qortoi për metodat mizori dhe i ndërpreu lidhjet.

Në Turqi, Drakula shihet si një udhëheqës monstruoz dhe i lig, që gjente kënaqësi në ekzekutimin e dhimbshëm të armiqve. Megjithatë, burimet ruse i përshkruajnë si të justifikuara bëmat e tij.

Drakula gëzoi shumë popullaritet gjatë gjysmës së dytë të shekullit 20. Më shumë se 200 filma kanë si personazh Kontin Drakula, më shumë se sa cdo figurë tjetër historike. Në qendër të kësaj nënkulture është legjenda e Transilvanisë, e cila është bërë pothuaj sinonime me vampirët.

Ish presidenti rumun, Nicolae Caushesku, udhëheqësi komunist i vendit të tij nga 1965 deri në 1989, promovoi patriotizmin e Vladit për shkak të agjendës së tij nacionaliste, që shënjestronte hungarezët dhe pakicat e tjera etnike në Transilvani.

Përkundër asaj që besohet gjerësisht, vampiri nuk është pjesë e folklorit rumun, dhe fjala nuk buron prej gjuhës rumune. Ajo e ka prejardhjen nga fjala serbe “Vampyr”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat