Historia tronditëse e hebrenjve në Shqipëri. Grekët i dërguan në kampet e shfarosjes, shqiptarët i mbrojtën me jetë

Historia

Historia tronditëse e hebrenjve në Shqipëri. Grekët i dërguan në kampet e shfarosjes, shqiptarët i mbrojtën me jetë

Më: 28 qershor 2017 Në ora: 16:50
Sipas të dhënave historike, hebrenjtë janë dukur në tokat shqiptare në shekujt e Mesjetës.

Historia shqiptare është e lavdishme. Vlerat e popullit tonë janë të veçanta dhe të vlerësuara shumë nga të huajt. Pa dyshim që një nga faqet më të ndritura të historisë shqiptare është mikpritja që i bënë shqiptarëve hebrenjve. Duke i mbrojtur dhe me jetë, në kohën e pushtimit gjerman. Historia e ardhjes së tyre në Shqipëri është me të vërtetë interesante.

Sipas të dhënave historike, hebrenjtë janë dukur në tokat shqiptare në shekujt e Mesjetës. Por të dhënat e fundit arkeologjike tregojnë se ato mund të kenë ardhur dhe më herët. Ndoshta shumë më shpejt se të fillonte dëbimi i tyre nga Spanja në vitin 1492. Në fund të shekullit XIX, në Shqipëri erdhi një grup hebrenjsh nga Selaniku, të cilët u vendosën në qytetet bregdetare. Por hebrenjtë me kalimin e kohës depërtuan dhe në qytete të tjera të rëndësishme shqiptare si në Gjirokastër, Korçë, Fier etj, ku fituan të gjitha të drejtat si qytetarë të Shqipërisë, dhe përvetësuan gjuhën dhe doket shqiptare, duke u shkrirë me popullsinë vendase.

Ka pasur ardhje të hebrenjve dhe në vitet 1915 e 1925. Arsyeja e ardhjes së tyre ishte si rrjedhim i vendpërqëndrimit dhe një pjesë si të arratisur. Vuajtja e këtij populli mori përmasa të tmerrshme pas ardhjes në fuqi të fashizmit në vendet e Ballkanit. Ndaj dhe hebrenjtë e këtyre vendeve, sidomos ato të Jugosllavisë, kërkuan të vinin në Shqipëri. Nga dokumentet e gjetura në Shqipëri kanë rezultuar 597 hebrenj, nga të cilët 121 vetëm gjatë viteve 1941-1942 dhe pjesa tjetër në vitin 1943. Dhe këtu vlen për t’u përmendur një fakt shumë interesant. Ato e dinin që në Shqipëri do të gjenin përsëri një vend të pushtuar nga fashistët. Çfarë i shtyu këtë popullsi të persekutuar të besonin tek shqiptarët? Sipas të gjitha dëshmive ata shpresuan në mikpritjen dhe përkrahjen e popullit shqiptar.

Dhe në fakt kështu ndodhi. Hebrenjtë edhe pse janë konsideruar gjithmonë si shumë të pasur, në atë kohë ishin shumë të varfër. Pothuajse të gjithë ishin në një gjendje të vështirë ekonomike. Aq sa veç veshjeve të tyre nuk sollën asgjë me vete. Por si gjithnjë në ndihmë i erdhi bujaria dhe mikpritja e popullit shqiptar. Një popull me humanizëm të veçantë dhe mikpritje tradicionale. Por mbi të gjitha një popull trim. Një popull që e mbronte mikun dhe me jetë. Në Shqipërinë tonë, asokohe të pushtuar nga nazifashistët, u lëshuan shumë urdhra e dekrete për persekutimin e hebrenjve. Kontrollet që bëheshin nëpër shtëpi, survejimi ishte i rreptë, por në asnjë rast populli shqiptar nuk i la në baltë hebrenjtë. Përkundrazi, i mbrojti me besë e krenari, duke rrezikuar në çdo moment dhe jetën. Sepse i tillë ishte në karakter shqiptari. Ministria e Punëve të Brendshme kërkoi nga të gjitha prefekturat ku ishin përqendruar hebrenjtë që brenda pesë ditëve ata të nxirreshin nga toka shqiptare. Iu kërkua të gjithë shqiptarëve të hetonin e të jepnin të dhëna nëse kishte hebrenj të strehuar. Por në asnjë rast nuk pati hebre të denoncuar sepse ato i mbrojti me vetëmohim populli shqiptar.

Duke pasur një armik të përbashkët nazizmin, hebrenjtë morën krahun e popullit shqiptar në luftën kundër nazi-fashizmit. Mikpritjen e veçantë që i bënë shqiptarët hebrenjve, ky popull që në historinë e tij ka provuar holokaustin më të rëndë të historisë, nuk e harruan kurrë atë që populli shqiptar bëri për ta. Në një letër përshëndetjeje të populli hebraik shkruhet : “Në historinë e kësaj lufte botërore do mbetet i shënuar një popull i vogël, por bujar dhe heroik, populli shqiptar, i cili do të shënohet si i vetmi ndër popujt e okupuar të Evropës që pengoi dhe ndaloi shfarosjen e ndjekjen e hebrenjve”.

Por jo e njëjta panoramë ndodhi në Greqinë fqinje. Pikërisht data 25 mars e vitit 1944 është dita më e zezë e grekëve në Ballkan. Trupat gjermane me ndihmën e trupave të xhandarmërisë greke, batalioneve të Sigurimit grek , të komanduar direkt nga kryeministri kuisling, Joani Ralli hipën nëpër kamionë rreth 1.725 burra, gra, pleq e fëmijë të komunitetit hebre, të cilët ishin grumbulluar nga e gjithë Greqia në dy qendra. Ishin hebrenjtë, të cilët prej disa shekujsh jetonin aty. Brenda një dite, grekët në bashkëpunim me nazistët i nisën në kampet e shfarosjes. Sipas dëshmitarëve dhe dokumenteve të kohës nuk pati asnjë reagim nga qeveria vendore, nga popullata greke. I gjithë operacioni shoqërohej atë ditë nga policia vendase dhe ushtria gjermane. Histori që flasin vetë…

(Historia e Shqipërisë, Historia e hebrenjve në Shqipëri, Shaban Sinani)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat