Çfarë ka ndodhur më 29 maj?

Historia

Çfarë ka ndodhur më 29 maj?

Më: 29 maj 2017 Në ora: 07:42
1453 - Kostandinopoja

1453 – Pas rrethimit prej 2 muajsh, Kostandinopoja bie në duart e trupave osmane të udhëhequra nga 21-vjeçari, sulltan Mehmed II. Pas kësaj, qyteti merr emrin Stamboll, duke u bërë kryeqyteti i perandorisë osmane dhe kryeqendra e kulturës islame, ndërsa Hagia Sofia u shndërrua në xhami – me kaq mori fund edhe Perandoria Bizantine së bashku me perandorin e saj Konstandin XI; në prag të pushtimit, perandorit iu dha një shteg për të iku, por ai u përgjigj: ‘Zoti mos e dhëntë të jetoj si perandor pa perandori’ dhe vdiq duke luftuar. Trupi i tij u gjet mes të vrarëve dhe u dallua nga këpucët e kuqe me dy shqiponja të zeza dykrerëshe qëndisur në to. Kryeqyteti i Bizantit që kishte filluar me Konstadinin e madh nga Nishi i Ilirisë më 330, përfundoi me Konstandinin nga Dragashi i Dardanisë në vitin 1453. Pas kësaj, në 200 vitet e ardhshme, perandoria osmane do të vazhdonte zgjerimin e saj.

1736 – Lindi Patrik Henri, një nga themeluesit e Shteteve të Bashkuara dhe guvernatori i parë i shtetit Virginia. Po më 29 maj, viti 1765, Patrik Henri mbajti fjalimin e tij historik “Më jep liri, ose vdekje” kundër Aktit britanik të Pullës, të cilin e dënoi si tirani; fjalimi në legjislaturën e kolonisë Virginia shkaktoi reagime të ashpra nga pro-britanikët, me britma: “Tradhëti! Tradhëti!” dhe Patrik iu përgjigj: “Nëse kundërshtimi i tiranisë është tradhëti, le të tradhëtojmë sa më shumë!” Patrik Henri vdiq me 6 qershor 1799.

1903 – Grusht shtet: Alexander Obrenoviç, mbreti i Serbisë dhe mbretëresha Draga, vriten në Beograd nga organizata Dora e zezë.

1910 – Papa Pius X shpall enciklikën Editae Saepe, kundër reformatorëve të kishës. Për gati 2000 vjet, peshkopët e Romës (Papët) kanë trajtuar tema sidomos në kohë të shqetësimeve teologjike nëpërmjet qarkullimit të letrave papale. Këto letra u bënë të njohura si enciklike (qarkore). Aty nga mesi i shekullit të nëntëmbëdhjetë, letra enciklike filloi të marrë formën që ka sot, duke u bërë pjesë e rëndësishme e mësimit teologjik katolik.

1916 – Miratohet stema zyrtare e presidentit amerikan. Më 1918, u vendos që kjo stemë të paraqitej krahas presidentit në çdo vend ku ai shkonte për vizitë.

1919 – Parashikimi i Albert Einsteinit mbi thyerjen e dritës konfirmohet nga Arthur Eddington (1882-1944), astronom britanik, fizikant, matematikan, filozof.

1924 – Greqi, një grup refugjatësh nga Kostandinopoja themelojnë në Athinë Klubin sportiv AEK (Bashkimi Sportiv i Konstandinapolit). AEK është një nga klubet më të suksesshme në futbollin grek.

1942 – Këngëtari amerikan Bing Crosby, me “White Christmas”, shënon rekordin më të lartë të shitjes së disqeve deri më sot, me mbi 100 milionë kopje. “White Christmas” është kompozim i Irving Berlinit. Thuhet se kur përfundoi shkruajrjen e këngës më 1940, në Quinta, Kaliforni, Irving Berlin vrapoi tek telefoni për t’i thënë agjentit të tij të tregut se sapo kishte kompozuar këngën më të suksesshme ndonjëherë në botë.

1958 – Real Madrid fiton për herë të parë Kupën e Evropës, në Bruksel. Ky klub futbolli, u krijua në vitin 1902, është klubi më i pasur në botë. Një studim nga Universiteti amerikan i Harvardit arriti në përfundimin se Real Madrid është një nga 20 emrat më të rëndësishëm në fushën e reklamave.

1967 – Papa Pali VI shpall emrat e 27 kardinalëve të rinj, duke përfshirë Karol Wojtylan, kryepeshkopin e Krakovit, Poloni, i cili më vonë u bë Papa Gjon Pali II.

1985 – Juventusi fiton për herë të parë Kupën e Evropës në futboll– ndeshja u zhvillua në Bruksel dhe rezultoi në një trazirë tifozësh, e cila shkaktoi 39 të vdekur. Klubi Sportiv Juventus u themelua më 1897 në Torino nga një grup studentësh dhe menaxhuar më pas nga familja industrialiste Agnelli, “Juve” përbën klubin sportiv më të vjetër në Itali, dhe klubin e parë të futbollit profesionist italian.

2001 – Shpallet Dita Ndërkombëtare e Paqeruajtësve të Kombeve të Bashkuara. Dy vjet të shkuara, më 1999, OKB-ja kishte filluar një operacion të pashembullt të llojit paqeruajtës, në Kosovë (UNMIK).

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat