Rusët lidershipit shqiptar: Koreano-veriorëve u është rritur shumë hunda dhe duhet ta ulin, si u pritë Enveri në Phenian dhe biseda me gjyshin e Kim Jong Un

Historia

Rusët lidershipit shqiptar: Koreano-veriorëve u është rritur shumë hunda dhe duhet ta ulin, si u pritë Enveri në Phenian dhe biseda me gjyshin e Kim Jong Un

Fitim Dika Nga Fitim Dika Më 25 prill 2017 Në ora: 11:49
Diktatori Enver Hoxha, vizitë në Korenë Veriore

Në fillimet e vitit 1956 Shqipëria komuniste merr ftesë për të vizituar tre vendet e largëta komuniste: Mongolinë, Korenë Veriore dhe Kinën. Delegacioni shqiptar i mirëpriti ftesën dhe vizitën do e kryesonin tre liderët: Enver Hoxha, Mehmet Shehu dhe Ramiz Alia.

Gjatë vizitës në Mongoli, ku “udhëtimet nga një vendbanim në një tjetër zgjatnin me orë”, Hoxha kujton se e vetmja temë diskutimi ishte blegtoria. Pa ndonjë mbresë të veçantë liderët komunistë shqiptarë e lëshojnë Mongolinë, për të nisur drejt Koresë Veriore ku do i priste Kim Ir Seni, gjyshi i liderit të sotëm Kim Jong Un.

“Më 7 shtator mbërritëm në Phenian. Na pritën mirë, me popull, me gonge, me lule dhe me portrete të Kim Ir Senit (gjyshit të Kim Jong Un- SHB) në çdo pëllëmbë. Të duhej të kërkoje gjatë me sy për të parë në ndonjë qoshe të humbur edhe ndonjë portret të Leninit. Vizituam Phenianin dhe disa qytete e fshatra të tjera të Koresë ku qoftë populli, qoftë udhëheqësit e partisë e të shtetit na pritën përzemërsisht. Kim Ir Seni gjatë ditëve që qëndruam atje u tregua dashamirës dhe i afërt me ne.

Populli korean sapo kishte dalë nga lufta e përgjakshme me agresorët amerikanë dhe tash ishte hedhur në sulm për rindërtimin dhe zhvillimin e vendit. Ishte një popull punëtor, i pastër dhe i talentuar, i etur për zhvillim dhe përparim të mëtejshëm dhe ne me gjithë zemër i uruam atij suksese të vazhdueshme në rrugën e socializmit.

Por, grerëza revizioniste kishte nisur edhe atje të ngulte thumbin e saj të helmuar. Kim Ir Seni, në bisedimet e përbashkëta që zhvilluam. na foli për një ngjarje që u kishte ndodhur në plenumin e Komitetit Qendror të partisë të mbajtur pas Kongresit të 20-të.

— Pas raportit që mbajta unë, na tha Kimi u ngritën dy anëtarë të Byrosë Politike dhe disa anëtarë të tjerë të Komitetit Qendror dhe shtruan çështjen se mësimet e Kongresit të 20-të dhe çështja e kultit të individit te ne, në Kore, nuk janë vlerësuar si duhet, se nuk po bëhet një luftë konsekuente kundër kultit të individit etj.

-Ne — thanë ata përpara plenumit — nuk kemi rezultate ekonomike dhe politike sipas platformës 226 së Kongresit të 20-të dhe rreth e qark Komitetit Qendror janë grumbulluar njerëz të paaftë».

Me një fjalë- vazhdoi Kim Ir Seni- ata atakonin vijën e udhëheqjes, unitetin e saj. Kundër tyre përfundoi u ngrit në këmbë i gjithë Komiteti Qendror. Ç'qëndrim mbajtët ndaj tyre?- e pyeta.

I kritikoi plenumi dhe dolëm- u përgjigj Kim Ir Seni, dhe shtoi: — Menjëherë pas kësaj ata të dy u arratisën në Kinë. Në Kinë?! Po ç'bënë atje? Komiteti ynë Qendror i cilësoi elementë antiparti dhe i shkruam udhëheqjes kineze që të na i kthente patjetër. Veç gabimeve të tjera, ata kryen edhe aktin e rëndë të arratisjes.

Shokët kinezë nuk na i kthyen. Atje i kanë edhe sot e kësaj dite. I thamë hapur Kim Ir Senit se, «megjithëse ne s'jemi në brendësi të çështjeve që kanë ngritur ata dy anëtarë të Byrosë Politike, dhe nuk na takon neve të gjykojmë për punët tuaja, meqë ju na folët për këtë problem, mendojmë se ngjarja është e rëndë».

Edhe te ne- i thamë- pas Kongresit të 20-të të partisë sovjetike pati një përpjekje nga elementë antiparti për të organizuar një komplot kundër Partisë dhe Komitetit tonë Qendror. Komploti ishte vepër e organizuar nga revizionistët e Beogradit, dhe ne, sapo e ndiem, menjëherë e shpartalluam.

I folëm më poshtë për Konferencën e Partisë 227 të Tiranës, të prillit 1956, për presionet që na u bënë dhe për qëndrimin e vendosur e të palëkundur të Partisë sonë ndaj armiqve të jashtëm e të brendshëm. Drejt, drejt! — përgjigjej Kim Ir Seni, ndërsa flisja unë. Nga mënyra si fliste e si reagonte ndjeva njëfarë pasigurie dhe lëkundjeje që mundonin. Nuk isha gabuar në dyshimet e mia. Pas disa ditësh, në Kinë gjatë një takimi që pata me Ponomarjovin.

Anëtar i delegacionit sovjetik në Kongresin e 8-të të PK të Kinës, ia hapa edhe problemin e të arratisurve koreanë. E dimë këtë gjë — m'u përgjigj ai — dhe kemi këshilluar Kim Ir Senin. E keni këshilluar? Përse? — e pyeta. Shoku Enver — më tha — koreanët nuk i kanë mirë punët. U është rritur shumë hunda dhe duhet ta ulin.

Nuk është fjala për punët e tyre në përgjithësi, se unë ato s'i njoh — i thashë Ponomarjovit — por për një problem konkret. Dy anëtarë të Byrosë Politike ngrihen kundër Komitetit Qendror të partisë së vet dhe pastaj arratisen në një vend tjetër socialist. Ku është këtu faji i Kim Ir Senit?!

- Shokët koreanë kanë gabuar- këmbënguli Ponomarjovi.  -Ata s'morën masa në përputhje me vijën e Kongresit të 20-të dhe për këtë u ngritën dy anëtarë të Byrosë Politike. Edhe shokët 228 kinezë janë revoltuar nga kjo gjendje dhe i kanë thënë Kim Ir Senit se, po nuk u morën masa, nuk ua dorëzojnë dy shokët e strehuar në Kinë. E çuditshme! — i thashë. S'ka pse të çuditeni — më tha — vetë Kim Ir Seni po tërhiqet. Këto ditë është bërë një plenum i Komitetit Qendror të Partisë së Koresë dhe koreanët kanë pranuar t'i korrigjojnë gabimet. Dhe kështu ndodhi vërtet.

Dy të arratisurit u kthyen në Kore dhe zunë vendet që kishin në Byronë Politike. Kim Ir Seni, i vënë në mengene, uli jo vetëm hundën, por edhe kokën. Ishte ky një veprim i përbashkët i sovjetikëve dhe i kinezëve, ku një -«meritë» e veçantë i takonte Mikojanit. Ai u dërgua në Kinë si kryetar i delegacionit sovjetik në Kongresin e 8-të dhe, mafiozi hrushovian, pa pritur që të mbaronte kongresi kinez, bashkë me Pin De Huanë, që ia dha Mao Ce Duni si përfaqësues të Kinës, shkoi me vrap në Kore për të akorduar ala hrushoviançe telat e lëkundur të Kim Ir Senit.

Më pas, të tjera udhëtime «akorduese» do të bëheshin në Kore nga sovjetikë, kinezë e të tjerë, por këto do t'i shihnim në të ardhmen,” shkruan mes tjerash Enver Hoxha në librin e tij me kujtime “Hrushovianët”.

Në librin tjetër “Refleksione mbi Kinën” Enver Hoxha e akuzon lidershipin e Koresë Veriore si pjesë e “Bllokut të painkuadruarve” ndërsa liderin Kim Ir Senin e paraqet si pseudo-marksist dhe revizionist megaloman.

Pra, marrëdhëniet shqiptare-koreanoveriore përveç në fillimet e komunizmit nuk kanë qenë normale edhe gjatë kohës vijuese./Bota sot

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat