Bejtë Galica- trimi i betejave antiturke

Historia

Bejtë Galica- trimi i betejave antiturke

Nga: Bedri Tahiri Më: 1 korrik 2017 Në ora: 15:36
Bedri Tahiri

Në vazhdën e luftërave qindvjeçare të popullit shqiptar kundër pushtuesve të ndryshëm, që pamëshirshëm u vërsulën mbi trojet tona, u veçuan disa lokalitete dhe vendbanime për një qëndresë dhe rezistencë të përhershme. Në mesin e tyre vendbanimeve qëndron edhe  Galica, e cila i ka dhënë shumë lirisë së trojeve arbërore. Ndër trimat e parë që ra në fushën e nderit, qe edhe babai i Azem Galicës, Bejtë Galica (1853- 1907).

Bejta u lind në pranverën e vitit 1853 në Galicë të Drenicës. Që nga fëmijëria, nëpër odat e burrave, mori mësime të mira. Aty i lindi dashuria për atdheun e për popullin shqiptar që po vuante nën zgjedhen turke.

Qysh më 1890/91, kur Perandoria turke bëri përpjekje për vendosjen e pushtetit në Drenicë, ai u gjend në radhët e para të luftëtarëve të lirisë. Kështu, më 14 janar 1891, afër 2000 vetë  të udhëhequr nga Ahmet Delia i Prekazit e sulmuan dhe dogjën Sarajin “HAMIDI”. Kajmekami i ri, Kahremen beu dhe nëpunësit e tjerë, mezi shpëtuan nga flaka dhe lufta.

Image

Në këtë betejë të përgjakshme u shqua edhe Bejtë Galica. Ai u kishte rënë në sy autoriteteve turke dhe pas disa ditësh arrestohet dhe me një grup kryengritësish dërgohet në Shkup, ku dënohet me burg të përjetshëm, me 101 vjet. 

Më 1902 Porta e Lartë vendosi të bëjë reforma në Vilajetin e Rumelisë. Për zbatimin e tyre u caktua Hilmi Pasha, i cili arriti në Shkup më 12 dhjetor 1902. Ai për t´i mashtruar dhe përvetësuar shqiptarët në përkrahjen e reformave menjëherë  bëri amnestimin e ca të burgosurve. Në mesin e tyre qe edhe Bejtë Galica, i cili pas 11- vjetësh doli nga burgu i Shkupit.

Mirëpo, Bejta nuk e ndali aktivitetin e vet luftarak e organizativ. U zgjodh udhëheqës i luftëtarëve nga fshatrat: Galicë, Dubofc, Mikushnicë, Beçiq dhe Krasaliq. Në shkurt te vitit 1902 i përfaqësoi këto fshatra në tubimin e krerëve të Drenicës që u mbajt në kullën e Ahmet Delisë në Prekaz.

Image

Më 26 mars 1903 mori pjesë në fushën e Morinës, në Kuvendin historik të Drenicës, të cilin e udhëhoqi Ahmet Delia. Në te u vendos të kundërshtohen reformat turke. Pas tri ditësh, më 29 mars, mijëra dernicas, nën dretimin e Ramë Lutanit e morën Vushtrrinë u nisen për në Mitrovicë për t´u ndihmuar vëllëzërve shaljanë, të cilët e kishin sulmuar qytetin dhe kërkonin dëbimin e menjëhershëm të konsullit rus Shçerbinit. Beteja qe e përgjakshme. U vranë mbi 300 shqiptarë. Nga kodra e Bairit sulmonin me topa. Aty qëndronte edhe Shçerbini, i cili edhe komandonte. Një ushtar shqiptar në ushtrinë turke, me emrin Ibrahim Halit Popovci, nga Suka e Gjilanit, duke i parë këto skena tmerruese e dredh pushkën  dhe e qëllon konsullin, i cili vdiq pas disa ditësh. Edhe në këto luftime u dalluan trimat që i udhëhoqi Bejtë Galica.

Lëvizja antiturke sa vinte e shtohej. Në muajin korrik 1907 shpërtheu kryengritja e armatosur në Drenicë. Të gjithë luftëtarët e kësaj treve ishtin grumbulluar rreth Rezallës dhe Deviçit. Shemsi Pasha urdhëroi major Vehbi Efendiun që të nisej për Drenicë dhe ta shuante kryengritjen. Beteja qe e përgjakshme dhe zgjati tërë ditën. Aty mbesin te vrarë shumë shqiptarë, në mesin e tyre edhe njëri nga prijësit e betejës- Bejtë Galica.

Image

Kështu, në muajin korrik 1907, në fushën e nderit ra heroikisht atdhetari e luftëtari 54 vjecar, Bejtë Galica. Pas një jave turqit ia dogjën shtëpinë në Galicë duke i lënë pa kulm mbi kokë Sherifen me dy thjeshtrit (Seferin dhe Zenelin) dhe tre fëmijët e vet: Azemin, Mihanen dhe Ademin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat