Abrey Herbert: Isa Boletini, Robin Hudi i Shqipërisë

Historia

Abrey Herbert: Isa Boletini, Robin Hudi i Shqipërisë

Më: 12 gusht 2017 Në ora: 20:31
Isa Boletini

Në janar të vitit 1913 një delegacion shqiptar mbërrin në Londër në përbërje të Mehmet bej Konicës, Rashit bej Dinos dhe Filip Nogës. Në një situatë të trazuar politike , është anglezi Abrey Herbert i cili jep detaje mbi këtë ngjarje aspak të zakontë për një vend të vogël.

“Albania’s Greatest Friend – Aubrey Herbert and the making of modern Albania” (Miku më i madh i Shqipërisë – Aubrey Herbert dhe bërja e Shqipërisë bashkëkohore) është njw libër i botuar nga shtëpia botuese I.B. TAURUS në Londër. Botimi është kompletuar nga editimi i Bejtullah Destanit dhe Jason Tomes me parathënie të Noel Malcolm-it.

Libri përmban ditarin (pjesërisht i botuar më parë nën titullin Ben Kendim), fjalimet (parlamentare dhe publike) dhe artikujt e Aubrey Herbert-it, botuar në gazetat britanike të kohës. Libri është një vepër shumë e rëndësishme që shpalos aktivitetin e palodhshëm të një personi i cili deri në vdekje punoi pa pushuar për çështjen shqiptare dhe për pranimin e saj në qarqet politike e diplomatike britanike ku kërkohej zgjidhja adekuate. Libri në tërësi e arsyeton titullin pasi që vihet në pah se Shqipëria dhe shqiptarët nuk kanë pasur ndonjëherë mik më të madh se Abrey Herbert-in.

Nga libri  mësojmë  se Herbert, pasi që ishte pjesë e establishmentit politik dhe diplomatik britanik, e kishte nuhatur herët iniciativën e Fuqive të Mëdha për Konferencën e Ambasadorëve që do të mbahej në Londër. Prandaj, ky ishte edhe qëllimi i formimit të komitetit i cili ushtroi ndikim të madh. Komiteti, që në fillim të punës, përfshiu 12 anëtarë nga deputetët e Parlamentit Britanik, dy funksionarë të lartë qeveritarë, kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, kryeshefin e rabinëve dhe shumë dinjitarë tjerë. Puna rreth krijimit dhe vendosjes së kufijve tw Shqipërisë do të shkonte edhe më keq sikur të mungonte ndikimi i Komitetit në krye me Aubrey Herbert-it.

Nga materiali i botuar në këtë libër vihet në pah se Komiteti ishte mikëpritës i delegacionit shqiptar i cili në Londër erdhi në janar të vitit 1913 në përbërje të Mehmet bej Konicës, Rashit bej Dinos dhe Filip Nogës. Pasi që qeveria e Shqipërisë ende nuk njihej ndërkombëtarisht, ndihma e Herbertit dhe e Komitetit që i ofroi delegacionit ishte e madhe. Ndihmë e pakrahasueshme u ofrua edhe gjatë punëve të Konferencës së Ambasadorëve kur në Londër (29 prill 1913) erdhi delegacioni i qeverisë së përkohshme të Shqipërisë. Delegacioni kryesohej nga Ismail bej Qemali i cili shoqërohej edhe nga Isa bej Boletini të cilin shtypi dhe opinioni britanik e njihte si udhëheqësi i gueriles shqiptare të Kosovës dhe i cili tashti kishte marrë funksionin e komandantit të Milicisë Kombëtare të Shqipërisë.

Pjesët e ditarit dhe të shënimeve tjera, siç janë letrat dërguar shtetarëve dhe artikujt botuar në gazeta britanike, përmbajnë pjesën më interesante aty ku bëhet fjalë për Isa bej Boletinin. Kjo pjesë mund të jetë edhe kryesorja në këtë libër. Herbert, në mënyrë mahnitëse, përshkruan në detaje çdo hap të Isa bej Boletinit në Londër. Isa beu, gjatë tërë kohës sa qëndroi në Londër, ishte mysafir personal në shtëpinë e Abrey Herbert-it. Herbert organizoi takime të anëtarëve të delegacionit me zyrtarët më të lartë britanikë, mbajti fjalime në parlament, shkroi artikuj në gazeta dhe bëri një varg aktivitetesh tjera të rëndësishme me qëllim që opinioni britanik dhe politikanët të njoftoheshin me gjendjen e rëndë të shqiptarëve dhe kauzën e tyre nacionale.

“Figura më piktoreske e këtij delegacioni ishte Isa bej Boletini, Robin Hudi i Shqipërisë” shkruan Herbert duke vazhduar t’i numëroj faktet tjera të cilat këtë njeri e kishin shndërruar në legjendë edhe sa ishte gjallë. Përshtypjet që kishte lënë Isa beu në Londër ishin mahnitëse. Isa beu, me trup të një gjiganti dhe me veshje karakteristike kombëtare, impononte pamjen e tij gjithkund. Herbert shënon se edhe në vende publike kur dilte Isa beu i tërë qyteti ndalej për ta shikuar këtë njeri të pazakonshëm.

Një ditë Herbert kishte organizuar një drekë në restorantin e një shqiptari (Toni Preshës) në Londër për ta takuar Isa Boletinin me Lloyd  George i cili në këtë kohë ishte ministër i financave por që më vonë u zgjodh kryeministër i Britanisë së Madhe. Herbert e përshkruan këtë takim në mënyrë brilante. Pasi që Lloyd George kishte shpalosur qëndrimet e qeverisë britanike për Ballkanin, Isa beu i drejtohet Herbert-it, i cili në këtë rast shërbente si përkthyes, me këto fjalë:

“ Thuaj këtij” tha Isa beu, “ se unë jam malësor, sikur ky, dhe e di që e ka zemrën e mirë për ata që vuajnë, sidomos për malësorët. Dhe, thuaj se kur të del pranvera, ne do t’i plehërojmë tokat e  Kosovës me gjak dhe eshtra të serbëve pasi që shqiptarët kanë vuajtur shumë dhe nuk mund të harrojnë”.

Natyrisht, Herbert, këtë fjalinë e dytë e kishte zbutur pak gjatë përkthimit. Por, ai shënon se Isa beu i kishte lënë mbresa të fuqishme Lloyd Gerge-it. “ They were a funny pair. Ll. Loved him” – shkruante Herbert e cila në shqip duhet përkthyer si:”Ata ishin një qift i çuditshëm. LLoyd George-it i pëlqeu shumë ai (Isa beu)”.   Këtu shihen detajet e aktivitetit të Komitetit për Shqipërinë (Albanian Committee) që u themelua me iniciativën e Herbert-it mbledhja e parë e të cilit qe mbajtur me 17 dhjetor 1912. Komiteti mblodhi një numër të rëndësishëm të dinjitarëve britanikë. Herbert, pas shpalljes së pavarësisë dhe gjendjes së rëndë që i pllakosi tokat shqiptare, e shtoi edhe më tej aktivitetin duke u bërë zëdhënës i çështjes shqiptare. Para formimit të këtij komiteti Herbert ishte anëtar i Komitetit Ballkanik që kishte influencë të madhe në politikën britanike nga i cili u largua për shkak se ky komitet përkrahte sllavët dhe grekët duke refuzuar t’i pranonte masakrat që u bëheshin shqiptarëve.

Libri është i begatshëm me rrëfime të këtilla që kanë të bëjnë me sjelljet apo ndodhitë individuale por që krijojnë reflektim të rëndësishëm për historinë. Deri vonë është menduar se britanikët nuk kanë pasur njohuri me kërkesat nacionale që kishin shqiptarët. Këtu vërtetohet fakti se kastës politike nuk u kanë munguar informatat pasi që ajo gjithmonë ka qenë e shërbyer nga Herbert dhe Komiteti për Shqipërinë. Qeverive të atëhershme britanike u mungonte vullneti për të vepruar në drejtim të përkrahjes së kauzës shqiptare. Për fat të keq të shqiptarëve britanikët nuk kishin interesa madhore në rajonin e  Ballkanit. Britanikët  tregonin dhëmbët vetëm kur u duhej të manifestonin fuqi perandorake para shteteve tjera.

Në fillim të vitit 1918 Albanian Committee u shndërrua në Anglo Albanian Society të cilës iu bashkua edhe Edith Durham që së bashku me Abrey Herbert-in mbetën fuqia kryesore e kësaj organizate e cila ekziston edhe sot.

Abrey Herbert (1889 – 1923) ishte jetëshkurtër por askush nuk bëri më shumë për Shqipërinë e cila sipas tij do të duhej të ishte më e madhe se që është sot. Herbert kishte prejardhje të traditës aristokrate angleze e cila gjë e kishte vënë në avantazh të suksesit. Familja e tij kishte në pronësi diku rreth 15000 hektarë tokë në Summerset të Anglisë. Ai ishte pasardhës i familjes së njohur Carnarvon. Kësaj familje i ishte shtuar edhe më shumë nami kur Earl i Pestë i Karnavonëve e zbuloi varrin e Tutankamonit dhe një varg zbulimesh tjera në Egjipt.

Nga libri shohim se Aubrey Herbert u pajis me edukim sipëror në  Eton dhe Oxford nga ku krijoi miqësi të ngushta me shumë personalitete të ardhshme përfshirë edhe të famshmin T. E. Lawrence (Lorensin e Arabisë). Karrierën e filloi si diplomat dhe vazhdoi të shërbente si oficer ushtarak në Irish Guards kurse më vonë shërbeu 12 vite deputet i Parlamentit Britanik nga radhët e Partisë Konservative. Në vitin 1904 Herbert filloi punën e atasheut të nderit në Stamboll dhe nga ky moment e deri në vdekje (1923) ai nuk iu nda aktiviteti të tij për promovim të nacionalizmit shqiptar. Herbert ishte i rëndësishëm edhe në jetën britanike. Figura e tij hyri në amshim letrar me anë të personazhit të Sandy Arbuthnot-it në serinë e novelave Greenmantle të autorit John Buchanan.

Nëse gjërat e mëdha bëhen rastësisht, atëherë rasti i Herbertit ilustrohet tërësisht në kuadër të këtij shembulli. Me vendosjen e tij në ambasadën britanike në Stamboll ai e gjen ndihmësin (shërbëtorin) e tij i cili e njofton me çështjen shqiptare. Shërbëtori është Qazim Kukeli, një shqiptarë nga Dibra. Qazimi është shkaku që Herbert hyri në botën e komplikuar shqiptare që nga dita e parë që u takuan. Qazim Kukeli, siç përshkruhet nga Abrey Herbert, ishte një njeri impozant në të gjitha pikëpamjet, të cilit vështirë se i gjendet shoku edhe në filmat më epikë të Holivudit. Në ditarin e Herbert-it, Qazimi zë një vend të rëndësishëm. Qazimi do ta shoqëronte “zotëriun” e tij anglez gjatë tërë qëndrimit në Stamboll, udhëtimeve në Ballkan, në vende tjera e deri në Britani të Madhe. Qazim Kukeli ishte ndihmë shumë e madhe në të gjitha aspektet e jetës së përditshme të Herbertit. I mrekulluar për këtë, Herbert një ditë e kishte pyetur Qazimin se çka mund të bënte për te si shpërblim. “Asgjë për mua. Fol mirë për Shqipërinë kur të jepet rasti” – ishte përgjigjur Qazim Kukeli. Dhe, Herbert e bëri këtë punë duke lobuar gjatë tërë jetës së tij për Shqipërinë.

Aktivitetin e tij Herbert e ka shënuar në forma të ndryshme të shkruara që janë të përmbledhura në këtë libër. Libri është një lloj biografie e Abrey Herbert-it e cila duhet të jetë pjesë e historisë për Shqipërinë. Prandaj, çdo faqe është e këndshme për çdo lexues por është i dobishëm edhe për historianët dhe diplomatët pasi që për herë të parë dalin në shesh shumë ndodhi të dokumentuara duke u dhënë edhe shpjegimet e punës që ishte bërë në sfond.

Jason Tomes, në parathënien e librit, duke folur për rëndësinë dhe efektin që pati aktiviteti i Abrey Herbert-it, bënë me dije edhe për faktin që shqiptarët në atë kohë ishin falënderues ndaj tij. Madje, pas pavarësisë disa personalitete shqiptare i kishin propozuar Herbert-it fronin e Shqipërisë.

Noel Malcolm, poashtu në parathënie, vë në pah ironinë në lidhje me punën e Herbertit e cila u harrua tërësisht me ardhjen e komunistëve në pushtet në Shqipëri. Emri i Abrey Herbert-it në këtë periudhë të errët  ishte mënjanuar nga përdorimi duke u dënuar me harresë. Kështu komunistët e vlerësuan punën e mikut më të madh që pati Shqipëria. As sot nuk është shumë mirë. Emri dhe veprat e mikut më të madh të Shqipërisë, pos në këtë libër, edhe sot përmenden rrallë ose aty këtu dhe pa vend. Këtyre ditëve kur shteti i përgjysmuar shqiptar feston 100 vjetorin e lindjes duhet ta kemi parasysh se gjatë lindjes së tij Herbert kishte punuar aq shumë dhe jashtë imagjinatës së shumicës së shqiptarëve të sotëm.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat