Çfarë ka ndodhur më 2 korrik?

Historia

Çfarë ka ndodhur më 2 korrik?

Më: 2 korrik 2017 Në ora: 07:36
Ilustrim

437 – Valentinian III fillon mbretërimin mbi Perandorinë Romake të Perëndimit. Nëna e tij Galla Placidia (nga familja konstandiniane) përfundoi regjencën, por vazhdoi të ushtrojë ndikim politik. Mbretërimi Valentinian u shënua me shpërbërjen e Perandorisë Perëndimore; ai humbi pothuajse të gjithë Afrikën e Veriut, të gjithë Spanjën perëndimore, dhe shumicën e Galicisë. Valentinian gjithashtu i dha autoritet më të madh Papatit, duke njohur parësinë e peshkopit të Romës bazuar në meritat e shën Pjetrit; Valentinian filloi të largojë të gjithë hebrenjtë nga rradhët e ushtrisë, i frikësuar nga aftësitë e tyre për të korruptuar të krishterët që shërbenin në ushtrinë romake.

1504 – Bogdan III bëhet Voivodë i Moldavisë. Në vitin 1514, për të bllokuar kërcënimin tatar, ai shfrytëzoi ndihmën nga një sundimtar i fuqishëm, duke u bërë vasal i perandorisë osmane – dhe ia dorëzoi Moldavinë Sulltan Selimit.

1555 – Admiral osman Turgut Reis sulmon qytetin italian Paola, në Kozenca, Kalabri. Pastaj ai vazhdoi sulmet përgjatë gjithë bregdetit italian derisa mbërriti në San Remo prej nga u kthye në Stamboll, ku sulltani i jep titullin pasha.

1566- Vdes Nostradamus. Michel de Nostredame ose Nostradamus ishte një astrolog francez, kimist, farmacist, i cili botoi një përmbledhje parashikimesh me titull Les Propheties; libri u bë i famshëm në mbarë botën, po ashtu edhe autori.

Historianët thonë se Nostradamus ishte njohës i mirë i literaturës klasike greko–romake, që në kohën e tij ishte thuajse e panjohur ose e pa rizbuluar në Evropë; nga kjo literaturë (dokument, fjalime, letërsi, prozë, poezi) Nostradamus shkëputi fraza a thënie me kuptime filozofike (të gjëra, të shumëfishta), duke u bërë si ai që parashikon, parathotë, paralëjmëron, profetizon, pro-fet: pro ‘para’ + fenai ‘thënie’). Madje, në krye të librit “Profecitë”, Nostradamus tërthorazi thotë se për ato që shkruan nuk është merita e tij: “Edhe pse, kam përdorur fjalën profeci, nuk do t’ia atribuoja vetes një titull të tillë kaq madhështor e fisnik siç është ai i Profetit”.

1698 – Shpikësi anglez Thomas Savery regjistron patentën e motorit të parë me avull.

1776 – Amerikë; Kongresi Kontinental miraton një rezolutë për ndërprerjen e lidhjeve me Mbretërinë e Britanisë së Madhe, edhe pse formulimi i Deklaratës së Pavarësisë zyrtarisht do të miratohej pas dy ditësh, më 4 korrik.

1777 – Vermonti bëhet territor i parë amerikan që heq skllavërinë.

1853 – Ushtria ruse kapërcen lumin Pruth në Principatat e Danubit, Moldavi dhe Vllahi, duke ndezur shkëndijën për Luftën e Krimesë.

1871 – Victor Emmanuel II i Italisë hyn në Romë, duke ia marrë qytetin Papës.

1877 – Lindi Hermann Hesse, autor dhe poet romantik gjerman-zviceran; nderuar me Çmimin Nobel në letërsi më 1946 (vdiq më 1962).

1881 – Charles J. Guiteau plagos presidentin amerikan James Garfield, i cili vdiq nga infeksioni i plagës më 19 shtator.

1897 – Shkencëtari italian Guglielmo Marconi regjistron në Londër një patentë për radio.

1900 – Kryhet fluturimi i parë me Zeppelin mbi liqenin Constance pranë Friedrichshafen, Gjermani.

1921 – Lufta e Parë Botërore: Presidenti amerikan Warren G. Harding nënshkruan rezolutën e Knox-Porter, duke i dhënë fund zyrtarisht luftës ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Gjermanisë perandorake.

1934 – Nata e thikave të gjata të Hitlerit përfundon me vdekjen e udhëheqësit Ernst Rohm – ai u vra me urdhër të Henri Himlerit pasi shihej si rival në hierarkinë naziste.

1937 – Amelia Earhart dhe bashkë-piloti Fred Noonan zhduken mbi Oqeanin Paqësor duke u përpjekur për të bërë fluturimi e parë rreth botës përgjatë vijës ekuadoriale.

1961 – Ketchum, Idaho – Ernest Hemingway u gjet i vdekur në shtëpinë e tij, goditur në kokë me armë gjahu.

Gruaja e tij, Maria, tha se ai kishte vrarë veten aksidentalisht ndërsa po pastronte armën. Hemingway, shkrimet e të cilit i dhanë një çmimi Nobel dhe një çmimin Pulitzer, do të kishte qenë 62 vjeç më 21 korrik 1961. Ai ishte gjahtar i përkushtuar dhe ekspert për armët e zjarrit. Babai i tij, Dr Clarence E. Hemingway, gjithashtu kishte qenë i dhënë pas gjuetisë; edhe ai qëlloi veten për vdekje në shtëpinë e tij në vitin 1928 në moshën 57 vjeç. Tema e vetëvrasjes së të atit është përmendur shpesh tërthorazi në tregime të shkurtra të Hemingwayt dhe të paktën në një roman, “For Whom the Bell Tolls”. Ernest Hemingway jetoi mes të shtënave dhe me vdekjen pranë; i plagosur nga predha mortajash në Itali në Luftën e Parë Botërore; thuajse gjeti vdekjen në Luftën Civile spanjolle, kur tre predha ranë në dhomën e tij të hotelit. Në Luftën e Dytë Botërore, ai u plagos në një aksident me makine gjatë një nate bombardimesh. Hemingway gati vdiq nga helmimi i gjakut gjatë një safari afrikan; ai dhe gruaja e tij shpëtuan gjallë nga një aksident ajror në vitin 1954. Presidenti John Kenedi mbajti zi për vdekjen e Ernest Hemingwayt, të cilin e quajti një nga shkrimtarët më të mëdhenj të Amerikës dhe një nga qytetarët e mëdhenj të botës.

1964 – Presidenti amerikan Lyndon B. Johnson nënshkruan Aktin e të Drejtave Civile për ndalimin e ndarjes raciale në mjediset publike.

1966 – Ushtria franceze shpërthen një bombë bërthamore në Mururoa – prova e parë bërthamore franceze në Paqësor.

1976 – Fundi i Republikës së Vietnamit; Komunistët e Veriut shpallin bashkimin e vendit duke formuar Republikën Socialiste të Vietnamit.

1986 – Rodrigo Rojas dhe Carmen Gloria Quintana u dogjën të gjallë gjatë një demonstrate në rrugë kundër diktaturës së krahut të djathtë të gjeneralit Augusto Pinoçet në Kili.

1990 – Tërmet politik në Tiranë, valët e të cilit do të ndjeheshin gjatë gjithë vitit.

Rreth 400 vetë vërshuan njëkohësisht në 9 ambasada të huaja; vala e njerëzve vazhdoi derisa numri arriti në disa mijëra. Në Pleniumin e Komitetit Qendor të PPSH-së, udhëheqësi Ramiz Alia tha se kjo ngjarje nuk ishte shprehje e pakënaqësisë ndaj regjimit, por veprim i organizuar nga armiqtë e brendshëm e të jashtëm. Gjithsesi, qeveria nuk mund t’i bënte ballë shprehjes së një pakënaqësie kaq masive, si dhe e ndodhur nën presionin ndërkombëtar, nga data 9 deri më 13 korrik i pajisi me pasaporta për të emigruar të gjithë të strehuarit, rreth 5 mijë shtetas, që ato ditë guxuan të shprehnin hapur pakënaqësinë e grumbulluar.

1990 – Asambleja në Prishtinë shpall pavarësinë e Republikës së Kosovës nga Serbia, hap tepër i guximshëm, cilësuar si pikënisja e asaj që Kosova gëzon sot.

1994 – Shqipëri; ish-presidenti komunist Ramiz Alia (1925 – 2011) dënohet me 4 vjet burgim nën akuza për shpërdorim pushteti dhe shkelje të të drejtave të shtetasve – dënim i lehtë për akuza të rënda, thane disa.

2001 – Për herë të parë – Një zemër artificiale, AbioCor, implantohet duke zëvendësuar një zemër të sëmurë.

2002 – Steve Fossett bëhet personi i parë që fluturon solo rreth botës pa ndalesë në një balonë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat